Protestës i janë bashkuar edhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, si dhe përfaqësues të shumtë të kësaj force politike. Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, i është përgjigjur me tone të Greqisë, e cila bëri presion që të hiqet emri i Çamërisë nga tekstet shkollore dhe hartat gjeografike. Idrizi tha se nuk ka lindur ende ai burrë apo grua që të heqë këtë emër, duke shtuar se Çamëria është gjallë dhe çamët janë në këmbë.
“Nuk ka lindur ende ai burrë apo grua që ta heqë emrin e Çamërisë. Çamëria është gjallë, ne jemi në këmbë. Nuk mundemi dot të na kërcënojë një vend si Greqia me veto, kjo do të thotë arrogancë. Kemi të gjithë forcën për t’i thënë që për ne shqiptarët dielli lind nga perëndimi”, tha Idrizi.
Më tej, ai komentoi marrëveshjen mes dy vendeve, duke thënë se nuk mund të negociohet integriteti i Shqipërisë, dhe se deti, toka, atdheu, varrezat janë amanet nga Zoti ndaj dhe duhet t’iu transmetohen brezave.
"Ne kërkojmë atdheun dhe atdheu jonë është Çamëria. I bëj thirrje popullit grek, kryeministrit të Greqisë: Ne shqiptarët e Çamërisë nuk kërkojmë të ndryshojmë kufijtë, por një ndjesë për të falur, që dy popujt të jetojnë si popuj miq. Populli grek të na pranojë në shtëpitë dhe vatrat tona. Gjithmonë do të na kenë përballë, të fortë, në këmbë.
I drejtohem Presidentit të Greqisë, na flet për të drejtat e njeriut, ndërkohë që nuk kam parë asnjë shqiptarë t’i japë përgjigje. Na flet për të drejtat, kur vendi i tij ka përzënë të gjithë komunitetit, nuk ka firmosur as konventën për të drejtat e minoriteteve. Për të nuk vlen e drejta e jetës, e përkujtimit, e varrezave, e minoritetit, e shkollimit. Më duhet t’i kujtoj sot Ramës, Bushatit, Bashës: Bënë varrezat e ushtarëve të rënë në territorin e Shqipërisë, që erdhën si pushtues. Gjermania naziste po hynte në Greqi dhe ushtarët grekë rrinin në trojet shqiptare. Zoti do drejtohet më i drejtë seç po tregohet i gjithë ky soj.
Ne jemi këtu edhe për të gjithë ato që përbëjnë identitetin e çdo shqiptari. Deti, toka, atdheu, varrezat nuk janë të pushtetarëve, por amanet nga Zoti, që ne duhet t’ia transmetojmë brezave. Ne nuk mund të negociojmë integritetin e Shqipërisë, por duhet ta ruajmë atë. Ne duam një marrëveshje, që të zgjidhen problemet mes dy vendeve, por ne duam një marrëveshje që të zgjidhen jo vetëm yshtjet që ka Greqia me Shqipërinë", shtoi kreu i PDIU.
[gallery]25645[/gallery]
Një deklaratë e fortë ka ardhur dhe nga ish-deputeti i PDIU, Tahir Muhedini, i cili e quajti ‘plak të rrjedhur’ Presidentin grek, referuar presionit se fjala ‘Çamëri’ duhet të fshihet nga librat, duke thënë se kjo fjalë nuk mund të shuhet.
“Deklaratat e Presidentit grek janë të një të moshuari të rrjedhur. Fjala ‘Çamëri’ nuk mund të shuhet nga historia. Politika shqiptare dhe qeveria janë servilë, shohin vetëm interesat e tyre. Varreza në Çamëri për mijëra çamë të vrarë në gjenocid. Varreza imagjinare për grekët në Shqipëri. Negociatat enigmatike e të mbyllura, ne nuk kemi Ministri të Jashtme”, tha ish-deputeti Muhedini.
Protestës i janë bashkuar edhe shumë qytetarë nga i gjithë vendi. Njëri prej tyre vinte nga Shkodra dhe për mikrofonin e Report Tv tha se po proteston për të drejtat e shqiptarëve.
Qytetari nga Skodra: Vij nga Shkodra, me shumë kënaqësi kam ardhur këtu për të protestuar për të drejtat e Çamërisë. Jam shkodran, kurse nënën e kam nga Rozhaja. Sot protestoj për të drejtat e shqiptarëve.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO








