Ikja e Besimit, Mustafa Kruja
një prind zemërthyer në arrati

Ikja e Besimit, Mustafa Kruja<br />një prind zemërthyer në arrati
Një prej shuplakave më të rënda në jetën e Mustafa Krujës ishte ndarja nga jeta në moshën 19 vjeç e djalit të tij Besimit, i sëmurë rëndë në një spital të Vjenës me 21 nëntor 1944. Ja shënimet e tij për të birin dhe një shkrim i studentit Besim Merlika bashkë me një letër për prindërit nga spitali
 
 
Në fund të nëntorit 1944, ndërsa komunistët rendin drejt pushtetit, ish-kryeministri i Shqipërisë Mustafa Kruja, me shumë gjasa i kishte lënë politikës vendin më të papërfillshëm në qenien e tij. Ndërsa ato ditë, lajmet politike flisnin për revansh të kundërshtarëve të tij politikë, ai përjetonte çastet më të dhimbshme që mund të përjetojë një prind në gjallje të tij.

Me 21 nëntor 1944, biri i tij 19-vjeçar, pasi ishte dergjur prej muajsh në spitalin e Vjenës, mbylli sytë përgjithmonë.

Përjetimet e tij si prind, bisedat e gjata pranë shtratit në spitalin Jozefina të Vjenës, ditët e fundit të djaloshit Besim Merlika, si një prej studentëve shqiptarë në Vjenë, idealet e tij, preokupimet, aspiratat dhe planet, deri tek dha frymën e fundit duke u interesuar për gjendjen politike në atdhe...me një tis trishtimi të vetkuptueshëm Mustafa Kruja e sjell në shkrimin e tij me titull “Zêmër prindi”, ku në fund ai firmos me pseudonimin e njohur të tij Shpend Bardhi.

Besim Merlika ishte nji nga katër djemtë e Mustafa Krujës. Kishte lindur më 27 Mars 1925 në Bari të Italisë, ku kreu edhe shkollën fillore. Me kthimin e Mustafa Krujës në Shqipëri më 1939, u kthye edhe ai dhe pas një kohe të shkurtër mësoi gjuhën amtare. Ndoqi Gjimnazin “Francesco Krispi” dhe me 2 maj 1944 u nis bashkë me të gjithë studentët shqiptarë për në Vienë. Nuk deshi të regjistrohej në ndonjë shkollë, por shkoi si vullnetar, si praktikant pranë Firmës së njohue vieneze Siemens, për t’u ushtruar në degën e Radios. Aty punoi tre muaj rresht deri sa u sëmur dhe u shtrua në spitalin e Vjenës.
Për ta përkujtuar këtë ngjarje të hidhur dhe këtë humbje në jetën e Mustafa Krujës, 71 vjet më vonë,  sjellim për lexuesit shkrimin e tij të ndjerë “Zemër prindi” një ese të Besim Merlikës kushtuar Firences dhe një letër të tij për prindërit kur mori vesh për sëmundjen. Shkrimet i ka përgatitur për suplementin tonë nipi i Mustafa Krujës Eugjen Merlika.

Zêmër prindi
 
1944. Nji djalosh shqiptar, tek i cilli çdo gjâ – fjala, gjesti, fytyra, sjellja -  tregonte nji fisnikí e pastërtí shpirti të rrallë; në zêmrën e të cillit vlojshin krah për krah dashuní e mëní pa mundun kurrë me ia zânë vêndin njâna tjetrës: dashuní për gjithça të mirë e të dëlirë dhe mëní për gjithça të keq e të fëlliqët; dhe nji ndjeshmëní mâ delikate se mâ e bukura erzë e botës.
     Ky djalosh, qi porsa kishte mbushun 19 vjet moshë, ishte tue pamë trojet e të parëvet të shkeluna prej kâmbe të huej e të lame në gjak të pafrytshëm të racës së vet e anmiqsh të pafajshëm, në rrenim e në shkretnim. Edhe zêmra e Tij kullonte gjak. Shâmtinte idhnimit, ftyrinte zëmrimit ditësosuni djalë. S’i kishte shpirti paqë as ditë as natë. Ishte gati me dhânë çdo send, edhe shpirtin, për me ia larguem të ligën vêndit. E i dukej vetja si me pasë lemë kot tue mos pamë kurrkund mundsí me bâmë asgjâ të dobishme.
     Nji lajm: shumë studenta po venë me vijuem mësimet në Vjenë me bursa të qeverisë gjermane. Ky qytet, kurdoherë qêndër e shkëlqyeshme kulture e politike, ka ushtruem gjithmonë nji influencë magjike mbi Balkanas e veçanë mbi Shqiptarë. Besimi, porsa e merr vesht lajmin prej nji shoqi të vet, nget vrap ke i ati. E me nji fytyrë jashtazakonisht të ndritun, si nji qi papritmas ka shpëtuem prej nji mundimi të madh shpirtnuer, i thotë: “Lalë, a e ndieve se shumë studenta për së shpejti po e lânkan Tiranën e po shkuekan me mbaruem studimet në Vjenë?”.

-          Shumë bukur qênkan tue ia bâmë, ia pret i ati; a deshiron edhe Ti?
Për deshirin e Tij, ishin tue i folë vetë sŷtë plot me shpresë e haré. “Në dash edhe ti e po munde me më dërguem, un kisha me qênë gati”, iu përgjigj t’ett.
I rrinte djalë-shkretës sikur kishte gjetun n’atë rrugë shpëtimin e vet prej nji ângthi qi kamot s’po e lênte me marrë frymë të qetë. Bâhet gati, mbledh do libra e, bashkë me teshat e shtatit, fut në valigjet edhe symbolin e atdheut qi ishte tue lânë mbas shpine, si dhe disa fotografí të gjinde të vet. Niset karvani edhe Ai me tê. E damja e Tij prej familjes nuk u bâ pa lot. Sikur të gjithë ishin  tue e ndiem, Ai vetë mâ i pari, se rruga ishte e largë për Tê, tepër e largë, pa masë e pa mbarim!
Letra e parë qi u dërgonte të prindet mbas këtij mërgimi, qi kishte qênë thânë me u bâmë i përjetshëm, përshkruente mundimet e mëdha të rrugës, qi kishte ngjatun jo mâ pak se shtatë dit; “mundime të shpërbleme pash-e-pash”, thonte, prej bukurive të metropolit danubjan, qi ishte ende mbë kâmbë i paprekun prej luftet. E flitte për shkollë. Ishte i kënaqun.

