Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990.
Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Një ditë, kah mueji i nandorit të vjetit 1950, në orën 12ºº, më thirrte përgjegjësi i arsimit, Muhamet Uruçi, një podgoriçan me origjinë, në zyrën e vet në prefecture, për të më thanë: “Zef, do të ngrehim një kurs kundër analfabetizmit, në burg politik. Janë caktue tre mësues. Edhe ti njeni ndër ata. Pushteti ka besim n’ ty”. Unë, i vorfëni, i kisha dyert e hapuna. Këta kujtojshin se më kishin të vetin. Më erdhi ky lajm i papritun. Nuk kishte si me më pëlqye, të shkojsha me dhanë mësim në këte vend. Mendojsha se mos kujton kush keq për mue. Por unë isha krejt i pastër, vërtetë i pastër. Kjo dhanie mësimi në burgun politik të Shkodrës, do të më zgjaste dy vjet. Burgu i Shkodrës, si ndërtesë, vinte mbas prefekturës: dy ndërtesa ekstreme. Prefektura ishte e bukur, kurse burgu, ishte një ndërtesë që trishtonte e tash e tmerronte qytetin, megjithëse ishte në shmang të saj.
Një karakoll shihej përherë edhe roja në të hymë. Ajo ndërtesë e zymtë, kishte pritë radhë mbas radhe fajtorët ordinerë: ata që kishin vjedhë, kishin plagosë, kishin vra, që kishin ba faje. Ngjyra e asaj ndërtese, përherë me një bardhësi, jepte një dritë të keqe, ma fort ditën se natën, pse edhe rrezet e diellit, kur natën në disa vende, janë shumë të përmallshme e në një ditë me ri të randë, të dukej kjo ndërtesë si një vorr i madh, ku eshtënt kanë dalë në sipërfaqe. Mbasi çilej dera e parë e burgut, hyhej në oborr e shkohej drejt derës tjetër me hekur. Atëherë delsha në hajatin me çimento, që kishte një trumbë në mes dhe do të gjendeshe para kësaj ndërtese, me dhoma gati të gjitha të mëdha. Hyjsha me kujdes, mbasi më kontrollojshin mirë rojet. Ndër parullat e para që kishte ky pushtet, ishte: “Beso e kontrollo”, thanë nga Stalini i Madh.
Quhej Burgu i madh i Shkodrës, pse kishte edhe burgje ma të vogla, e mbushë me të burgosun politikë. Të gjithë të burgosunit që ishin brendë në këte ndërtesë, kishin një ngjyrë të bardhë të lehtë. Dukeshin si limoj të prishun. Shumë më njihshin dhe i njihsha. Kisha edhe shokët e mi të shkollës. Ishte mbrendë një pjesë e zgjedhun e qytetit, e fushave dhe e maleve. Aty kishte intelektualë, studentë, tregtarë, bajraktarë, oficerë, avoketën, profesorë, të vjetëve të para të regjimit. Poshtë në një dhomë ishin grumbull meshtarë. Ishin afër tridhjetë malësorë e katundarë, që nuk dijshin shkrim as këndim, në këte dhomë. Me këta do të kisha punë unë. Nuk kishte ndonjë dhomë të posaçme. Mësimin e jepshe në dhomën e madhe që kishte numrin 9. Një erë e randë dhe e nxehtë vinte në dhomë edhe në dimën, sepse lëshojshin frymë afër 200 vetë, që rrijshin në dhomë dhe mezi do të kalojsha për t’u gjetë në ballë të murit, se njerëzit rraseshin fort pranë njeni-tjetrit, të shtrimë në rrëgoza e dërrasa. Dritaret e vogla me hekura, nuk të lejshin me pa as një copë qiell. Atëherë nuk sheh as diell, as hanë, as yje, as re.
