Trajneri Massimiliano Allegri po tregohet i kujdesshëm, por Milani duket se e ka siguruar një vend në Champions League edicionin që vjen. Për këtë kuqezinjtë po punojnë në merkato për afrime të reja në ekip dhe fokusi është në mesin e fushës.

Mediet në Itali bëjnë me dije se ëndrra e Milanit është mesfushori Leon Goretzka. 31-vjeçari i cili ka qenë pjesë e Bayern Munich që prej verës së vitit 2018 do largohet në fundin e këtij sezoni dhe drejtori sportiv Igli Tare kërkon ta bindë për t'u bashkuar me Milanin. Kontaktet mes palëve duket se kanë nisur, por edhe Juventusi është futur në garë për mesfushorin që përfiton 18 milionë euro pagë bruto në sezon. Milani dëshiron ta bindë gjermanin me një kontratë tre vjeçare dhe një pagë 5 milionë euro në sezon.

Alternativa do të ishin Ismael Kone i Sassuolos, i cili ka pasur një sezon shumë bindës deri më tani (5 gola në 26 paraqitje) në vitin e tij të parë në Itali, por kuqezinjtë po monitorojnë edhe opsione të tjera, të tilla si  André nga Corinthias, i lindur në vitin 2006, i cili dukej afër nënshkrimit për 15 milionë euro plus 2 milionë euro në bonuse përpara se klubi nga Sao Paulo të tërhiqej. Fofana dhe Loftus-Cheek mund të jenë ata që po përgatisin valixhet e tyre.

Rafa Leao në shitje - Një pjesë e buxhetit të ardhshëm, përveç kualifikimit për në Champions League, mund të vijë nga tregu i transferimeve, konkretisht nga Rafael Leao, të cilin kuqezinjtë kanë vendosur ta shesin pas një sezoni të vështirë në përgjithësi. Kontrata e portugezit përfshin një klauzolë lirimi prej 175 milionë eurosh, por padyshim që ky është një vlerësim jashtë tregut dhe askush nuk do të paraqesë një ofertë kaq të lartë. Pritet të shihet se me çfarë shume do bindet Milani.