Por shpejt e sheh se punët e studentavet, për nji tog arsyenash, nuk po shkojshin mjaft mirë. Shumë prej tyne nuk po e kishin vullnetin krejt të plotë me studjuem, e shkollat s’ishin fort në rregull ndër ato rrethana të luftës. Ai fillon të mërzitet. Mall’i familjes nis me e lodhun. Lyp lejë me kthyem. “Këtu çdo gjâ, çdo kujdes, çdo energjí e ka përpimë lufta” shhkruen; “dersa të bâhem un i zoti me kuptuem mësimet në gjuhë gjermanishte, më duket se gjêndja e shkollavet ka për t’u bâmë edhe shumë mâ e keqe se ç’âsht. Mbasandej, me thânë të vërtetën, ka nisun me m’u ngërmuem edhe malli për jue. Por nuk m’a ka ânda qi ju të kujtoni se po due me u bishtnuem vështirsivet qi kam gjetun këtu, as për sa i përket mësimit e as jetesës, e cilla madje, në të pestën vjetë të luftës, vazhdon me qênë edhe tepër e mirë”.

Përgjegja e t’ett për kthim qe negative. Shqipnija ishte tue rrëshqitun përditë e mâ fort prej anarqijet në nji khaos të plotë e të rrezikshëm, tue thithun n’atë humnerë lulen e djelmnisë. Prandej ai ishte i lum qi Besimin, mâ të nxetin e djelme të vet, e kishte atje larg. E kshilloi pra me qëndruem atje tek ishte, tue përsritun dy fjalë të vjetra qi i kishin tingulluem shumë herë në vesh, Atij sidhe të vllaznet: qi duhej të kishte durim e mos të kursente asgjâ prej vullnetit të vet për me u bâmë njeri. Kshill’i t’ett për tê ka qênë kurdoherë urdhën e urdhn’i tij fjalë e shênjtë. “Duhet me u bâmë njeri” ia përsrit prap e prap Ai vetvetes si nji jehonë të zbritun prej qielli. E njeri e dinte se nuk bâhet kush veçse me nji vullnet të papërkulshëm, me mundime e me sakrifica.

Kështu mendon djali, edhe vendos: do të vazhdojë me studjuem radjoteknikë edhe do të hŷjë me u praktikuem në Siemens. Shkruen: “Jam i lum. Kam hŷmë në Siemens. Punoj me gzim, praktikohem  në këtë degë qi më pëlqen fort, nxâ gjermanisht edhe fitoj 100 mark në muej ”.

Por ofshé!.... Jo mâ vonë se mbas gjashtë javësh Ai merr udhën e spitalit. I ati lajmohet dhe vrapon kah Vjena. Të njimbëdhettën ditë gjindet ke shtrat’i djalit. Nji ditë para, me 10 shtatuer, Vjena kish qênë bombarduem keqas e të sëmunët e spitalevet kishin pasë kaluem disa orë nëpër lagështinat e nëndhesavet. Ky martyrizim i padênjë për njerzinë, kjo darsëm tragjike për mikrobët e dukshëm e të padukshëm të kurmave të pafajshëm do të përtrihej tashmâ shumë dêndun e dikur gati përditë, në Vjenë e ngjetaj.
Atë-ziu âsht tashmâ për gjithë ditë qi ka vumë Zoti ke shtrat’i të birit. Kryemjeku i spitalit, Prof. Neumann-i, e ka siguruem se djali rrezik jete nuk i ka. Ai don me besuem, don me u ngushulluem. E nuk mundet. Nji parandjenjë fatale e grînë përmbrênda pa mëshrirë, s’e lên të qetë as ditë as natë. Spitali âsht nji ndër mâ të mirët qi ka Vjena, mjekët e atij qyteti janë t’aftë me famë, me gjithë qi shumë prej sish i ka thithun ushtrija e toka e zezë. Por shërbimi e ushqimi s’të ngrohin sa duhet. Deri ndër ato institute të bekueme, krijuem për të lenuem të keqen e njeriut qi vuen, der atje duket sikur zêmrat nuk rrahin e nuk ndiejnë mâ me afshin e zakonshëm për kê rënkon e gjëmon! Dit’e natë, madje or’e ças vdesin kaqë shumë në botë, kaqë shumë nâna mbesin me duer në gjî e derdhin lot të ngrohët, kaqë shumë nuse mbesin të veja, kaqë shumë fëmijë pa etën, kaqë shumë gjind pa strehë, pa kâmbë e pa dorë! Mbas pesë vjet lufte qi âsht tue përvluem botën mbarë me nji furí të skëterrët, edhe kuj s’âsht djegun në tê, ndonji skep s’ka lânë pa ia rrëmbyem duhm’i saj. Kush mâ shumë e kush mâ pak, njâni drejtpërdrejt e tjetri tërthuer, s’ka mbetun njeri pa u prekun disi. E këta, në vênd qi me ia zbutun zêmrën me prova të pame e të psueme vetë, përkundrazi e ka ashpruem e egërsuem mâ keq. Kështu duket qênka ligja e natyrës! Mbasandej nëndhesa, ah! Nëndhesa e mallkueme.... Dirgju dit’e natë, edhe në pikë të dimnit me dritore çelë për me u çuem mushknive të sëmuna ajër të freskët e të pastër, edhe shko e rri me orë ndër lagështinat e qelbësinat e nji nëndhese të ngushtë, dhe shpreso e beso se do të shëndoshesh!