“Këtu, – më tha, – asht vendi yt i punës”. Isha në ballë të murit ku shpejt u vu edhe një dërrasë e zezë. Iu dhanë këtynë malësoreve e katundarëve, të cilëve u mungonte arsimi, jo mendja, fletore, lapsa, një abetare dhe libër aritmetike, që në faqet e para kishin fytyrën e udhëheqësit, që asht ba të hyjë kudo. Një roje e mbrendshme e burgut, një polic injorant e fort arrogant, – e ashtu ishin të gjithë, – u tha këtyne të mësojshin mirë. “Regjimet e kalueme ju kanë lanë mbrapa, në errësinë. E prej këtyne keni ardhë këtu. Pushteti Popullor ka kujdes për ju, ju ka prue edhe mësuesin”. Mësimi jepej këtu tri herë në javë, mbasdite, rreth një orë e gjysmë mësim, një orë gjuhë shqipe dhe një orë aritmetikë. Kur delsha, burgu më dukej pjesë e qytetit dhe qyteti pjesë e tij. Ishin në të njajtën vijë, por që tash burgu ishte ba madhështor dhe ma i fuqishëm se një kështjell. Këtu kishte zemra luanësh, që banojshin në ndërtesën ma të shquemen, mbas faltoreve.
Letërsia dhe “Njeriu i ri”
Isha mësues në disa shkolla. Nisa të njoh fëmijët, prindët, qytetin. Pushteti Popullor punonte fort për arsimin. Ndërtonte shkolla të reja, banka të mira për klasë, dërgonte mjete mësimore, përpilonte tekste, libra e shkollat me kabinete. Kishte marrë një hov jeta mësimore e, kjo për formimin e “njeriut të ri”, e për shkatërrimin e njeriut të vërtetë. Bazat materiale kundër shpirtnores dhe intektuales. Vetëm një gjuhë e huej mësohej. Në vjetët e para të regjimit, gjuha serbo-kroate e mbas prishjes me Titon mbet vetëm, të tana vjetët e errësinës, gjuha ruse. Gjuhët e tjera për pushtetin, i përkasin reaksionit.
Si mësues letërsie në shtatëvjeçare të ditës dhe të natës me puntorë, nëpunës dhe ushtarakë dhe mbas mbarimit të Institutit të Lartë për Gjuhë e Letërsi me korrespondencë, edhe në shkollën e mesme Tregtare, m’u donte me njohtë letërsinë, përherë e ma tepër. Interpretimet marksiste nuk kishin ndikue për të keq në mue. Nuk kishin hy në mue. Mjaftonte huji im kundër këtyne mësimeve, mos me lanë të pranoj asgja. Providenca më rrinte mbi krye.
Leximet e mia
Në moshën e re, ende fëminore, rreth 13 vjetësh, isha i dhanun mbas leximeve. Shkojsha në bibliotekën e qytetit, një ndërtesë e vogël e rrumbullakët, në një lulishtë përballë “Kafes së Madhe”. Aty lexojsha ‘Pinokun’ në gjuhën shqipe, përkthye aq bukur nga Cuk Simoni. Këte libër e punojshim edhe në shkollë në gjuhën italishte. Aty lexojsha librin ‘Zemra’, të De Amicis, ‘Roza e Tanenburgut’, ‘Gjenovefja e Brabantit’, ‘Muzhiktari i verbët’ e, sa libra tjerë fort të dashun për moshën tonë. Lexojsha në çdo stinë.
Ma se dhjetë vjet, pa ia nda, lexojsha nga letërsia botnore e me radhë nga letërsia klasike greko-romake, që sa vepra ishin përkthye edhe në gjuhën shqipe. Nga ajo e vendeve të ndryshme italiane, franceze, pak gjermane, por pa tjetër Schillerin, Goethen, Heinen e në gjuhën spanjole, Lope de Vega e shkrimtarin e veçantë të të gjitha kohëve, Servantes, me ‘Don Kishotin’ e tij, që e shpjegojsha me pasion në shkollën e mesme Tregtare. Nga letërsia ruse shkëlqente Pushkini, Lermontovi, Turgenievi dhe si një majë kristiane Tolstoi e Dostojevski, që ishte i ndaluem.
M’u donte për kuriozitet dhe për të dhanë mësim edhe letërsia sovjetike, një dekadencë letërsie, si edhe ajo e letërsise socialiste në Shqipëri. Pa tjetër ‘Nanën’ e Gorkit dhe romanin e gjatë e të dalluem të një shkrimtari me fuqi letrare, ‘Doni i qetë’, i Mihajl Shollohovit. Letërsia ruse asht për t’u dashë e admirue, ndër ma të zgjedhunat e botës e, kurr nuk do të më pëlqente ajo sovjetike. Dy shkrimtarë të mëdhaj, po i lexojsha njenin mbas tjetrit e, ishin Viktor Hugoi e Aleksandër Manzoni, që i përkitshin të njajtin shekull e rrymës letrare të shqueme, romantiçizmit.
