Dështimet e disa lojtarëve të afruar në merkato mund t’i kushtojnë postin drejtorit sportiv të Milanit Leonardo. Klubi ndodhet në mbikëqyrje të rreptë nga UEFA për financat dhe zhgënjimet si Higuain e Laxalt nuk janë pritur mirë nga grupi amerikan, që synim parësor ka barazimin e bilanceve.
Për këtë arsye sipas mediave në Itali klubi po mendon zëvendësimin e Leonardo-s me drejtorin sportiv të Lille, Luis Kampos, një profil që vlerësohet shumë nga Ivan Gazidis. Kampos ka shumë eksperiencë dhe vlerësohet për zbulim dhe afrimin e Kylian Mbappe te Monaco si dhe firmosjen me dy lojtarë të talentuar si Nicholas Pepe e Jonathan Bampa.
Gjithsesi sipas ‘calciomercato.com’ Igli Tare është idea tjetër e fondit ‘Elliot’. Drejtori sportiv i Lazio vlerësohet shumë për atë që ka bërë në kryeqytetin italian, por për të firmosur me të ka dy pengesa jo të vogla. E para është kontrata e gjatë që shqiptari ka me Lazio-n dhe e dyta lidhja e fortë e tij me presidentin Lotitto. Për momentin ende nuk dihet se si do të veprojë Milan, por gjithçka do të varet nëse do kualifikohet në ‘Champions’ për sezonin e ardhshëm apo jo.