TIRANE - Gjatë një ceremonie të zhvilluar në ministrinë e financave në praninë edhe të ambasadorit Italian Masimo Gajani, janë shpallur projektet fituese të programit të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA). Ministri i financave Shkëlqim Cani, tha se ky program realizon financimin e projekteve në arsim, turizëm e shëndetësi. Nga 36 projekte Cani tha se janë miratuar 6 prej tyre, ku i pari me pikët maksimale është i ministrisë së shëndetësisë, për të vijuar me atë të arsimit, e inovacionit etj.

 “Programi Italo – Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), të cilin kam kënaqësinë ta bashkudhëheq me Ambasadorin Gaiani, është një nga shembujt më konkret se si vullneti i mirë i dy qeverive mund të sjellë ndryshime reale”, tha ministri Cani.

Ministri  vlerësoi gjithashtu IADSA si “një nga programet me efikasitet më të lartë”, këtë program, duke shtuar se “ndryshe nga herët e tjera dhe, kryesisht për shkak të reformës territoriale, këtë herë thirrja ishte e hapur vetëm për ministritë dhe agjencitë qeveritare” dhe se “projektet e financuara i përgjigjen nevojave konkrete të target grupeve të caktuara dhe janë në linjë me strategjitë zhvillimore të qeverisë shqiptare”.

Nga ana e tij ambasadori Italian Masimo Gajani, tha se në 3 vitet e fundit, janë shpallur 24 projekte, me vlerë 11,5 milion euro, që shkojnë për të mirën e komunitetit por duke parë suksesin e këtij program qeveria italiane ka ofruar edhe 20 milion euro, duke e çuar shifrën në total 40 milion euro. 

“Jemi shumë të kënaqur dhe mund të themi se kanë filluar negociatat për të zëvendësuar marrëveshjen mes dy qeverive, duke i shtuar edhe 20 milion euro të tjera, çfarë e çon shumën në total në 40 milion euro. Projekte në pjesën më të madhe përfshijnë arsimin profesional, shëndetësia, zhvillimi zonëve rurale për rritjen e punësimit apo edhe mbështetja e turizmit të qëndrueshëm. Janë 2,5 milion euro shtesë që shkojnë në mbështetje të projekteve të ministrive shqiptare”, u shpreh Gaiani. 

Programi i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Italo-Shqiptar përfshin një instrument inovativ financimi, Programin e Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), e cila ka për qëllim të mbështesë zbatimin e projekteve në sektorin social, propozuar nga institucionet përkatëse Publike Shqiptare dhe të seleksionuar bashkarish nga të dyja palët në kuadrin e Programit italo-Shqiptar të Asistencës për Zhvillim.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)