Pa e dijtë se asht i ndaluem nga Kisha, mora në dorë ‘Të mjerët’. Hygoi nalton fort Ipeshkvin me gabime, që do të sjellë në rrugë të mbarë Zhan Valzhanin. E quejta një fillesë të gabueme romanin ‘Të mjerët’ dhe jo reale. Manzoni kritikon me dhimbje dhe arsye Don Abondin. Pse mendojsha Hugoi me na i dhanë të mjerët në atë formë e’ jo të këqijat si Manzoni? Personazhet fatkëqij të Hugoit’ do të na çojnë te revolucionet që në realitet ma shumë prishin punë’ se godisin. Revolucionin francez e quejta mizuer nga qëllimet, nga përfundimet. Edhe demokracitë e mavonshme, u banë ma të randa se Monarkitë, me fajet e Mbretënve e të Princave.
Nuk merremi me Revolucionin Bolshevik. Ai asht antinjerzuer. Të gjitha krimet e revolucioneve, tue pasë gjak e helm, kanë ma shumë elemente terrori e dhune, e arrijnë në disa liri që janë ma të damshme se shtërngimet. Lexojsha. Ishte një ditë me diell. Disa re të bardha silleshin me qetësi. Sa të bukura duken në këte muej të majit. Edhe të qershorit edhe kur janë lajmëtare të shiut. Lexojsha ‘Të fejuemit’, e Aleksandër Manzonit, përkthye në gjuhën shqipe prej Atë Mark Harapit S. J. Personazhet e romanit, Lucia e Lorenci, kanë një bukuri të rrallë. Fort të naltë, Atë Kristofori e Frederik Borromeu.
E lexova në muej të pranverës, në orët e ditës e të natës me hanë, e pritsha me padurim për të arrijtë fundin. E u arrit në një ditë para festës të Rrëshajve, para ditës që do të vesheshin fëmijët me petka të bardha, për t’u krezmue. Providenca, që asht ideja kryesore e kësaj vepre, asht punë e Shpirtit Shejt. Një vepër shumë e bukur asht ‘Gjenitë e Kristianizmit të Shatobrianit’. E Dante, a nuk i ka ba një analizë jetës e botës, shpirtit njerëzuer e se faktet që gjinden në atë trilogji, janë të rendueme, tue i përkitë gjithçka kohës dhe amëshimit?
Rreth ‘Komedisë hyjnore’, kam ndigjue mësime dhe në Institut. Me këte janë marrë edhe materialistët me mburrje. Asht për të qeshë. Kam qeshë, kur këta fusin hundët në botën e andejshme që nuk e pranojnë. Akuza ma e lehta që mund t’u bahet komunistave, asht anë madhështorë e kokëfortë. E madhështorët vuejnë ma shumë se të përvuejtit. Të përvuejtit nuk kanë shqetësime. Lexojsha shumë veprat e Balzakut e, të dramaturgut anglez, Shekspirit, vëlla i largët me Eskilin. Sa më vrau në zemër Hamleti, nuk do ta vrasë Mbretin, kur asht tue u lutë. Pret një kohë tjetër,kur asht në mëkat, kur ta bjerrë shpirtin. Ide e tmerrshme asht vrasja me humbje shpirti.
Shumë mendime më vijshin vetiu, pa qenë nevoja me i kërkue. Disa largoheshin e vijshin tjerat. Ishte si një hymje e dalje vizitash. Punë e festë në tru. Ishte koha që baheshin shumë përkthime në gjuhën shqipe nga kontinentet e botës. Lexojsha vepra amerikane, nga Xhek London, Heminguej, nga vendet e Amerikës Latine e shumë tjerë. Kisha punë me letërsinë shqipe. E lexova dhe e studiova mbarë e mbarë. Kisha marrë njohuni teorike rreth saj, simbas kritereve marksiste, por dalëngadalë ia shtrojsha një kritike, e isha në gjendje të bajsha e të formojsha idetë e mia.
Zdrala turke e qeverisë
Letërsia fillonte me ‘Formulën e Pagëzimit’ të Imzot Pal Engjëllit. Çfarë kënaqësie kisha për ato kohë të lume të Skanderbeut. Letërsia jonë e vjetër, ishte fetare dhe kombëtare dhe vende-vende edhe artistike, me Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdanin. Janë dritat e para të hershme në kulturën tonë shqiptare. Ishte i pastër binomi “Fe e Atdhe”. Në shkollë zhvilloheshin pjesë që flasin për liri kundër turkut. Turqinë mund ta shajshim. Mbeturinat e tij të forta, jo. Qeveria ishte komuniste, por shumë elementë të saj, kishin zdralën turke.
