FRANCË - Policia franceze arrestoi më shumë se 280 persona në Paris mbrëmjen e të shtunës dhe mëngjesin e të dielës, pasi shpërthyen përplasje të dhunshme mes tifozëve dhe policisë kur mijëra njerëz dolën në rrugë për të festuar fitoren e Paris Saint Germain (PSG) në finalen e Champions League kundër Arsenalit.
Rreth 22,000 policë u angazhuan në të gjithë Francën për ndeshjen, përfshirë 8,000 në Paris, pasi edhe fitorja e PSG-së në këtë kompeticion vitin e kaluar ishte shoqëruar me trazira. Linjat e tramvajit në Paris u pezulluan, disa stacione metroje u mbyllën dhe qarkullimi i autobusëve u ndërpre në disa zona për të minimizuar incidentet.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, 416 persona u ndaluan në të gjithë vendin, nga të cilët 283 në Paris. Nuk ishte menjëherë e qartë se sa prej tyre do të mbaheshin në paraburgim për hetime të mëtejshme.
Problems in Paris pic.twitter.com/KOU8r5UF4S
— Elon Musk (@elonmusk) May 31, 2026
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, tha se shtatë efektivë policie u plagosën dhe i cilësoi trazirat si “absolutisht të papranueshme”.
Gjatë incidenteve u dëmtuan gjashtë automjete dhe dy biznese.
Një grup tifozësh në Paris pushtoi gjithashtu rrugën e njohur si “Périphérique”, duke bllokuar përkohësisht trafikun dhe duke ndezur flakadanë, sipas një fotoreporteri të AFP-së.
Ndërsa tifozët festonin fitoren dramatike me penallti në Budapest, rreth 20,000 persona u mblodhën në bulevardin e famshëm Champs-Élysées, njoftoi policia.
Shumë dyqane kishin mbuluar vitrinat e tyre para ndeshjes për të shmangur përsëritjen e incidenteve të vitit të kaluar, kur grupe të rinjsh plaçkitën dyqane në Champs-Élysées dhe rrugë të tjera të qytetit. Atëherë u arrestuan qindra persona.
Gjatë së shtunës, policia sekuestroi rreth 24 flakadanë dhe afro 100 fishekzjarre, ndërsa një stacion autobusi pranë Champs-Élysées u shkatërrua.
Ndeshja u zhvillua në një mbrëmje shumë të ngarkuar për Parisin, ku këngëtarja Aya Nakamura performonte në Stade de France, reperi Damso në Paris La Défense Arena, ndërsa turneu French Open ishte në zhvillim.
❗️?? #Paris has turned into a warzone.
— World Wide Leak (@leaklive1) May 30, 2026
Thousands of #PSG fans are currently ravaging through the city - bizarrely, this is them celebrating because their team won. Smoke grenades, flares, & all out chaos in the city of love. pic.twitter.com/LUeoOm1Yxd
Policia tha se një furrë buke dhe një restorant u dëmtuan pranë stadiumit ‘Parku i Princave, ku mbi 40 mijë tifozë ndoqën ndeshjen brenda stadiumit. Ndërkohë, 4,000 deri në 5,000 persona qëndronin jashtë dhe hodhën sende të forta ndaj forcave të rendit.
Rreth 150 persona tentuan të hynin në stadium përmes një prej hyrjeve, por u zmbrapsën nga policia. Disa të tjerë u përpoqën të ngrinin barrikada me biçikleta me qira, të cilat më pas u hoqën nga forcat e rendit.
Një gazetar i AFP-së në vendngjarje raportoi përplasje mes policisë dhe tifozëve pranë stadiumit. Policia përdori gaz lotsjellës pasi ndaj saj u hodhën fishekzjarre.
Pamjet e dhunës shkaktuan reagime të forta nga e djathta franceze. Marine Le Pen, shkroi në rrjetet sociale se: “Vetëm në Francë fitorja e një klubi futbolli shkakton trazira.”
Ajo shtoi se “vetëm në Francë njerëzit ndihen të detyruar të mbyllen në shtëpitë e tyre në mbrëmjen e një fitoreje për të shmangur përballjen me dhunën”.
Nga ana tjetër, ministri Nunez deklaroi se autoritetet kishin ngritur një sistem shumë të fortë sigurie për të frenuar dhunën.
“Përgjegjësia jonë është të garantojmë që të gjithë të festojnë në një atmosferë festive, të qetë dhe plotësisht të sigurt”, tha një zëdhënës i policisë.
Të dielën (sot), lojtarët e PSG-së pritet të marrin pjesë në një paradë në zonën Champ-de-Mars, përballë Kullës Eiffel, ku priten rreth 100,000 persona. Më pas ata do të priten nga presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée.
Komente





