“Dua të shkruaj historinë e PSG-së”. Mauro Icardi është gjithmonë e më i dashuruar me ngjyrat e ekipit francez dhe në një intervistë dhënë për kanalet zyrtare të klubit flet për objektivat dhe ambiciet e tij. Mauro është bërë lojtari që më shpejt se të gjithë ka shënuar 10 gola me fanellën e PSG-së duke kaluar edhe Zlatan Ibrahimoviç.
Argjentinasi deklaron:” Është krenari që të bësh historinë e një ekipi si PSG-ja. Unë kërkoj gjithmonë të jem i përgatitur dhe të jem një zgjedhje e shokëve të skuadrës me lëvizjet që bëj në fushë. Në skuadër ne kemi shumë lojtarë me cilësi të mira ndërsa unë lëviz shumë në majën e sulmit për të krijuar hapësira”.
Ish-sulmuesi i Interit që hapat e parë i ka hedhur tek Barcelona flet edhe për eksperiencat e kaluara:”Në Barcelonë kam mësuar shumë në aspektin teknik e taktik pasi filozofia e lojës është shumë e fortë. Kjo më ka ndihmuar shumë në Itali në mënyrën e të kuptuarit të lojës” mbyll rrëfimin e tij argjentinasi./Përgatiti Andi Kapxhiu