Duhet të shajshim regjimet anti-popullore, me në krye Mbretin Zog dhe ma fort fashizmin. Shkrimtarit Pashko Vasa, nuk do t’i përmendshin ato strofa që flitshin për Zotin, në manifestin e Rilindjes “Shqipnisë së robnueme”. Randësi kishte për ata ai rresht; “Feja e shqiptarit, asht shqiptaria”. Ndre Mjeden e dojshin pa kristianizëm. Samiu, Naimi e Çajupi, kanë shkrue për Shqipninë, për jetën shqiptare, me dashuni e pasion. Por të gjithë këta të çojshin kah komunizmi, se patën shpirtin e lirisë, pa i kuptue në esencë se liritë e tyne iluministe, çfarë sekuencash siellshin.
Nga ana letrare kanë disa vlera, strofa e poezi, Naimi e Çajupi. E Samiu një prozë të mirë. Por shumë ide të tyne, nuk i kam pëlqye. Nuk duhet të pëlqehen. Samiu asht deist, Naimi, panteist. Çajupi ma shumë ateist. Këta kanë shkrue mirë, për atdhe e për gjuhën shqipe. Por rrymat e tyne kanë frymë turbulluese, se e të çojnë kah materializmi. Ishte një propagandë e madhe, kundër besimit. Nëpër korridoret e shkollave shiheshin parullat; “Feja asht opium për popull”. Mësuesit u thonin nxanësve, se nuk ka Zot. Këte e bajshin sidomos ata që ishin anëtar partie. Të tjerë që ishin ma të vjetër, iu shmangeshin. Unë isha i premë në mendimet e mia të qarta, që edhe shteti i dinte, pse unë shkojsha rregullisht në kishë.
Shkrimtarët tanë të mëdhej, etiketoheshin “reaksionarë”. Ata u nxorën nga lista, e Fishta ma vonë edhe nga vorri. E u luftuen si: Atë Gjergj Fishta, Zef Skiroi, Faik Konica, Ernest Koliqi dhe Monsinjor Vinçenë Prennushi, që njihet si poet qytetar e, një prozator i ambël dhe i qetë. As ky nuk pranohej. Lexojsha fshehtas përkthimet e tij: ‘Quo vadis, Domine’? të Sienkievicit, ‘Fabiolen’ e Vissemanit dhe ‘Burgjet e mia’ të Silvio Pellicos.
Fan Noli asht një shkrimtar i mirë, në prozë e në poezi. ‘Historia e Skanderbeut’, ka një stil të kandshëm e arbnuer. Një përkthim i dorës së parë i kryeveprave, me një bukuri të introdukteve të tyne.
Shkrimtar që kam veçue ishte Fishta, i cili na ka dhanë ambientin, realitetin e kombit, psikologjinë shqiptare. Për qinda vjetësh na ka tregue kush jemi. Edhe Faik Konica, dhe Ernest Koliqi, me materiale të mira, e kanë dhanë këte realitet.
Asdreni e sidomos Lasgush Poradeci, asht një artist në poezi. Kurse Migjenin, jo i patalent, me ato ide kundër Zotit e Qiellit, e kisha në neveri. E mendojsha se njeriu në një pikëpamje, tue qenë aq i vogël, pothuej një asgja, me mohue Krijuesin e vet. Kishim mbërrijtë në epokën e të zezave. Dëgjenerimi socialk hynte në të gjitha pjesët. Kur jepshe mësim, nuk kishte dalë ende Ismail Kadareja. I ndoqa shkrimet e tij. Shkruen bukur: vepra ‘Kështjella’ e një ‘Kronikë në gur’, janë tërheqëse. Edhe ndonjë tjetër. Komunizmi ka idetë e veta që nuk janë të natyrshme. Kurse letërsia asht e natyrshme.
