Ikja e Liridonit dhe turpi ynë

Ikja e Liridonit dhe turpi ynë

Liridon Azemi

Ikja e tij më ka trazuar thellë këto ditë mendimet dhe shpirtin. Edhe pse Liridonin nuk e pata bashkëudhëtar në ngjitjet e mia malore, buzëqeshja e tij që kur mësova lajmin e trishtë të humbjes së tij tragjike në Majën e Thatë, më ka krijuar ndjesinë sikur ai të ishte një prej nesh. Në fakt kjo është ndjesia që të japin vetë malet. Ku ti njeh dhe krijon shoqëri të reja dhe kur jemi aty në majë, të gjithë se çmarrim një lloj rrezatimi në fytyrë, ashtu si Liridoni, nga Podujeva.

Që ngjitjen e tij të fundit në këtë jetë e pati në mesin e muajit korrik të këtij viti. Pasi një moment fatkeq ia ndërpreu jetën në mes. Një pabesi e natyrës, një gur i lëvizshëm, që e tradhtoi në zbritje dhe e mori me vete. Vetëm një orë pasi bashkë me katër pjesëtarët e tjerë të guidës kishte ngjitur majën, e cilësuar si një prej ngjitjeve teknike më të vështira në Alpet Shqiptare, në këtë rast të Jezerës. Por ky është mali dhe këta janë alpinistët.

Në një farë mënyre apo tjetër na ka ndodhur të gjithëve. Në një rrethanë apo tjetër. Shpesh nuk I tregojmë incidentet tona në male, që të mos shqetësojmë familjen dhe të afërmit. Sigurisht që dhimbja më e madhe në humbjen e Liridonit dhe ai që do ta ketë një traumë për gjithë jetën, është daja i tij, i cili ishte edhe guida në këtë ngjitje. Edhe pse në ngjitje të tilla dhëmb njësoj, kur humb një pjesëtar të grupit. Jo më, kur ai është njeriu yt i zemrës.

Unë vetë edhe pse nuk isha aty, më ka tronditur thellë kjo ngjarje. Dhe mu desh të mësoja diçka më shumë nga një prej pjesëtareve të këtij grupi fatkeq. Elvira, një vajzë, një nënë, një grua shumë e fortë nga Prishtina. Me të cilën vitin e kaluar pikërisht në këtë kohë, së bashku me 15 maloristë të tjerë, ngjitëm malin Ararat në Turqi, 5137 m. Ajo që sigurisht ka përjetuar momente tmerri teksa ka parë t’i humbë nga sytë në humnerë një prej bashkëudhëtarëve të saj, në ngjitjen e Majës së Thatë,2400 m. Por sikur të mos mjaftonte ky tmerr, një tjetër duket se nuk do të kishte fund.

Tmerri i braktisjes! Ndjesia se të kanë lënë vetëm në mal bashkë me viktimën. Edhe pse kushtrimi u lëshua që në minutat e para kur ndodhi ngjarja fatale, shteti shqiptar ishte i papërgatitur për tu ardhur në ndihmë 3 alpinistëve të mbetur të bllokuar në mal. Ekipet e kërkim shpëtimit malor në Shqipëri, duket se nuk ekzistojnë. Ose në rastin më të keq janë disa policë të komisariateve periferike, të cilët e vetmja gjë që mund të bëjnë është të ngjiten deri në lartësi të vogla. Ndryshe nga Kosova që ka një njësi të përgatitur të Kërkim Shpëtimit Malor.

Ashtu siç edhe ndodhi, të cilët u nisën nga Kosova drejt vendit ku kishte ndodhur tragjedia. Por të të cilëve iu deshën orë të tëra për të mbërritur aty. Por sikur të mos ishte vetëm mungesa e një ekpi të shpëtimit malor, në Shqipëri, kështu u tha në rastin konkret, nuk kishte as helikopter për të evakuuar trupin e viktimës dhe tre alpinistët e bllokuar. Dhe atë që se bëri një helikopter i forcave tona ajrore, e bëri një fluturues privat. Skandal i padëgjuar.

Më vjen turp të them që ky është shteti im. Dikush mund të thotë, që përgjegjësia është individuale. Dhe se çdo alpinist duhet ta marrë vetë përsipër riskun, qoftë edhe të jetës. Jo, nuk është kështu. Një vend që prioritet ka turizmin, qoftë atë detar apo malor nuk mund të sillet kështu. Kjo më ka trishtuar edhe më shumë në tragjedinë e fundit. Liridoni ishte alpinisti i dytë në 40 vite që humbi jetën në Majën e Thatë.

Pas alpinistit nga Fieri Pëllumb Llabonisht në vitin 1985. Që nga viti 1985 nuk u raportuan më humbje në këtë majë. Me qindra të tjerë e kanë ngjitur dhe zbritur me sukses këtë majë. Cilësoj edhe zbritur, pasi ndonjëherë zbritja është shumë më e vështirë sesa ngjitja, për ata që e njohin malin. Por që të kthehem te helikopteri i munguar dhe justifikimi i gënjeshtërt i autoriteteve tona se në atë zonë ishte e pamundur të futej fluturaku i tyre, a thua se ishte në Everest, më duhet të kujtoj ngjitjen time të fundit në Malin e Trigllavës në Slloveni, në muajin korrik të këtij viti, lartësia 2895 m.

Se si sillet një shtet serioz dhe që turizmin e ka në prioritetet kryesore. Sllovenia nuk ka dalje në det. Dhe Malin e Trigllavës e ka ndër krenaritë e saj, turistike. Përpos faktit që ky mal është edhe personifikim i vetë flamurit slloven, pasi kushdo mund ta shquajë në heraldikën e këtij flamuri. Mijëra alpinistë ngjisin këtë majë në çdo stinë të vitit. Ajo që më bëri përshtypje në këtë ngjitje, ishin dy mjete fluturake që vinin gjithë kohës mbi kokat tona. Njëri shumë i zhurmshëm, dhe tjetri vetëm me dy rrokje kra-kra. I pari një helikopter që ishte gjithmonë mbi kokat tona, në gatishmëri për çdo emergjencëh, dhe të dytët korbat që na shoqëronin deri në majë.

Po para se destini ynë të ishin korbat, fillimisht ishin helikopterët dhe sigurisht mënyra se si duhet ti mbanin duart në rast nevoje. Kurse shteti ynë mesa duket ka të kundërtën. Unë do të doja ta shkruaja ndryshe këtë histori. Të shkruaja për ndodhi të bukura në mal. Për përshtypjet tona. Për bisedat  dhe eksperiencat që ndajmë me njëri-tjetrin. U përpoqa shumë të merrja kohë. Por portreti i buzëqeshur i Liridonit më ka mbetur në mendje, dhe nuk e di për sa kohë. Sepse sinqerisht mu duk sikur kisha kohë që udhëtoja me të buzëqeshje.

Por nuk mund të rrija dhe të heshtja, kur shikoj papërgjegjshmëri totale nga shteti ynë. Majën e Thatë dhe shumë maja të tilla, do të vazhdojnë ti ngjisin edhe shumë alpinistë të tjerë. Por dikush këtu duhet të kujtohet që nuk mjafton të krenohesh me numrin e turistëve që të vijnë, por se sa ti je në shërbim të tyre. Shqipëria është një potencial i madh turistik. Sidomos malor. Shumë alpinistë të huaj, kanë ardhur dhe po ngjisin majat tona. Disa prej tyre, kanë pësuar edhe incidente të rënda, gati fatale për jetën. Por ne duhet të jemi të gatshëm për një epokë të re të zhvillimit të turizmit malor.

Dhe jo të hiqemi të pandjeshëm. Nuk ka reklamë më të madhe, se sa ajo që alpinistët, qofshin këta edhe të huaj, u bëjnë maleve tona. Për këtë arsye Njësia e Kërkim Shpëtimit Malor është emergjencë. Turizmi është e vetmja pasuri kombëtare që kemi dhe që duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Por duhet të ruajmë duke qenë të ndërgjegjshëm që turisti është gjithmonë mbreti dhe jo si në rastin e Liridonit dhe tre alpinistëve të tjerë që i lamë për orë të tëra të braktisur në mal.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Po mër po: 03/08/2024 08:01

    Turpi nuk është i yni, por individual sipas Ramës

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste!  Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste! Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty