Mijëra qytetarë kanë marshuar në heshtje në qendër të Krakowit, në Poloni, në nderim të gjashtë personave që humbën jetën dhe të plagosurve nga sulmi me armë zjarri gjatë fundjavës. Në marshimin përkujtimor morën pjesë edhe presidenti Karol Nawrocki dhe kryeministri Donald Tusk, të cilët lanë mënjanë përplasjet e tyre politike për t'u bashkuar në homazhet për viktimat. Në sheshin historik të qytetit, qytetarët vendosën lule dhe qirinj në vendet ku ndodhën vrasjet, ndërsa nga kulla u dëgjua tingulli i një borie tradicionale.
Autori i dyshuar i sulmit është identifikuar nga mediat vendase si 24-vjeçari Michal Oksinski. Ai mbeti i plagosur rëndë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë dhe ndërroi jetë në spital të hënën. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se kishte vrarë më parë prindërit dhe motrën e tij në banesën familjare, përpara se të udhëtonte rreth 200 kilometra drejt Krakowit, ku vijoi sulmin.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, autoritetet gjetën katër armë zjarri dhe qindra fishekë, të cilat dyshohet se ishin në pronësi të ligjshme të 24-vjeçarit dhe babait të tij. Hetuesit po analizojnë gjithashtu pajisjet elektronike dhe simbolet e gjetura në veshjet e tij. Fillimisht, ministri i Brendshëm pretendoi se sulmuesi ishte i motivuar nga ide ekstremiste të së djathtës, por Prokuroria ka deklaruar se është ende herët për të përcaktuar nëse ai ishte frymëzuar nga ndonjë ideologji.
Qirinj dhe lule janë vendosur në shesh, në vendet ku humbën jetën viktimat
Për këtë çështje ka reaguar edhe Pawel Musialek nga Universiteti Jagiellonian, i cili kritikoi deklaratat e nxituara të ministrit.
“Ministri donte të fitonte pikë politike në vend. Kjo nuk është sjellje e përgjegjshme”, u shpreh ai, duke shtuar se deri tani nuk ka prova të qarta se 24-vjeçari kishte një motivim të fortë ideologjik.
Sulmi ka tronditur thellë Poloninë, një vend që njihet për sigurinë dhe nivelin e ulët të kriminalitetit. Një nga viktimat e identifikuara është një piktore polake rreth të 50-ave, nënë e katër fëmijëve, e cila ndodhej në qytet për hapjen e një ekspozite. Mes viktimave ka edhe një shtetas britanik dhe një austriak, identitetet e të cilëve nuk janë bërë ende publike. Disa drejtues të karrocave turistike me kuaj mbetën gjithashtu të plagosur rëndë.
Dëshmitarët kanë treguar momentet e tmerrit gjatë sulmit. Olha, një shtetase ukrainase që jeton në Krakow pasi u largua nga vendi i saj për shkak të luftës, tregoi se njerëzit u futën me nxitim në dyqanin ku ajo punon për t'i shpëtuar sulmuesit.
“Ne u larguam nga vendi ynë për të gjetur siguri. Ky duhej të ishte një vend i sigurt!”, u shpreh ajo, duke shtuar se ngjarja ka shkaktuar frikë dhe pasiguri te banorët.
Ndërkohë, në vendin ku policia ndaloi automjetin e autorit të dyshuar, qytetarët kanë vendosur lule edhe në nderim të efektivëve të plagosur. Njëri prej tyre, Jakub Kulik, u qëllua në gjoks dhe vijon të jetë në gjendje të rëndë. Një qytetare e quajtur Ania e cilësoi atë hero për ndërhyrjen e tij: “Ky njeri ishte një hero i vërtetë, nuk hezitoi. Jemi këtu për ta ndihmuar të luftojë për jetën”.
Pas ngjarjes, qeveria polake ka njoftuar një rishikim urgjent të kritereve për pajisjen e qytetarëve me armë zjarri, përfshirë kontrollet psikologjike. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet e sulmit dhe rrethanat që çuan në tragjedinë që tronditi vendin./BBC











Komente
Komento