Komunizmi ka gjithçka me dhunë e atëherë, gjithçka asht artificiale. Nuk mungojnë talentet as në këte kohë, por këto janë të sforcueme dhe të shtime, si sa vepra të Kadaresë dhe ‘Nënë Shqipëri’ e Dritëro Agollit. Shkrimtarët e kohës dhe bukuritë e natyrës, duen t’i lidhin me bukuritë e jetës së kooperativës, që nuk të paguen e të len unshëm, të kooperativës që asht mbushë me vjedhje, me frikë, me padrejtësi, me grindje. Heqin keq edhe bagëtitë. U bie hije e keqe edhe bimëve e pemëve, tue u rritë të liga. Jeta e fabrikës po ashtu. Jeta e zyrave një lloj, me zyrtarë që nuk kryejnë punë. Jeta e shkollës nuk ka as ideal, as shpirt. Jeta e familjes me ngatërresë e pa bekim. Ditën e natën me frikë. Reaksioni kishte frikë arrestimesh. Nuk të bie në mend me shikue as diell, as hanë, as panorama. Personazhet ndër vepra, ndër këto lloj romanesh, nuk dimë kah dalin.
Këta le të mbesin dëshmi e jetës së tyne dhe e marrëzive të një kohe të çoroditun dhe të ligë. Letërsia mbetet një forcë në art dhe me ato idetë e mira, kur i ka, bahet e bukur ndër rrjedhime dhe e fuqishme, se përshkon mendjet e zemrat e njerëzimit ndër shekuj. Çuditesha me vete, kur njerëzit çmojnë një vepër që ka një stil, por ka një përmbajtje të damshme. Atëherë ky shkrimtar ia ka dale, të formojë skllavët e vet. Shpirti e vlera e një vepre me stil, do të gjykohet nga pastërtia, nga qëllimi. Në shkollë punohej. Kërkohej që nxanësit të përfitojshin, por nuk ishin mundësitë e vërteta intelektuale, as shpirtnore, për të ecë. Shteti kërkonte të kalojshin shumë, me përqindje të lartë. Landët shoqnore ishin të vorfna e, me shumë shtrembënime, devijime. Kështu letërsia e historia, në të gjitha klasët e, në të gjitha shkollat, shtatëvjeçare, të mesme e universitete, që nisën të hapeshin në Tiranë e disa qytete të Shqipnisë, edhe në Shkodër. Filozofia nuk jepej. Vendin e saj e kishte xanë materializmi dialektik e historik.
Gjuha shqipe, albanologjia e landët shkencore e mësimet në shkollat profesionale, ishin ma të mira, me përjashtim të biokimisë. Jepej rreptësisht darvinizëm. Shkolla tetëvjeçare ishte e detyrueshme, u diskutonte edhe për të mesmen. Për të ndjekë shkollat e larta, zbatohej politika diferencuese e qeverisë, bursat do t’i merrshin ato që kanë kushtet politike. Preçedencën e kishin nxanësit e prindëve komunistë e, për të tjerë, vlonte regjistrimi me diferencë e korrupsioni politik. Për elementin katolik, dyert e universiteteve, pothuej, ishin të mbylluna. Mund të përftojshin pak në landët të dyta. Fëmijët e reaksionarëve, e të burgosunve dhe të fisit të tyne të afërt, sado të aftë, ishin të përjashtuem a priori. Nuk shikohen aftësitë, talentet. Të aftit, të talentuemit le të mbarojnë, le të vdesin, se janë të deklasuem. Shqipnia përparonte me brezni të paaftësish. Kështu që me hy në rrugë, pa rrugë, asht ma keq se me mbetë mbrapa.
Etapat e shtetëzimit
Ditët kalojshin jo në heshti, por në një zhurmë të randë. Njerëzit kishin me çka të merreshin. Duhej fitue buka prej shumicës. Punë kishte, por ku të caktohej. Veheshin në gara punë njerëzit, se kudo ishte norma. Vlojshin si bletë gratë e vajza nëpër fabrika, për të tejkalue normat, për të fitue diçka ma tepër. Por kjo ishte e rrezikshme për puntorët, pse “këta” (këta ishte fjala përbuzese për qeverinë), rrijshin gati për t’i rritë normat, simbas stilit revolucionar. Të shkretit puntorë e të shkretat puntore, fitojshin disa ditë në tejkalim, për të humbë krejt vjetin e vjetët. Prej nevojës së madhe, nuk kishin kuptue djallëzitë e regjimit, në kurriz të tyne. Shteti në ditët e para, kishte hapë parullën: “Na do të ndërtojmë socializmin me forcat tona, e mbas komunizmin”.
Filluen vjet mbas vjeti shtetizimet e pyjeve, tokave, bankave, fabrikave, shkollave. Në shkolla do të pasqyrohej jeta e vendit, me lëvizjet shoqnore. Jeta e klasës puntore e udhëheqësi kryesor, Enveri i tiranisë, do bahej idhulli i idhujve. Mbasi u ba shtetizimi i tokave, u vu në zbatim Reforma Agrare, sipas së cilës fshatari merrte tokën e dëshirueme. Qytetarëve që kishin pasë tokë në fshatet e afërme, ia hoqën tokën. Reforma ishte e mirë e, ata që kishin shumë frymë në fshat, arrijshin të merrshin deri 60 dynym tokë. Fshatarët mendojshin se zbriti Parrizi. Por shpejt nisi nga ana e shtetit, kërkesa për të pague taksat që, gati shumica, nuk ishte në gjendje t’i paguente. Ndër ato familje që nuk ishin në gjendje të paguejshin, baheshin sekuestrime me i marrë lopën, qetë dhe frytet e tokës, por jo tokën.
Kjo do të ndodhte gradualisht, ma vonë. Mbas tri vjetësh, nisi kolektivizimi “term i bukur”, me vullnet të detyruem, i lanë fshatarit vetëm tre dynym, 20 dele ose, një lopë, me punue prej lindjes së diellit, deri në perëndim, rreth 16 orë në ditë. Vendet e punës i cakton brigadieri fitimtar, simbas një plani, kapriçio, interesit e lojnave të tij. Punojshin njerëzit në kooperativë, burra e gra, nga 16, deri 60 vjeç, me një të ardhun 150 lekë në ditë, e në disa kooperativa, për vrazhdësi terreni, deri në 30 lekë, kur një kg. bukë, kushtonte 20 lekë. Mbas 7-8 vjetësh, u ba bashkimi i kooperativave, tue u quejtë kooperativa të tipit të lartë. Menjëherë, kudo, u hoq tre-dynymshi, tue i lanë vetëm një dynym, 10 kokrra dele, ose një lopë.
Kur u ba shpikja e re, “tufëzimi i bagëtive”, fshatarët merrshin për frymë 100 gram tambël, edhe ma pak. Kjo shkaktonte që fshatarët të hyjshin në radhë në qytet, për të ble, me shamatë, tambël ose djathë. Njatë tambël, që do të kalonte nëpër duer të ndryshme, tue i qitë ujë, prej mjelces deri te karrocieri që e shpërndante, edhe te shitësja, që e mbante bidonin me ujë nën banak. Nuk gjente qetësi, e njerëzit kishin xanë rahati në hajni. Nuk mund të koncepohej jeta pa vjedhje. Tufëzimet e mëdha u kthyen në mikrotufëza e, fshatari nuk kishte të drejtë me mbajtë asnjë bagëti, veç 9 pula e 1 gjel, të ndryem në kotec, si popullata shqiptare e rrethueme në tela, për mos me damtue arat e bekueme të kooperativës. Derri nuk lejohej me u mbajtë, e shumë i mbajshin tinëz, e për t’i ruejtë kontrolleve, i dejshin me raki që të mos u ndihej zani, e i vendosshin në shtrat për të mendue gjatë kontrollit, se aty gjendej ndonjë njeri i sëmurë.
Zhvillohej kudo vjedhja, tinzia, grindja, smira, edhe smira vëlla me vëlla, diferenca në punë me favorizime, interesi, spiunazhi, e mbretnonte korrupsioni. Një shoqni që po jetonte me korrupsion. Koha ishte e ngjashme me furtunat. Kur fryn era, bie acari dhe dhe ngrihej akulli, në këte terren të ngrinte edhe zemrën dhe në qiellin e pa re, sepse jeta kishte me vete terrin. E “këta”, quejshin obskurantizëm, gjithçka nuk ishte e tyne. Kur kalojshin ushtritë e okupacioneve në një vend, kambët e tyne, kishin peshën e randë të robnisë. Asnjë okupacion nuk asht ma i randë, se i një sistemi ku njerëzit luftojnë kundër njeni-tjetrit e, ma keq, kur një klikë ia ven thundrat masës e të mirëve. Klika e ka okupue ngadalë vendin dhe e ka nënshtrue me taktikë. Pse të mos ishte i interesuem për jetën? Kjo më kalonte në shtëpi, në shkollë, në bibliotekë, në kishë. Unë rrijsha larg së keqes, megjithëse kisha ligështitë e mia. Nuk isha njeri pa hirin e Zotit e, kur e bjershe, ndoshta, pa dashje të vërtetë, oh, unë mëkatnuer nuk bijsha kurr me fjetë, me mëkat në zemër.