Me gjithë këtê, besonte i shkreti djalë, ishte i bindun se do të shëndoshej, kishte besim të verbët në Prof. Neumann-in e n’asistentin e tij Dr. Ëeberin. I ati, ndonse vetë e kishte zêmrën të coptueme, Atij përpiqej me ia ushqyem e forcuem shpresat, me ia larguem çdo dyshim qi mund t’i vinte. Përditë bânte me Tê planet e të mbëkâmbunit të plotë kur mos të kishte mâ nevojë për spital. Do të vente me tê në Semering, n’atë bjeshkë të mrekullueshme ku bota shkojshin edhe kot, vetëm për të gzuem bukurit’e natyrës, ajrin e pastër, freskun e verës e sportet dimnore. Do t’u kënaqshin atje at’e bir bashkë e.... kur djali t’a ndiente veten krejt të mirosun, kur t’i kishte përmbledhun të gjitha forcat e humbuna, kur buzët e mollzat e faqeve të zbeme të kishin kthyem edhe nji herë në ngjyrën e kuqërrizun të dikurshme, ah! po nj’atëherë, shi nj’atëherë qi s’kishte për t’ardhun kurrë...ofshé për të mjerin babë e për të mjerën nânë qi i pamëshrirshmi Perëndí po lênte gjallë se gjallë! Babës fatkeq atje pranë i duhej me bâmë mundime të sipërnjerzishme për me mos lânë qi valët e mëndershme të shpirtit në travajë të vërshojshin me u dukun përjashta ndër sŷ e nëpër rrudhat e fytyrës. Kur e shihte se zêmra po donte me e tradhëtuem, dilte prej ode me shkak të nji nevoje a të nji tjetre, u strukte ku të mûjte në ndonji skutë të spitalit, i lëshonte rrugë zêmrës me bâmë të veten, shfrŷnte e kthente prap disi i qetsuem.

Ngjati kalvari nândëdhetetetë dit.
Por Ti, o bec i njomë, ngushullim i ditëve mâ të vështiravet të tatë-shkretës, Ti edhe gjatë kalvarit, edhe me atë kryq të rândë mbë shpinë, veçë mjaltë derdhe për goje me kêdo. U bâne mâ êngjëll se ishe, fytyra e Jote, shtrimë n’atë shtrat hekuri të ftohët, s’ishte mâ fytyrë njeriu, qi mbas pak javësh do t’u bânte hi, ajo ishte fytyra e nji hyu t’amshuem. As shtriga qi s’Të pat lânë grimë mushknije pa të brêjtun, atê s’kishte guxuem me T’a prekun. Ti, o djalosh i pashoq, as nëpër torturat e atij trupi të tretun si qeriu përditë nga pak s’i harrove asnji herë të dashunit e tu, s’T’u hoq kurrë kujdesi për ta, nuk shkonte ditë qi s’i përmêndshe. Për thikat e shtatit t’And s’Të bâni ndonji herë goja of, për tjerët po. Mâ të mbrapmet fjalë qi Të duelën prej goje qenë “familjet t’ona” e “Shqipnija”. Ti pyete për to e Yt atë t’u përgjegj me nji rrênë të mëshrirshme. Të tha: “Në Shqipní, për det’e për ajër kanë zhbarkuem Anglo-Amerikanët; prandej atëdheu i ynë, populli shqiptar, familjet t’ona , miq e dashamirë t’anë kanë shpëtuem”.
Efekt’i këtyne fjalëve mbi atë djalë qi s’kishte për të folë mâ kurrë qe i papërshkrueshëm. Syt’e tij gati të mbaruem u ngjallën me nji shkëlqim të çuditshëm atypraty e nji dritë hyjnore e ndriti krejt fytyrën e Tij. Desh me folë edhe nji herë: “Oh! Falemi...” ia bâni e këtu, ajo kollë qi me javë e me javë ia kishte grimë shpirtin nuk e la me vazhduem. Drejtim’i sŷve të  Tij përpjetë kah dritoret qi kishte përpara dëshmon sikur desh të thoshte “faleminderës Zotit”. I ati e la atë mbrâme pa ia ndëgjuem mâ zânin. Kur u kthye të nesërmen e gjet të narkotizuem. Dr. Ëeber-i tha se djali nuk do të vinte mâ në vete e se mund të merrte frymë edhe 24 orë!
Gjau si tha doktori. Ishte data 21 nânduer 1944, nji ditë e mart. Në mërgim leve, në mërgim u rrite e në mërgim e dhae edhe mâ të mbrapmen frymë të jetës s’ate djaloshare, o bir’i im. Në vênt t’And, qi deshe aqë fort, vetëm pesë vjet të lanë me rruem, pesë vjet qi do të kishin qênë mâ t’âmblat të moshës s’Ate, por qi anmiku t’i bâni mâ t’idhëtat. Pate për parim jete me u bâmë njeri për me i shërbyem familjes, kombit e njerzisë; me jetuem jo për vete por për tjerët. Por Ti na lé i ri, tepër i ri, o birth i im. Deshe me u bâmë njeri, por Ti kishe lemë njeri e njeri vdiqe; kalove në të pasosmen për t’u bâmë i përsosun. Ti nuk vdiqe, u ngjalle; vdekun kemi na tjerët, o birth i im, jo ti: kanë vdekun zêmrat t’ona birò!
SHPEND BARDHI (pseudonimi i Mustafa Krujës) 
 
Kujtime nga Kuvendi i Firencës
 
Nga Besim Merlika Kruja
 
Nji tronditje ma e fortë nga të tjerat dhe treni ndalet: jemi në Firencë ; prej kybeve, prej kumbonarëve, prej kopështijeve të tija, qyteti i Dantes u buzëqeshi gëzueshëm të rijve t’Europës së rè ; dhe na i a kthejmë po me atë enthuziazëm përshëndetjen e përzemërt.
     Shqipnija gjindet larg, por duhet qi të gjithë t’a ndiejnë të gjallë e t’afërt, ashtu si e ndiejmë na qi kemi pasun nderin t’a përfaqsojmë. Diviza nuk lèn që të dallohemi mirë nga shokët italianë, por bie ndër sy ndër të gjithë kësula e jonë e pastërt, simbol i tokës s’onë, e bardhë sikurse bora qi mbulon gjatë dimnit malet t’ona.
     Nuk jemi vetëm: asht nji varg të rijsh si na qi ka ardhun me kremtue në këtë Firencë të mrekullueshme festën e bashkimit të vet e t’idealeve të veta ; gjithë mburrje gjermanët, guximtarë hungarezët, pak si krenarë ballkanasit, midis të cilëve edhe na, të lumtun në heshtín t’onë pse përfaqësojshim nji vend vjet e vjet me rradhë të harruem.
Rrugët, urat e qytetit na shofin tue parakalue të bashkuem, të disiplinuem; a thue kishin me besue fiorentinët e vjetër të shekujve të kaluem, artistët e famshëm qi e kanë ba Firencën nji xhevahir arti, se nji ditë mjaft të largët nëpër rrugët e tyne të heshtuna e të qeta kishin me kalue tue këndue na, bijt e tokës shqiptare?
     Diviza e jonë na shquen pak dhe kemi kuptue se kësula e bardhë nuk asht e mjaftueshme: kishim me dashun nji divizë ma t’onën nga e cila të dalloheshim ndër të tjerët si shqiptarë, si përfaqësues t’Atdheut të Skanderbegut.
     Në mbrâmje, kur hijet zdrypshin të heshtuna prej kodrash për me mbështjellun qytetin, mbas nji dite gjithë kuvende, bisedime, kangë e (pse jo?) edhe zhurmë e ndjejmë mâ të gjallë kujtimin e tokës s’onë, mendojmë me mburrje e krenari qi jemi, ndër sa të tjerë, të thirrun edhe na për me jetue e me punue, në botën e rè qi po lind prej teoris, prej dhimbjes, prej trimnis së popujve.
                                          
Shënim: Botuar në gazetën dyjavore  “Balli i Rinisë” (organ i rinis studjoze shqiptare) Drejtor Prof. Guljelm Deda  

Letër prindërve nga spitali
 
Vienë, 19 /VIII/ 44
     Shumë të dashun prindër,
     Siç e keni marrë vesht, nga e marta më datë 15 gjindem në spital.  Nji nga ma të mirët e Vjenës. Jam trajtue shumë mirë. Ndërsa të huejtë e tjerë (të gjithë) janë në baraka të vendosuna në oborrin e spitalit, un gjindem në klasën e dytë (e para nuk ekziston ma që nga fillimi i luftës), si djalë i “Kryeministrit” apo  nji gja e ngjajshme.
     Çfarë kam?
     Ndoshta mund t’a dijë edhe katundarja që vjen të fshijë në mëngjes, por nëse asht ndonji që nuk din asgja ai jam un !
     Që asht nji infeksion i lehtë i mushknive, këtë e di. Që nuk asht i randë, por që duhet të rri këtu nji a dy muej edhe këtë e di. A e keni marrë letrën e Bimit me raportin e Dr. Kolonjës ? Ky doktor asht nga Elbasani dhe rrin prej shumë kohësh në Vjenë. Ndoshta se asht mik i Daklive, por fakti asht se u interesue shumë për mue.
     Çmimi i një mueji asht rreth 900 marka. Duhej me i pague menjiherë. Pare nuk kisha. U detyrova të ndrroj napolionin e dytë, kësaj here me 1200. Por i kam dhanë gjysmat Qazim Kylhekut që kishte mbetun pa pare nga udhëtimi... e nga pak tregti. Me atë shumë, që ai do t’u a kthejë juve, a mundeni me m’a ble prapë napolionin, nëse nuk keni juve nevojë për pare, e me i a dhanë atij ( kam folun me te për këtë mundësi) së bashku me nji “top” cigaresh që më ka premtue të ma bjerë kur të vijë (besoj se mendon të qëndrojë në Shqipni 10 ditë nëse shkon gjithshka mirë, e shumta tri javë nëse ka diçka qi nuk shkon). I kam dhanë edhe valixhen e lëkurës me u a prue. Mund t’i duhet babës. Jepini në vend të saj nji valixhe dosido, por qi mos të jetë e prishun.
     Bashkimi ka marrë lejen me qëndrue në Ortizei deri në 1 shtator. Pasaportat i kanë por ende nuk kanë vizat për Gjermani. Ju kam shkruejtë keq e me laps se jam në shtrat.
     Letrën e babës të datës 2 e kam marrë më 17. Asht nji përjashtim. Më shkrueni nëpërmjet Feldpost. Nuk ja u përsëris ma se bahem i bezdisshëm. A e keni marrë letrën e dorëzueme studentit Adem Mara, banues besoj në rrugën e Tafait ? Po ate të dërgueme me Ismail Vlorën, djalin e Këshilltarit të Shtetit ?
     Ju përqafoj të gjithëve me dashuni.
                                                Besimi
Shkruemëni ! Shkruemëni ! Shkruemëni!
 
