Vajza e Dritëro Agollit, Elona në ditën e lindjes së vëllait, Artanit ka bërë një postim mjaft prekës. Pasi përshkruan rrugëtimin nga momenti i vendosjes së emrit, shkrimet e tij të para dhe udhëtimet, ajo flet edhe për largimin e tij nga Shqipëria.
"Rinia të erdhi e trazuar. Vite te dhunshme. tronditje, shkundje sistemesh, shembje e kulturave dhe standarteve të komunikimit shoqëror. Vuaje deri natën vonë ulërimat dhe sharjet histerike ndaj babit. Prekeshe shumë, ishe i ndjeshem".
Me dhimbje, Elona thotë se 'Ishim përgatitur të festonim këtë 50 -vjetor tëndin, të gjithë së bashku, të gëzonim mamin e të ngrinim dolli. Por mami na la. Nuk priti dot, shkoi pranë babit" shkruan ajo, ndërsa ka publikuar edhe dy foto të vëllait me të atin.
Sadije Agolli u nda nga jeta në 26 shkurt të këtij viti, ndërsa në shkurt të dy viteve më parë u shua edhe shkrimtari i madh, Dritëro Agolli në moshën 85-vjeçare.
Postimi i plotë i Elona Agollit
13 Mars
Tanit, vëllait tim,
Babi të thërriste përherë Artan, nuk i pëlqente të shkurtonte emrin. Dhe emri yt i bukur e ka një histori, histori e lidhur me një miqësi te fortë të prindërve tanë me Xhaxhi Endrin (siç e thërrisnim fëmijë Endri Kekon) dhe teta Xhanon (Xhanfize Keko). Atë ditë që linde ti babi shkruante poezinë “Vëllai“ (Një njeri te vockël mamit se kush ja dha, te vockël sa s’qëndron dot në këmbë; Babi thotë se është tri pëllëmbë e ca, Po ç’ne ! Nuk është as dy pëllëmbë! ....) Atë ditë, gjyshja ime e mençur, Xhexheja, fluturonte nga gëzimi dhe kurorëzim të këtij shendi kishte vënien e emrit. Dhe ajo duhej t’i paraprinte “dinastisë shkodrane“, siç e quante me të qeshur fisin e mamit . "Shpejt Endri, t’i vemë emrin djalit, se na takon neve, apo jo?”-Epo ta gëzojë, Artani emrin. Xhaxhi Endri e kishte në mend dhe menjeherë ai nuk e bëri dysh fjalën e gjyshes sonë dinake e të mençur.
Kështu vëllai im, u rritëm fëmijë të gëzuar, me prindër të rrallë, ( disi edhe na mungonin pasi dashuria për ne kishte nje konkurrent të madh, dashurinë për krijimin, poezinë letersinë). Orët e pagjuma të babit i ndjenim përmes trak trukut të makinës së shkrimit, përmes mjegullit të dendur te tymnajës së cigares (oxhaktore e madhe do duhej-thoje shpesh, që të thithte tërë këtë tym). Frymëzoheshe i vogël duke parë babin e nise të shkruaje dhe ti. Fletoret i fshihje pasi kishe ndroje nga babi autoritar. Poezitë e tua qarkullonin dorë më dorë e mësoheshin përmendësh nga shokët e tu.
Ishe i talentuar vëllai im, por nuk të pëlqente asnjēherë të ishe hije e pemës së madhe e të harlisur, hije e babit tënd. Ishe edhe rebel, i thoje hapur pakënaqësitë e jo pak herë ke provuar qortime edhe të rënda nga babi. Duhej të rriteshe edhe më, që të flisje e mirëkuptoheshe hapur fare, me babin. U bëtë shokë më pas. Kur babi shkonte jashtë Tirane, në rastet kur mami nuk e shoqëronte, shkoje ti. I mban mend Dajtin, Shëngjinin,Velipojën, Dhërmiun, Vlorën, aty ku babi shkruante apo përfundonte veprat e nisura?
Rinia të erdhi e trazuar. Vite te dhunshme. tronditje, shkundje sistemesh, shembje e kulturave dhe standarteve të komunikimit shoqëror. Vuaje deri natën vonë ulërimat dhe sharjet histerike ndaj babit. Prekeshe shumë, ishe i ndjeshem, dhe zgjodhe të largoheshe. Kalove si shumë të tjerë vite të vështira larg familjes. Letrat e mamit ishin tê panumërta: poezitë e babit po ashtu (Mbase kujtohet im bir arratisur në botë, Dhe prish heshtjen e dhjamur mbi telefon! Ah, kjo cigare që pi është e fortë, E ndiej kur në gjoks më shtrëngon- poezia Pritja). Edhe motra vuante largësinë e vëllait. Kaluan vite, krijove familje, përjetove dhimbjen e humbjes së babit, e atë që nuk e kishe menduar kurrë, edhe largimin nga jeta të mamit.
Ishim përgatitur të festonim këtë 50 -vjetor tëndin, të gjithë së bashku, të gëzonim mamin e të ngrinim dolli. Por mami na la. Nuk priti dot, shkoi pranë babit ; “Jeni bashkë, duajeni njëri-tjetrin, mos u ndani kurrë ne dhimbje e në gëzim “-kështu na këshillonte ngaherē. Vēllai im, motra të do fort. Bashkë do vijojmë të përmbushim ato pengje e amanete te prindërve. Bashkë do luftojmë që emri i prindërve tanë të kujtohet ngaherë. Gëzuar datëlindjen, vëllai im. Numri 13 për ne është fatsjellës pasi festojmë dy data të shënuara, datëlindjen tënde në pranverë dhe datëlindjen e babit në vjeshtë. Rrofsh vëllai im.
Lavdi per jete Njeriut Gjenial e qe i fillon emri me NJ te Madhe. Ti Ishe dhe Je i Pavdekshem, si njeri e si shkrimtar. Legjenda e popullit shqiptar ne shekuj e ne jete te jeteve. Je i Paharruar o i Madhi Dritero AGOLLI.
Përgjigju