Dojsha të shkojsha kah e mira. Kisha nderim për njerëzit, për fëmijët e sidomos për gruen. Nderimi për ato, ishte edhe si një ideal. Një ideal që më sillte edhe një dhimbje. Në ndonjë bisedë të mirë e të urtë me ato, sidomos me të afërme, ato thojshin se nga natyra na jemi të nënshtrueme. Jetojmë nën paragjykimet e burrave. Kemi si frikë. Vonë e marrim veten në dorë. Jemi përherë në rrezik. Ka burra që dinë të sillen me gratë. Por edhe kur jemi të mira, na do të kemi një kujdes të fortë, për t’u ruejtë në gjithçka se mendohet lehtësisht keq për ne. Prandaj, na duhet të jetojmë me mend. Prandaj unë kisha një dhimbje, sepse grueja e konsideron veten, një qenie fatkeqe. Për gruen shqiptare, formova mendimin ma vonë. Asht e urtë, e hijshme dhe e mendshme. Merret me punë, asht e hollë në besim, e qendrueshme në lutje dhe e marrun vesh. Prej grave ndigjova tue thane, se ata që nuk besojnë, janë si të trashë. Gratë i japin randësi gjithçkafes dhe kanë fuqi me të qitë në rrugë.
Kur nuk janë të mirë, të qesin në rrugë të madhe me kapriçot, me forma të rafinueme, me djallëzi. Burri nganjëherë asht i pagëdhenun e, ka vetëm zemër-gjanësinë e taktin. Nuk kisha guxim të krijoj familje, kisha ngurrim, diçka më rrinte e fshehun, më ndalonte. Më përshkojshin mendime. Kisha simpati, por jo lidhje. Merreshe gjithnjë me lexime, por këto ishin për mue kalim. E fundi, e lexova një libër. Kjo shtonte në njëfarë mënyre dijen. Asgja ma tepër. Gëzim i paktë ishte për mue, kur çohesha nadje. Me hangër pak. Me shkue në shkollë. Me dhanë mësim. Gramatikën e jepshe me kënaqësi. Edhe orët e letërsisë. Ishin dije. Jepshe edhe histori e gjeografi. Po, për çka punohet? Mendohet, për t’u mekanizue.
U takova me një shok timin të shkollës, arsimtar edhe ky. Po ishim në bankat e lulishtës, para një perëndimi të bukur dielli. Diell e pak re të kuqe. I tham: “Jeta monotone na mërziti, na lodhi. Njerëzit duhet të ndryshojnë. Kjo botë dubet të jetë një tjetër”. Ai e preu shkurt. Ai e kishte zgjidhë problemin kështu: “Bota nuk ndryshon. Njerëzit nuk ndryshojnë. Kështu shkon përherë”. Unë nuk isha dakord me atë. Na mbetëm si dy shokë: ai i palëvizshëm, kurse unë jo, pse unë kisha punë me një front timin dhe me një veprimtari timen të lartë. Unë dojsha përherë me lëvizë. Diçka e madhe më shqetësonte. Secili mendojsha, se e ka një botë shpirtnore. Ashtu edhe unë nuk isha i kënaqun.
Sëmundja e vitit 1949
Më ra një sëmundje e randë, tifo abdominale. U shtrova në spital. Baba më kishte pa, kur më kishin ulë me barelë, nga dhoma e observacionit, në atë të infektivit. Ishte trishtue e kishte qa. Ngjarje shumë shqetësuese në familje. Vinte gjithë familja me pyetë çdo ditë, sa herë në ditë. Çdo ditë, lutje e krejtë familjes, tue shkue dhe te Kisha e Zojës, bri kalaje. Më bijshin çdo ditë ushqim, komposto e sidomos lang rrushit, se sëmundja më ra kah fundi i gushtit 1949, plot ngjarje të idhëta shqiptare, me provokacionet e quejtuna “të monarko-fashistëve grekë”, me “diversanta” kah Mirdita, me vrasjen e Bardhok Bibës, me gjakderdhje edhe për hakmarrje. Unë nuk isha në gjendje me lexue as gazetën, as me ndigjue radion, që ishte në korridor.
