Ndërsa furtuna “Panama Papers” ka turbulluar politikën e Tiranës, avokat Idajet Beqiri ka artikuluar një akuzë bombë në adresë të Sali Berishës. Idajet Beqiri akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha dhe rrethin e tij se i kanë kthyer shtëpitë në mini-banka, duke i mbushur me paratë që u kanë grabitur shqiptarëve. Për Shqiptarja.com, Idajet Beqiri thekson se, banda e Berishës i ka fshehur paratë në Zvicër, Luksemburg, Qipro, deri në Austri dhe Itali.

Por, sipas tij, Berisha e ka kthyer edhe shtëpinë në një mini bankë. Beqiri ka zbardhur tre rrugët e fshehjes së parave, konkretisht në shtëpi, në bankat e huaja dhe në depo të posaçme. “Banda kriminale që ka krijuar gjatë këtyre 25 vjetëve Berisha është e paparë. Pisllëqet më të mëdha të korrupsionit dhe hajdutërisë në kurriz të popullit dhe të pasurive kombëtare i kanë fshehur jo vetëm në Shtetet ishuj, por edhe në bankat e Botës. Kryesisht në Zvicër, Luksemburg, në Qipro, madje edhe në Austri e Itali. Po kënaqin sistemin financiar bankar të botës me shumat marramendëse të parave të depozituara. Por edhe shtëpitë e tyre janë kthyer në mini banka. Berisha dhe grupi i tij kanë kthyer shtëpitë në mini banka me paratë e grabitura”, tha Beqiri.

Paratë e vjedhura  
Sipas avokatit, sasia e parave të fshehura është e paimagjinueshme. “Në Shqipëri, për fatin e keq, me ish kryeministrin Berisha që kishim si dhe me zyrtarët e lartë të tij, krimi, korrupsioni, mashtrimi, banditizmi,  terrorizmi,  u ngritën në sistem. Paraja e madhe që krijuan këta banditë përmes plaçkitjeve të shqiptarëve dhe të pasurive kombëtare të krijuara me gjakun e tyre, u përdor pa hezitim jo vetëm për orgji, jo vetëm që të lulëzonte krimi i organizuar me pagesë, jo vetëm për të grabitur si pa gjë të keq votat dhe pushtetin, por edhe çuan sasira të  paimagjinueshme parash dhe ari në bankat e ndryshme të botës së ishujve me qëllim që të kenë vazhdimësi në mbajtjen peng të vendit prej bandës vandalo-kriminale të Berishës”, pohoi Beqiri.

Depo të posaçme
Avokat Idajet Beqiri thotë se, njerëzit e Berishës kanë bërë edhe depo të posaçme, ku mbajnë milionat. “Depo të posaçme kanë bërë, ku mbajnë të varrosura milionat e parave të pista të korrupsionit të shfrenuar që bëjnë! U është mbushur shtëpia me erën e parave të ndenjura! Sado që i qarkullojnë, duke i harxhuar si mallin pa zot, përsëri as vet nuk e dinë se sa kanë të stivosura. Një shtet i mirëfilltë ligjor i nxjerr shpejtë dhe mirë petët e lakrorit të korrupsionit të tyre. Deri më sot ky shtet nuk ka ekzistuar, ka mbetur fiksion dhe ëndërr. Por po shohim me optimizëm se po frynë era e pastrimit të qiellit të errët shqiptar”, pohoi ai.

Ndëshkueshmëria
Idajet Beqiri ka pohuar se në Shqipëri po vjen klima e ndëshkueshmërisë. Madje, Idajet Beqiri paralajmëron se Sali Berishën shumë shpjet do ta shohim në burg. “Thika nga korrupsioni dhe anti-ligji në Shqipëri i është ngulur dhe po u ngulet edhe faktorëve ndërkombëtar, atyre që janë të interesuar për stabilitetin e Shqipërisë. Dhe ata kanë filluar të lëvizin në drejtimin e duhur. Edhe faktor të rëndësishëm shqiptar po ecin në gjurmët e tyre. Ky është ogur i mirë dhe çdo ditë që vjen po e krijon klimën e ndëshkueshmërisë, për rrjedhojë shpejt, madje shumë shpejt kryebanditin antishqiptar Berisha do e shohim në një burg të sigurisë së lartë”, ka theksuar Beqiri.
 
Fatos Klosi
Një ditë më parë, Fatos Klosi tha se Sali Berisha është i përfshirë tashmë në dosjen e parajsës fiskale, ndërsa solli në kujtesë kontrabandën e naftës me Malin e Zi, kontrabandë kjo e pranuar nga Berisha.
 
Opozita
Opozita shqiptare, rreth të cilës janë ngritur shumë dyshime, ka thyer heshtjen në raport me skandalin “Panama”. Pas Bashës dhe Bylykbashit, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Sali Berisha.
 
 
 
Reagimi

Ekonomi: Po hetojmë kompanitë e dyshimt
a
Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi ka deklaruar dje se Agjencia e Trajtimi të Koncesioneve, po heton kompanitë për të cilat ka indice për përfshirjen në parajsat fiskale të zbuluara nga dokumentet e “Panama Papers”. E pyetur nëse po hetohet vetëm GTI, apo edhe kompani të tjera koncesionare, Ekonomi u përgjigj se po hetohet për të gjitha që ka indice. “Unë nuk mund t’ju jap akoma një informacion për sa kohë investigimi vazhdon, por sapo të kemi një lajm zyrtar keni për ta marrë menjëherë.

Personalisht jam pjesë e një grupi që po bën të gjithë këtë kërkim dhe jemi duke u marrë me këtë kërkim”, tha ajo. E pyetur nëse ky grup kërkimi është ngritur vetëm nga Ministria e Ekonomisë, Ekonomi tha se kjo çështje e tejkalon ministrinë. “Kjo është një çështje që është më shumë se sa ministria jonë. I takon të gjithë ministrive që kanë qenë të përfshira në këtë gjë”, tha ajo.
 
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)