Shënim : Letra është shkruar italisht dhe është përkthyer nga Eugjen Merlika

VERBAL  I CEREMONISË FUNEBRE TË STUDENTIT BESIM MERLIKA – KRUJA
Wien , më 30 Nanduer 1944      
Sekretaríja e Inspektorís të Studentave Shqiptarë në Ëien. Nr. Prot. 101 – E
Me rastin e vdekjes së Studentit Shqiptar BESIM MERLIKA – KRUJA
 
Sot, me datën 30 Nanduer 1944 u ba ceremonija e përcjelljes së trupit të studentit  Shqiptar Besim Merlika – Kruja.
Ceremonija e përmortshme filloi pikërisht n’ora 14.30 në Krematorium – Varrezë ku digjet trupi i të vdekunve të Ëienës. Në ceremoni merrte pjesë edhe ati i të ndjerit, Zotni Mustafa Merlika – Kruja, i cili ka ardhë përpara dy muejsh me të vetmin qëllim për t’i u ndodhë pranë gjatë sëmundjes së të birit.
     Gjatë zhvillimit të ceremonisë erdhi papritmas edhe Zotni Rexhep Mitrovica, ish Kryeministër, i pasuem nga Z.Ali Draga. Gjithashtu ndodheshin prezent të gjithë studentat pa përjashtim, me në krye Inspektorin e Studentave Shqiptarë, Z. Prof. Filip Llupi. Kishin ardhë nergut Z. Dr. Nush Bushati, Konsull Rota, Ing. Kërçiku, Dr. Shaqir Kolonja, Dr. Ali Zenelaj, Prof. Qeraxhija, Z. Hamdi Kërçiku, Z. Beqir Fani, Frau Eder, Frau Gusti dhe miq e shokë të të ndjerit.
     I kishin dërgue kunora : Inspektorija e Studentëve Shqiptarë të Ëienës, personalisht Inspektori, Prof. Filip Llupi ; Shoqnija “Albania”, Shokët e dhomës së të ndjerit, Studentenëerk-u – Organizata e studentëve të huej në Ëien. Nji kunorë të gjithë shokët Personeli shërbyes gjerman i Heimit – Feldmühlgasse, 26, nji kunorë të përbashkët Dr. Cara – Dr. Fani, nji tubëz të bukur Zonja Eder – Heimuter e Heimit, dhe ndër të gjitha shquheshin kunora e Atit me mbishkrimin “Baba i piklluem”.
     Mbas rrjeshtimit të kunorave në sallën e përmortëshme u mbajt nji heshtje e plotë, dhe ndërkohë erdhi trupi i të ndjerit Besim, i cili u vendos në vendin e caktuem. Pastaj të gjithë të pranishmit u drejtuen në sallën e përmortëshme, ku do të baheshe përshëndetja e fundit kufomës përpara se t’u shtinte në furrën elektrike.
     Midis heshtjes ma të plotë u mbajtën fjalime nga Z. Inspektori i Studentave Shqiptarë në Ëien, Prof. Filip Llupi, nga studenti Kolë Nogaj – si shoku ma i ngushtë i të ndjerit - , nga Nënkryetari i Shoqnis “Albania” Z. Daut Shehu, në emën të Shoqnisë, nga nxansi Tomorr Jarani, n’emën të shokve. Që të gjithë, me pak fjalë, i përshkruen ndjenjat e tyne të prekuna nga humbja e pa kohë e shokut Besim. Që të katër shfaqën dhimbën e tyne të thellë  për fatin e tij të mjerë.
     Mbas mbarimit të ceremonisë së përmortëshme, trupi i tij u përpí nga Furra dhe të pranishmit, me kokë të ulun, i thanë për herën e fundit Lamtumirën e mbrame.
 
BIOGRAFIA
I ndjeri Besim Merlika – Kruja kishte le më 27 Mars 1925 në Bari t’Italis. Ishte i biri i Mustafa Krujës dhe i Cajes. Gjuha e parë që ai mësoi, fatkeqësisht, ishte italishtja, sepse kishte lé në rrethana shumë të vështira politike, në rrethana ku i ati i tij qe i detyruem të largoheshe nga Atdheu. Mbaroi shkollën fillore në Itali. E ndoq t’Atin në të gjitha rrugët e mërgimit.

Me kthimin e Mustafa Krujës në Shqipni më 1939, u këthye edhe ai dhe mbas nji kohe të shkurtën mësoi gjuhën amtare. Në Tiranë, për vështirësina gjuhësore, ndoq Gjimnazin “Francesco Krispi”, që kishte si gjuhë shkollore gjuhën italishte. Më 2 maj 1944 u nis bashkë me të gjithë studentët shqiptarë në Ëien. Nuk deshi të regjistroheshe në ndonji shkollë, por shkoi si vullnetar si praktikant pranë Firmës së njohun Ëienese Siemens, për t’u ushtrue në degën e Radios. Aty punoi tre muej rresht deri sa e kapi nji sëmundje e pa pritun, sëmundja e krahnorit. 

Ishte shtri në Spitalin Jozefina të Ëienës. Simbas konstatimeve mjekësore, në fillim me përqindje shumë të vogël e ma vonë absolute, nuk mund t’i shpëtonte krymbit që dita ditës i hante mushkënit e tij. Që ditët e para temperatura e trupit të tij ishte vazhdimisht përmbi 39 shkallë C. Vdiq më 21 nanduer, n’ora 11, 45 në spitalin e lart-përmendun. Kishte bisedue me t’atin e vet deri me dt. 20 n’ora 19, dhe n’ora 10.30 të ditës 21/XI kishte humbë vetdijen dhe nuk mundi të njohë as Atin e vet, që i kishte ndejtë vazhdimisht pranë.

Gjatë gjithë kohës së sëmundjes, ka qenë vizitue pa premje nga të gjithë shokët. Morali i tij ka qenë i naltë gjatë gjithë kohës së sëmundjes dhe ishte i bindun se do të shpëtonte, bile aqë, siç na referojnë shokët që e kanë vizitue, sa që bante dhe projekte për ndryshim klime. Mendimi i tij, gjatë tre muejve të fundit, ka qenë drejtue vetëm familjes dhe Atdheut. Shpesh herë shokët t’onë e kanë ndigjue, në temperaturën ma të madhe, të flasi me dashuni të pashoqe për fatin e Atdheut t’onë. Bile edhe fjalët e tij të fundit kanë qenë të përmbledhuna në binomin e shenjtë FAMILJE – ATDHE.
     Dashunija që ka ushqye midis shokëve asht ndie në mënyrë të prekshme ditën e sotme, me rastin e djegies së trupit të tij.
 
     FJALIMET
     Këtu poshtë po shtypim fjalimet që mbajtën z. Prof. Filip Llupi, n’emën të Inspektoris, fjalimin e nxansit Tomorr Jarani, n’emën të shokëve dhe fjalimin e Z. Daut Shehu, n’emën të Shoqnis Akademike Shqiptare në Ëienë “ALBANIA”.
     Qe fjalimi i Prof. Filip Llupit :
     Nxanës i im Besim,
     Kur Shqipnija kishte nevojë ma të madhe për fuqina djaloshare të shëndoshta e të pastërta, ti, o nxanës i im i dashtun, u largove nga rrethi i ynë. Vdekja e yte më 21 Nanduer, shtatë ditë para përkujtimit të festës s’onë ma të madhe Kombëtare, na hapi nji boshësi në zemrat t’ona e të shokëve të tu.
     Lajmi i hidhun u përhap goja gojës me heshtje trishtimi e me pikllim zemre : Besim Merlika – Kruja, në moshën prandverore, mordja e pa mëshirshme, e shkëputi prej nesh.
     Sa me gëzim e hare u nisëm nga Tirana me 2 Maj 1944 të gjithë bashkarisht, e me sa pezmatim shokët, me të cilët bane udhtimin, sot po të napin lamtumirën e fundit.
     U nisëm me nji qëllim të naltë : Me i shërbye Atdheut Shqiptar. U nise me nji ide të ngulitun në tru e në zemër : me punën e nji puntori të thjeshtë me qenë shembull për të nesërmen e Shqipnisë.
     Kemi shumë kujtime të bukura nga ty o Besim i dashtun.
     Lindja e yte në nji vend të huej dhe vdekja e yte larg Shqipnisë – fatalitet i tmerrshëm – janë dëshmina vuejtjeje shpirtnore : Janë shtytje që në fillim e deri në mbarim të Jetës s’ate që të bajshin me e çmue Atdheun t’and edhe ma tepër. TI E DËSHIROVE SHQIPNINË – TI E DASHUNOVE SHQIPNINË. Këtë dëshirë e këtë dashuni e pashë un, inspektori i yt, me sytë e mij, kur ti i vetëm ndër të gjithë prune me vedi SIMBOLIN E BASHKIMIT KOMBËTAR : Flamurin e Kuq me Shkabën Dy-krenore. Dhoma e yte e konviktit ishte e zbukurueme e e stolisun me Flamurin e Skanderbeut.
     E pashë un dhe e panë të gjithë shokët e tu, kur ai Flamur stolisi sallën e Shoqnisë “ALBANIA” me rastin e rithemelimit të saj në Ëien. Hija e Flamurit shqiptar zbukuroi Sallën e vorfën të nji Shoqnije, antar i së cilës qe edhe ti me mish e me shpirt. E ndjeva un me ndjenjat e mija, e ndien të gjithë shokët e tu kur pardje, me rastin e përkujtimit të 28 Nandorit, mungesën e atij Flamuri që të hijeshonte me hijen e vet krenare, tryezën e vogël të folsit shqiptar.
     E festuem 28 Nandorin me shpirt të shkyem e me zemër të plasun nga ngjarjet e fundit. Por këtij dëshpërimi i u shtue edhe dëshpërimi i vdekjes së nji nxansi t’im, të nji shoku t’onë.
     Të kujtojmë o Besim i dashtun, kur ti i udhëhequn nga dëshira e ides t’ande të ngulitun, ngriheshe në të zbardhun të ditës si puntuer i thjeshtë, pa zhurmë, me freski zemre, si vetë flladi i mëngjezit, për të mësue ate që do t’u mësojshe shokve t’uej të vegjël në Atdheun t’and, në Shqipni.
     Të kujtojmë o Besim në shtratin e spitalit, kur ti me aqë kurajo e ngushllove vedin, i dhe zemër vehtes, u mundove me i qëndrue kosës së pamëshirshme të vdekjes që të shtriu më 21 Nanduer, në kohën e drekës, në moshën ma të bukur të Rinisë.
     I kujtojmë o Besim i dashtun, fjalët e tua të fundit : Nanë, Vëlla, ATDHE. Baba i yt të qe pranë. Ai të mbushi me dashuninë e tij atnore.
     Me këto kujtime të bukura, un e të gjithë shokët e tu, të gjithë ata shokë që të deshtën e të nderuen si vëlla, kemi ardhë këtu që të përshëndesim për herën e fundit. Dhimbën e atit t’and e përpjestojmë : Ai humbi birin e vet, un humba nxansin t’im e shokët e tu humbën shokun e tyne.
     Shpirti i yt engjulluer – bane o Zot – pushoftë në Paqe e Qetësi Hyjnore.
*****
     Mbas Z. Inspektorit, Prof. Filip Llupit, mbajti fjalimin e poshtëshënuem nxansi Tomorr Jarani.