Dhoma e infektivit kishte një pozicion të bukur në katin e parë dhe kishte dy dritare të mëdha, nëpër të cilat rrezet e diellit hyjshin në qetësi si në shtëpi të vet e, rrijshin me ne ndonjë orë të mirë para perendimit. Në dhomë ishin pesë vetë e, një kishte pasë vdekë para pak ditës, nga një tifo e randë në krye. Motër Virgjina e spitalit, që ishte vërtetë motër spitali, ende e fortë, kjo qoftë e bekueme, ishte ngushëllim për të gjithë ata që preheshin aty. Ushqimi për ne, ishte tambli gjatë ditës dhe kosi në mbramje. Çdo mbasdite motra na sillte zymbyla të mëdhaj me vile rrushi, të pjekun mirë. Na merrshim racionin secili.
Racioni në të vërtetë asht çpikje e krizës, por asht karakteristikë e kohës moderne. Motra më njihte mue, nanën e babën tim. Në dhomë ishin të gjithë myslimanë; përveç meje. Një ishte i sëmurë e, kishte pak ndihma nga familja. Çka tepronte, motra ia çonte atij. “Mos të vijë keq, – më tha si veçmas, – se ia çoj atij. – Ty ta bien nana e baba”. Mue më erdhi shumë mirë për këte veprim të saj, por për pak çase mendova, se nuk mujsha gjatë, kjo botë asht e komplikueme dhe e ka të keqen në rrajë, e motrës iu desh me u justifikue para meje. Unë dita me ditë po përmirësohesha, derisa u shërova. Sëmundja më la një prishje të lehtë të sistemit nervor. Disa ide që kisha pasë u zhdukën. Kjo vazhdoi edhe për pak kohë, me një lodhje trupore. Mbas një mueji konvaleshence, shkova në shkollë, për të dhanë mësim. Shkolla quhej “Vasil Shanto” e, ishte aty ku kishte qenë ma parë shkolla fillore Françeskane, e na kishim pasë shoqninë “Antoniane”: O tempora, o mores!
Mbas pak ditësh, nisa të përtrihesha disi në mendime. Nisa të shkruej tema shoqnore kundërshtare me regjimin. Kjo më jepte kënaqësi. Ngushëllimin e madh e kisha, kur shkojsha në kishë. Shkojsha ma tepër në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, për të pa meshën e mbasdites në Kishën Katedrale, për të pa ekspozimin e Eukaristisë. Krejt ajo përpjekje, ajo punë që ishte krye me mue në familje në shkollë dhe në kishë, kishte ba punën e vet. Por më nevojitej qartësi, për të më pasë pushim mendja. Unë kërkojsha qetësi. Idetë e kohës ishin ma të këqiat. Mendimet e sa dijetarëve ishin të pamjaftueshme, se shumë prej tyne, kanë ide tokësore. Idetë tokësore kanë vlera tokësore. Predket që baheshin në kishë, flitshin për naltim, por unë nuk mujsha kurrsesi, të kënaqesha me pak. Dojsha gjithçka hollë, gjithçka qartë, më duheshin tema me dije e fuqi shpirtnore.
Dikë do të merrshe mbrapa. Flitej për kristianizëm, për veprën e tij, por u donte me hy në shpirtin e Krishtit dhe në doktrinën e tij. Kjo do të thonte për mue me largue re, vranësina, me hy në mbrendi. Errësina që mund të na mundojë e, që sa herë sjell trishtim, mund të na bajë të jemi dhe kot. Krejt kot. Nuk mund të nisim të ndërtojmë diçka të vërtetë shpirtnore, nuk arrijshim, pa pasë njohje dhe lidhjen e rendueme të të vërtetave. Idetë më vijshin nganjëherë pa pritë e, një ndër këto ishte me çka asht teologjia. Por kjo më ishte e pamundun. Tue qenë se unë një kohë të mirë e kalojsha dhe në bibliotekën e qytetit, më zgjodhen anëtar komisioni të saj. Unë qeshë një ndër të dhjetët që u caktova. Kështu mujsha të hyj edhe në dhomën e librave të ndaluem, të cilët nuk lejoheshin për lexim publik./Memorie.al