Me refrenin për dorëheqjen e kryeministrit, e para që mori fjalën ishte banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj. Ajo tha se thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” ua kanë prishur gjumin shefit të qeverisë dhe kryetarit të PD dhe s’duhet të sprapsen nga qëllimi i tyre.

“Ia paraqesim kërkesat kryeministrit! Dorëhiqu! Na tha se janë 2000 vetë, unë nuk arrij t’i numëroj, por 2000 nuk më dukeni! Shumë më shumë! E gjithë rinia shqiptare është në shesh sonte! Na vjen keq që jua kemi prishur gjumin si kryeministrit, si atij që pretendon që drejton opozitën. E mira e kësaj proteste është që shqiptarët janë bërë bashkë prë ta shpëtuar shtetin shqiptar nga mafia e kapur, nga të gjitha padrejtësitë. Bashkëmoshatarët tanë s’kanë gjetur meritokracinë për të pasur një jetë dinjitoze. Ne jemi më të fortë se kurrë për ta bërë Shqipërinë për të jetuar me dinjitet në këtë shtet. Ne jemi këtu pa parti politike. thirrja “Rama në burg, Berisha në burg” ua ka prishur gjumin fare këtë kohë, por cilësia e jetës sonë është më e rëndësishme se gjumi i tyre. Sot është dita për një Shqipëri të re, për një Shqipëri dinjitoze! Sot është dita që ne të mos tërhiqemi nga sheshi pa u tërhequr ata që na kanë marrë peng prej 35 vitesh!”, tha Kokaj.

Vëmendjen e ktheu edhe te Rrjolli, për të cilin banorët protestojnë prej muajsh kundër ndërtimit të resortit të botuesit dhe ndërtuesit pranë familjes Berisha, Bashkim Ulajt. Kokaj tha se Rrjolli është zonë e mbrojtur dhe ndërtimi atje do të shkatërrojnë kanalet ekologjike. Gjithashtu tha se vendosja e telave me gjemba nuk do t’i shpërqendrojë banorët nga kauza e dorëheqjes së qeverisë.

“Rrjolli nuk është kundër zhvillimeve dhe investimeve, por kundër grabitjes së pronës. Për gjithë ambientalistët, është shumë e qartë që Rrjolli është zonë e mbrojtur, zonë ekologjike e rëndësishme. Ai resort që po ndërtohet sot në Rrjoll do të bllokojë kanalet ekologjike të shumë shpendëve, ndaj është pikë shumë e rëndësishme. Shteti shqiptar, përderisa është bërë pjesë e konventave ndërkombëtare, duhet t’i respektojë dhe s’mund të ndërtojë aty. Kam një lajm shumë të keq për gjithë rrjollorët që janë zgjuar me tokën e rrethuar nga telat me gjemba. Rrjolli do të shpëtojë ditën që Shqipëria do të shpëtojë. Ju bëj thirrje që të suportoni edhe Rrjollin këto ditë, që të hiqen telat me gjemba! S’duhet të harrojmë fokusin kryesor që është dorëheqja e kësaj qeverie!”, tha Kokaj.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Protesta për Zvërnecin, qytetarët thirrje për dorëheqjen e Ramës para kryeministrisë: Qeveri tranzitore! Intelektualë, formoni front politik!