Dy pika lot mbi vorrin e Besim Merlikës
     Në mes të sa e sa halleve dhe të mjerimeve, në mes të sa e sa vuejtjeve dhe tronditjesh të randa, s’fundi marrim vesht edhe lajmin e hidhun se Besim Merlika ndrroi jetë. E dijshim që ishte i sëmundë por shpresat e kota na gënjyen edhe këtë herë. Mortja e pamëshirshme na e rrëmbeu gjinit, mu atëherë kur shpresojshim t’a shihnim sërisht të ngrihej, atëherë kur kishim ma tepër se kurrë nevojë për njani tjetrin. E qajmë me lot humbjen e këtij filizi, sepse qe i ri, i dashtun e shpirt mirë. E mbaj mend si sot, të ndyerin djalosh kur ulesh madhnueshëm në tryezën e tij, dhe heshtaz, si një burrë i pjekun shqyrtonte punët e veta. Kur ndonjani e pyeste i përgjigjej gjithmonë me butësi e ambëlsi, se vetëm mjaltë e sheqer rridhnin buzët e tij.
     Sado të forta dhe të pamëshirshme zemrat njerzore prap se prap përpara kësi rastesh zbuten e vajtojnë. Qajnë për fatin e këtyne krijesave, që porsa fillojnë t’a shijojnë pemën e jetës dhe të bahen me i vjeftë vehtes e Kombit, rrëmbehen pa pritmas nga rryma e tërbueme e fatit të pamëshirshëm dhe mbarojnë në fundin e humnerave.
     Besim,
     Na le vetëm në këto orë të vështira. Zhdukja e jote e pakohëshme varrosi randë zemrat t’ona dhe të prindvet, që shikojshin në ty të vetmen dritë dashunije. Ndalove, pa e filluem ende udhtimin e gjatë të jetës, se krymbi i pamëshirshëm t’i breu gjethet e jetës dhe mbarove në stinën ma të bukur prandverore, pa muejt me i plotsue andrrat e dëshirat. Por qëllimi i shenjtë, për të cilin ti u sakrifikove, do të vazhdohet ma me zell nga luftëtarët e tjerë të pendës. Atëherë kur Shqipnija do të vallëzojë në vallen e shteteve të lirë, atëherë shpirti i yt do t’a fitojë dritën dhe lumtuninë e kërkueme.
     Ji i sigurtë se do të punojmë, dhe s’do të harrojmë kurrë, por do të qëndrosh gjithmonë i gjallë si përpara në mendjet e në zemrat t’ona. Tani pusho i qetë, e t’u baftë i lehtë dheu që do të mbulojë shpirtin t’and engjulluer.
*****
     Flet N/Kryetari i Shoqnisë “ALBANIA”, studenti Daut SHEHU.
     Pastaj mori fjalën studenti Daut Shehu, i cili me cilsine  tij si N/Kryetar i Shoqnisë “ALBANIA”, foli n’emën të Këshillit drejtues të Shoqnisë. Ai tha :
     I dashtuni shok Besim,
     Lule e porsa çelun për fazën e rinisë. Sëmundja e pamëshirshme të cilën e përballove, mjerisht nuk munde me i shpëtue se ajo qe e keqe, e pa ndjenja. Por mos u dëshpro, se atë për të cilin njeriu lufton në jetë e ke sigurue : Kujtimin e mirë.
     I njerëzishëm, i dashtun me të gjithë e prej të gjithve, viktimë e detyrës dhe plot me ndjenja atdhetare të thjeshta. Këto, për moshën që pate, janë të mjaftueshme që ti të mbetesh gjatë ndër zemrat e të gjithë shokve dhe nji ngushullim i përhershëm për familjen t’ande e cila në këtë çast mallëngjimi zavendsohet nga shokët e tu, të cilët tue pasun me vehte dhe zemrat e antarve të tjerë të shoqnisë, jetën e së cilës me aqë interes e ndoqe, kanë ardhun me i urue shpirtit t’and prehjen e duhun në botën e qiejvet. 
     Pushofsh në Paqe !
*****
     Fjalimin e shokut Kolë Nogaj, mjerisht nuk e kemi, se me këtë mënyrë do t’ishim besnikë kronikës së zhvillueme me rastin e Vdekjes së nji shoku t’onë, që e deshtëm e na deshti me fuqi të nji shpirti që kishte nisë të shpërthejë në jetën njerëzore.
    
 
(Meqënëse tekstin e fjalës së Kolë Nogajt e gjeta së bashku me materialet e tjera të arkivit të familjes, po e rrjeshtoj këtu për të plotësuar verbalin e një ceremonie vdekjeje prekëse të një djaloshi 19 vjeçar, që ndërroi jetë larg familjes dhe Atdheut, duke lënë një plagë të pashërueshme tek njerëzit e tij, kryesisht tek nëna, së cilës nuk i u thanë kurrë lotët deri sa shkoi n’atë jetë, për t’u bashkuar me të.
     Hiri i Besimit, mbas një farë kohe, u transferua nga varrezat e Vjenës në ato të Gracit ku qëndroi deri në vitin 2006, nën kujdesin e familjes së mikut të shtëpisë Z. Hajdar Kërçiku, të cilit familja e të ndjerit Besim i është mirënjohëse në jetë të jetëve.
     Në vitin 2006 kutia metalike me hirin e tij u soll në Shqipëri, duke u rivarrosur në varrezat e qytetit të Krujës, së bashku me eshtrat e nënës Caje. Kështu nënë e bir, mbasi janë bashkuar në vitin 1980 në jetën e pasosur, tani prehen të qetë në banesën e përjetëshme në tokën e vëndlindjes së prindërvet, në Krujën e Skënderbeut, për të cilën Besimi ndjehej aq shumë krenar atje në Vendet e Evropës ku filloi dhe mbaroi jeta e tij e shkurtër.                                             Eugjen Merlika)
 
Kujtim i vorrimit të Besimit
     Në moshën 20 vjeçare, në lulen e djelmënis, u ndave nga gjini ynë, Ti nji nga shokët t’onë ma të mirë, Besim Merlika – Kruja.
     Mungesën T’ande shumë të madhe, nuk po e ndijmë vetëm sot, por janë mâ se tre muej që nji smundje e pamëshirshme Të largoi nga rrethi i ynë, tue të munduem për një kohë të gjatë, sikur të donte me na mbajtë me shpresë, se dikur do të lironte nga kthetrat e veta dhe Të kthente përsëri në gjinin t’onë.
     Por ajo nuk pati dhimbë për Ty, nuk pati dhimbë për ne, dhe mâ s’fundi i a dorzoi trupin T’and, ende të njomë, mortes mizore tue Të shkëputë përgjithmonë nga sytë t’onë. Ndamja e Jote o djaloç nuk pikëlloi vetëm zêmrën e babës T’and, të cilin Ti pate fatin me e pasë pranë, me u përmallue e me u përqafue me Tê deri në minutën e fundit, por njikohsisht edhe me aq dhimtuni të gjithë Shqyptarët e Vjenës, ashtu edhe të gjithë të huejtë e Vêndit që Të kanë njoftë.

