TIRANE -  Zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj do të marrë përkohësisht drejtimin e Doganave deri në caktimin e kreut të ri të këtij institucioni. Pas dorëheqjes së Elisa Spiropalit, ministri i Financave Shkëlqim Cani prezantoi zëvendësen e komanduar përkohësisht deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Irena Beqiraj do të mbajë gjatë kësaj kohe të dyja postet, edhe atë të zëvendësministres së Financave edhe të drejtoreshës së Doganave. "Nuk ja hoqëm gradat bëhet më e fuqishme”, u shpreh ministri Cani.

Ministri Cani vlerësoi si të mrekullueshëm bashkëpunimin me ish-drejtoreshën Spiropali përgjatë një viti e gjysmë në krye të Administratës Doganore

Ministri Shkëlqim Cani: Nuk ka shumë fjalë në drejtim të dorëheqjes tashmë të ish-drejtoreshës Elisa Spiropali. Ajo shumë qartë e ka shprehur arsyetim, nga sa kam dëgjuar po kaq qartë kemi reflektuar. Nuk po e zgjas në këtë drejtim, por e vetmja fjali që do doja të thoja është që respektoj dhe falënderoj Elisën për marrëdhëniet shumë të mira, për bashkëpunimin shumë të mirë institucional ministri e Financave dhe Doganë, kështu që gjithçka ka shkuar për mrekulli.

Zv.ministrja që kam në krah që do të komandohet në këtë detyrë deri në caktimin e dikujt tjetër përfundimisht.

Punë të mbarë edhe pse përkohësisht, ke mbështetje të plotë edhe personale, të dyfishtë se e ndjej që e ke me siklet sepse janë dy detyra.


Irena Beqiraj: Shpresoj ta gjejmë shpejt një zëvendësuese të Elisës në Dogana, se u bënë dy detyra.

Doreheqja e Spiropalit
Të premten Elisa Spiropali dha dorëheqjen nga Doganat me argumentin kryesor përkushtimin ndaj vajzës së saj të ardhur në jetë disa ditë më parë.

 “Por unë sapo përjetova momentin më të rëndësishëm në jetën e një gruaje, lindjen e fëmijës së parë. Prandaj edhe dua mirëkuptimin tuaj për ndërprerjen e shërbimit tim në krye të Doganës Shqiptare .Jua kërkoj këtë e bindur se ju nuk do ta merrni si një llogari egoiste. Nuk ka asnjë dobësi në këtë tërheqje. E gjitha lidhet me përjetimin tërësisht individual të të bërit rolin e nënës me preokupimet përkatëse, pasi jam mësuar deri këtu të bëj vetëm vajzën. Por edhe me bindjen se tërheqja ime nuk do të krijojë asnjë boshllëk tashmë që themelet e punës sonë janë hedhur”, - shkroi dje Spiropali në rrjetin social Facebook. 
 
Kush është Irena Beqiraj
Zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj e cila do të drejtojë përkohësisht Doganat shqiptare ka një Cv të pasur në fushën e financave. Ajo mban titullin “Charter Financial analyst” (CFA) (2003-2006), i cili është kredenciali profesional më i njohur dhe më i respektuar në botën ndërkombëtare të Financave, i njohur ndryshe si “ Standardi i artë në financë”. Gjithashtu, Beqiraj mban edhe titullin Kontabilist i Miratuar (2001). Zonja Beqiraj është diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1997, dega Financë.

Ajo ka një eksperiencë të gjatë në fushën e konsulencës financiare. Që prej vitit 2009 ofron konsulencë në fushat e raportimit financiar, taksave, analizës së kostos, hartimit të planeve financiare të investimit dhe menaxhimit financiar.

Ajo ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Auditimit në Bankën Italiane të Zhvillimit gjatë viteve 2006-2008 dhe që prej vitit 2011 ajo është anëtare e Bordit të Drejtimit të Shoqërisë Administruese të fondit të pensioneve SICRED sh.a.

Zonja Beqiraj ka punuar si pedagoge në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës, Universitetin Evropian të Tiranës dhe Universitetin “Luarasi”. Në dhjetor të vitit 2014 ajo është emëruar zëvendësministre e Financave, përgjegjëse për sektorin fiskal

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)