TIRANE- Urdhri i Ministri të Brëndshëm, Sajmir Tahiri tre ditë më parë për ndalimin e qarkullimit të furgonave nuk ka nxitur vetëm reagimin kundërshtues të drejtuesve të këtyre mjeteve por ka shfaqur edhe abuzuesit e parë. Drejtues dhe pronarë autobuzësh të paliçencuar duke përfituar nga greva disaditore e shoferëve të furgonave dhe nga rradhët e gjata në stacione kanë filluar të bëjnë transportimin e qytetarëve pa qënë të autorizuar dhe të liçencuar nga bashkitë përkatëse për të ofruar këtë shërbim.

“Shqiptarja.com” në një vëzhgim të bërë në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, ka vënë re se transportin e qytetarëve midis dy qyteteve e kryejnë jo vetëm autobuzët e liçensuar pranë Bashkisë Elbasan por edhe të tjerë të cilët më parë kryenin linja të tjera. Efektivët rrugorë këto ditë kanë bërë ndalimin dhe gjobitjen e kujtdo nga shoferëve të furgonave që ka marrë pasagjerë dhe ka kryer transportin interurban mes dy qyteteve, duke lejuar të gjithë autobuzët që të të kryejnë këtë linj.

Vetë qytetarët janë shprehur të indinjuar nga situata që është krijuar dhe kanë pranuar se këto ditë u është dashur të udhëtojnë me mjete nga më të ndryshmet, dhe shumë herë të vjetëruar. Autobuzët e rinj, u përkasin viteve të ndryshme të prodhimit, por çfarë është më problematike shumë prej tyre janë të vjetëruar dhe në kushte jo të mira. Vetë kompanitë apo privatët e liçencuar për të ofruar këtë shërbim, shprehen të indinjuar jo vetëm këtë shërbim të ofruar por edhe për konkurencën e pandershme që po i dëmton.

“I bëjmë thirrje policisë së shtetit të bëj kontrollin e të gjthë autobuzëve që po e kryejnë këtë shërbim sepse jo vetëm po na dëmtojnë nga ana ekonomike, por po rrezikojnë jetën e qytetarëve pasi kanë futur mjete që jashtë kushteve të mira teknike”, shprehet një prej drejtuesve të autobuzëve për “Shqiptarja.com”. Urdhri i ministrave Tahiri dhe Haxhinastro për ndalimin e furgonëve dhe kryerjen e transportit interurban vetëm nga autobuzët, erdhi menjëherë pas aksidenteve tragjike të ndodhura pak ditë më parë në Kukës dhe Sarandë. JU. MU.

Shkrimi u publikua sot (15.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)