     Besim, Ti kje i ri në moshë, por ftyra e Jote serioze pasqyronte nji djalë me shpresa të mira, në të vërtetë nji asi djaloshi që i ka hije me paraqitë djelmëninë Shqyptare në nji Vênd të huej. Ti e çmove fare mirë misjonin për të cilin ishe dërgue ktû, prandej këtë misjon e kishe bamë nji ideal, dojshe me e kryem mâ s’miri, dojshe me e bâmë detyrën T’ande kundrejt Atdheut e familjes, dojshe me i ndejtë besnik edukatës së prindvet dhe zakonevet t’Atdheut, ashtu siç i ká hije nji Shqyptari të mirë. Ti dojshe me dalë nji puntor i mirë, me shkollë e profesion, asi putorit për të cilët ká me të vërtetë nevojë Shqypnija.

     Por Ti nuk kje vetëm nji student i mirë, kje edhe nji trim i fortë. Nuk mund t’a harroj kurrë, kur Ti i  shtrimë në shtratin e vdekjes, ndërsa po përqafojshe babën T’and, ndoshta n’atë moment Ti përqafojshe me mênd nanën, vllaznit e dashamirët Tuej atje larg n’Atdhe, Ty atëherë të shpëtuen me plot arsye vetëm dy pika lotë, pse dishrojshe me i pasë pranë, e me gjithë qi zêmra nuk të lshoi kurrë, sikur të dojshe me justifikuem turpin T’and e me thanë se burrat nuk kjajnë u solle kah un edhe më thé : “mos më tradhto ndër shokë”.

     Besimi, qysh ditët e para t’ardhjes vet ktu, Ju dedikue punës me gjithë shpirt, pa marrë parasysh gjendjen e Tij të dobët shndetsore, por nuk mjaftoi vullneti i Tij i çeliktë, pse trupi, ende i njomë, nuk mujti me ecë paralel me vullnet. Ai e tradhtoi dhe ne kemi fatin e keq të përcjellim kufomën e Tij në pushimin e pasosun. Por neve o shokë, kufoma që kemi përpara nuk na paraqet Besimin, sepse Besimin tashmâ na e kemi futun në zêmër, e kemi ngulun në mend.
     Na erdhëm së bashku si nji trup i vetëm, për të njajtin qëllim, për të kryem të njajtën detyrë. Në kjoftë se ky bllok i yni ngeli i plagosun materialisht, shpirtënisht ai u forcue, pse me humbjen e shokut t’onë të shtrenjtë bahet mâ  imperativ zani i detyrës për të cilën  jemi ngarkue. Edhe përsa i përket humbjes  së Besimit, ky blloku i jonë  ngushullohet me fjalët e të parvet që thonë : kush sakrifikohet për nji ideal, ai nuk vdes, por rron e forcon themelin e ndërtesës që ne të gjithë e kemi marrë përsipër t’a naltësojmë.
     O i dashtun Besim !
     Ti pate fatin e idhtë të mbyllje sytë larg Atdheut t’onë Shqipni, të cilën Ti e deshte aq fort dhe nuk e ndave prej gojës deri në momentin e fundit, pse Ti e dijshe se ajo po vuente e po luftonte për shpëtim kundra anmiqvet, ashtu sikundër ti vetë po luftojshe kundra vdekjes. Edhe baba i yt, i cili mundohej me T’i lehtësue dhimbjet gjatë sëmundjes, dijti me T’a lehtësue edhe në çastin e fundit dhimbjen mâ të madhe, tue të thanë se Shqypnija pa tjetër do të shpëtonte. Atëherë buzëqeshja e Yte karakteristike tregoi nji qetsim zêmre, sikur të dojshe me thanë se vdekja e Yte nuk kishte mâ randësí.
     Ne pra, shokët Tuej, jemi mbledhë ktû jo vetëm për të dhanë përshëndetjen e fundit, tue Të kushtuem njikohsisht kujtimin t’onë të përhershëm, por edhe me shmbullin T’and për të forcue vullnetin t’onë kundrejt misjonit të shenjtë për të cilin na kanë dërgue.
     Edhe ti o tokë që po mbulon Besimin t’onë të njomë, randoju lehtë, siç do t’u randonte toka e vet arbërore.
     Trupi i Yt pushoftë në paqë.
     Ëien, 30 Nanduer 1944                           Kolë Nogaj
 
     Dy fjalë mbi përshtypjen e shkaktueme mbas vdekjes së Besim Merlikës
     Janë pa shokë që mbasi janë kthye nga Krematoriumi, të bisedojnë me nji zjarrmí të pashoqe mbi virtytet,  me të vërtetë burrnore, për moshën aqë të njomë  të shokut Merlika. Që të gjithë kanë humbun nji shok me të cilin kishin qejf me bisedue e me u këshillue me tê. Përshtypja e lanun prej tij asht përshtypja e nji njeriu që, gjatë jetës së vet, ka lanë vetëm kujtime të bukura që meritojnë të jenë shembull për shumë prej nesh.
    Nga Sekretarija e Inspektorisë së studentave Shqiptarë në Wien
                                p. Sekretarin
                                      Firma                                                                                        
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Urdhër arrest për dy vëllezërit Duka, armiqtë e betuar të Ervis Martinaj! Si nisi përplasja mes tyre

Urdhër arrest për dy vëllezërit Duka, armiqtë e betuar të Ervis Martinaj! Si nisi përplasja mes tyre