LEZHE - Një ditë pasi deklaroi largimin nga grupi parlamentar i PD-së për t'iu bashkuar LSI-së, deputeti i Lezhës Gjovalin Kadeli deklaron se është kthyer në familjen e tij për të cilën ka kontribuar prej vitesh.

Nga qyteti i Lezhës ai i përgjigjet dhe kreut të grupit PD-së, Edi Paloka duke i thënë se kontratën e kishte me Sali Berishën, ish kryetarin e PD-së dhe e akuzon si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të 23 qershorit në Lezhë.

“Është një lëvizje e cila e ka gjenezën e saj në gjenezën time, pasi unë kam qenë jam dhe do të jem i majtë. Këtë e kam deklaruar publikisht dhe në kohën kur kam kërkuar të jem deputet i Partisë Demokratike. Deputet i PD unë isha si rezultat i një marrëdhënie me doktor Berishën, të cilin vazhdoj ta vlerësoj për korrektësinë e treguar jo vetëm me mua por edhe me dy kolegët e mi, të cilët votuan, mbajtëm qeverinë në atë kohë kur vendi kishte nevojë më shumë se kurrë për vazhdimin e qeverisjes për zgjedhje të qeta e të lira, të cilat u realizuan falë atij veprimi të dy kolegëve të mi të PS. Koha na dha të drejtë ashtu siç hodhi poshtë zërat për manipulim, për trafik e ku di unë se çfarë të cilat llomotiten nëpër kuzhinat politike të PD të individëve të veçantë."- tha sot Kadeli.

Deputeti i PD-së i ka kerkuar Palokes që të jetë i kujdesshëm me deklaratat e tij, pasi puna që ka bërë ai në Lezhë u reflektua në këto zgjedhje, duke emëruar drejtues institucionesh në këmbim të parave, çka solli dhe humbjen e Partise Demokratike.
 
"Dua t’i kthej një përgjigje z.Paloka që uroj të jetë i kujdesshëm dhe i përgjegjshmë në të gjitha ato çfarë ai lançon, pasi veprimet e z. Paloka ne i pamë në këto zgjedhje. Ashtu siç pamë tek PD në këto zgjedhje drejtues të element institucionesh drejtues të cilët kishin degraduar deri në atë pikë sa merrnin 2-3 mijë euro për një person të punësuar. Këto janë ato që z.Paloka ka emëruar të cilat u bënë shkak për largimin e PD nga pushteti. E rëndësishme është që të kuptojmë se z.Paloka ka të drejtë sot pasi është gdhirë me një deputet më pak, por dua që të jetë i vëmendshëm pasi unë kam informacione të bollshme për secilin prej kolegëve deputet të PD, ashtu siç shumicën prej tyre i vlerësoj për ndërgjegjen dhe korrektësinë e tyre gjatë kësaj kohe që unë kam qëndruar pranë atij ekipi."

Gjovalin Kadeli u zgjodh deputit i Lezhës në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 me siglen e Partisë Demokratike, ndërsa lajmin se do të shkëputej nga grupi parlamentar demokrat për të kaluar në atë të LSI, Deputeti Kadeli e  bëri me dije mbrëmë.

Në këtë mënyrë grupi parlamentar i kësaj partie të zgjerohet në 19 deputetë, ndërsa mazhoranca në total arrin në 85 deputë. Opozita zbret në 55 deputetë.  Menjëherë pas deklaratës së Kadelit reagoi dhe kreu i grupit PD-së, Edi Paloka tha se Kadeli dëshmoi se erdhi tek PD për përfitime vetjake.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)