Mustafa Martinaj dëshmoi ditën e djeshme në GJKKO lidhur me pasuritë e sekuestruara të djalit dhe familjarëve të tij. Jashtë kamerave ai tha se i biri, Ervis Martinaj, është ekzekutuar në Durrës dhe se SPAK refuzon ta hetojë çështjen duke ia lënë në dorë Prokurorisë së Lezhës.
Lidhur me deklaratat e tij, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, tha në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv se zhdukja e Ervis Martinajt është një ngjarje që vijon të mbetet enigmë.
Softa shtoi se statusi për Martinajn vijon të jetë si person i zhdukur, pasi ende nuk ka prova për vrasjen e tij, por nuk ka prova as që është gjallë.
Eksperti Softa tha më tej se nëse rezulton se Martinaj është gjallë, nuk është ndonjë ngjarje e pazakontë, pasi sipas tij, në shtete të ndryshme të Europës ka shumë personazhe të botës së krimit që janë zhdukur dhe janë shfaqur pas një kohe të gjatë.
Softa shtoi gjithashtu se që të shkohet drejt zbardhjes së ngjarjes për Martinajn, Prokuroria dhe Policia duhet të mbajnë në vëzhgim familjarët e tij dhe telefonatat që ata bëjnë.
“Çështja vazhdon të jetë enigmë dhe statusi i tij nuk ka ndryshuar. Deklaratat e babait dhe të familjarëve të Ervis Martinajt patjetër që janë indicie, por nuk janë prova. Kështu që statusi i tij mbetet i pandryshuar nga pikëpamja ligjore. Statusi i tij vijon të jetë i tillë, për sa kohë që nuk ka një vendngjarje, nuk ka një trup, nuk ka adn, nuk ka dëshmitarë të identifikuar për t’u hetuar dhe përsa kohë që jemi në këtë gjendje, vijon të jetë në të njëjtin status. Është një enigmë që ka mbuluar edhe publikun në tërësi, por edhe mediat e institucionet. Sa herë përmendet ky emër, të gjithë kthejnë kokën në kohë, për të parë sa kohë kanë kaluar nga zhdukja e Ervis Martinajt.
Dikur kujtojmë se kryeministri i vendit i vuri një afat kohor prej 100 ditësh drejtorit të përgjithshëm të Policisë asokohe, për zbardhjen e zhdukjes së Ervis Martinajt. Personi nëse është gjallë, nuk është ndonjë histori e rrallë apo e veçantë, por një histori e ndodhur në shumë vende të tjera. Kemi modele dhe raste konkrete kur personat janë shfaqur pas 15-20 vitesh. Të gjithë telefonat, mbajtja në vëzhgim e familjarëve, është objekti i parë nëse personi mund të ketë shenja jete. Kjo pastaj mund të ndryshojë mënyrën sesi mund të kërkohet hetimi dhe rrjedhën e ngjarjeve”, tha mes të tjerash Softa.
Ndërkohë gazetarja Aida Topalli ka deklaruar se i ati i Ervis Martinajt ka deklaruar në GJKKO ‘unë jam babai dhe si babai patjetër që di diçka’.
Teksa tha se personat e fundit që Martinaj ka takuar para se të zhdukej janë e dashura e tij dhe ish-oficeri i Policisë Jeton Lami, Topalli shtoi se Durrësi ka qenë destinacioni i fundit ku është parë Ervis Martinaj.
“Mua më bëri përshtypje diçka në atë se çfarë Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt ka biseduar me kolegët e mi para Prokurorisë së Posaçme, atje nga ku doli pasi kishte dorëzuar provat e tij në gjykatë për të marrë apo për t’ju kthyer pasuritë e të birit dhe të familjarëve të tij. SPAK dyshon se kemi të bëjmë me pasuri të vendosura nga krimi i organizuar. Në fund të gjithë kësaj, ai bisedon edhe me kolegët duke iu thënë se ‘SPAK merret me pasurinë e dialit tim, ndërkohë që ka 4 vite që nuk dihet asgjë për fatin e djalit’.
Fjalimi që më bëri përshtypje të kolegëve të mi, për t’u ndalur më pas edhe te kjo ndarja mes ‘pse nuk shkon në SPAK kjo çështje dhe pse vazhdon të qëndrojë në Prokurorinë e Kurbinit’, është fakti që ai u përgjigjet duke thënë ‘unë jam babai dhe si babai patjetër që di diçka’. E para familjarët e Martinajt duket dukshëm që kanë pasur interes të shtuar duke pyetur në lidhje me zhvillimin e hetimeve për këtë çështje në Policinë e Lezhës dhe Prokurorinë e Kurbinit. Personi i fundit që është bërë publik nga dosja që Martinaj ka takuar është e dashura e tij dhe ish-oficeri i Policisë Jeton Lami. Qyteti i Durrësit rezulton si destinacioni i fundit i Martinajt. Vajza dhe Lami thonë se që nga ai moment nuk kanë pasur më kontakt me Martinajn”, tha mes të tjerash Topalli.
Kujtojmë se Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit të vitit 2022 dhe që prej asaj dite nuk ka më asnjë të dhënë për të.
Komente












