'Ikja e trurit'/ Prurjet valutore të emigrantëve, sa 15% e prodhimit vendas

'Ikja e trurit'/ Prurjet valutore të emigrantëve, sa 15% e prodhimit vendas

Dërgesat në para të migrantëve kanë ndihmuar kryesisht në konsumin e përditshëm dhe mbijetesën ekonomike të familjeve shqiptare. Ato kanë plotësuar nevojat themelore të jetesës për ushqim, veshmbathje, shpenzime për kujdes shëndetësor, arsimim të fëmijëve apo për ndërtimin dhe mobilimin e shtëpive.

Studimet tregojnë se një vit qëndrim në emigracion i një pjesëtari të familjes, sjell një rritje prej 5 për qind të konsumit për familjen e tij. Por, këto dërgesa nuk kanë ndikuar sa duhet në zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Varësia e ekonomisë shqiptare nga remitancat është e ndjeshme. Ato kanë përbërë 9–15 për qind të GDPsë dhe rreth 15 për qind të të ardhurave familjare.

(Në një kohë që India, si pritësi më i madh i remitancave në botë, përfiton rreth 20 EUR për frymë dhe më pak 1 për qind të GDP-së.) Shqipëria renditet ndër vendet me shkallë varësie të lartë nga remitancat.

Dinamika e remitancave në vend është zhvilluar në tri faza: Faza e rritjes, 1991–2007; Faza e rënies, 2008–2013; Faza e ringritjes, prej vitit 2014. Remitancat erdhën duke u rritur nga viti 1991 në vitin 2007, kur arritën në maksimumin e tyre.

Në këtë vit në Shqipëri hynë në formë remitancash 952 milionë euro dhe ishte vendi me varësinë më të madhe nga remitancat në rajon, me mbi 300 euro për frymë.

Pas këtij viti remitancat erdhën në rënie, duke arritur pikën më të ulët në vitin 2013, nën nivelin 500 milionë euro. Pakësimi i remitancave shkaktoi rritje të varfërisë. Remitancat filluan të rriten në vitin 2014, duke arritur në 592 milionë euro dhe në vitin 2016 arritën në 616 milionë euro.

Rënia e remitancave drejt Shqipërisë ndodhi kryesisht për shkak të krizës ekonomike në vendet kryesore pritëse si Greqia dhe Italia. Por, vlen të shtohen shkaqe të tjera si maturimi i procesit migrator, mplakja e brezit të parë të migrantëve, rritja e shpenzimeve për brezin e dytë dhe të tretë të emigrantëve, kristalizimi i projekteve migratore, rritja e kostos së shërbimeve publike dhe jetesës në vendet pritëse, modifikimi i sjelljes dhe projekteve individuale e familjare për shkak të pasigurisë e ankthit që shkakton kriza financiare etj.

Kanalet kryesore të dërgimit të parave prej emigrantëve shqiptarë familjeve të tyre fillimisht kanë qenë informale. Ato janë sjellë pranë familjes nga të interesuarit ose dërgimit përmes të afërmve e miqve. Në një fazë të mëvonshme filloi dërgimi i tyre i formalizuar nëpërmjet korrierëve të paguar dhe institucioneve jobankare.

Në fazën e tretë ka nisur edhe dërgimi i tyre nëpërmjet sistemit bankar. Sistemi bankar është shfrytëzuar fillimisht pak për dërgesat e emigrantëve. Kjo ka ndodhur për arsye historike, psikologjike e praktike. Ndër arsyet kryesore renditen kultura bankare e kufizuar, produktet bankare të pakta, kostot e larta të transfertave dhe besimi i ulët te bankat sidomos e zhvilluar kjo për banorët e zonave rurale në vend.

Ikja e trurit
Niveli i lartë i largimit të njerëzve të kualifikuar është një karakteristikë e migrimit të shqiptarëve të Shqipërisë, krahasuar me shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Në 1990, 40% e arsimtarëve dhe studiuesve u larguan nga Shqipëria.

Në fillim të viteve 2000, rreth 60 për qind e të diplomuarve në vendet perëndimore ose ishin larguar nga vendi ose nuk ishin kthyer pas diplomimit. Shqetësues është fakti se pjesa më e madhe e profesionistëve të kualifikuar kanë gjetur punë në sektorë që ndryshojnë nga kualifikimi i tyre.

Largimi i “trurit” përfshin akademikët, personat e kualifikuar në fushat të ndryshme, si edhe një numër të konsiderueshëm studentësh shqiptarë që studiojnë në universitete të huaja. Nga Italia e Greqia, “truri” i vendit largohet në drejtim të Kanadasë, SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të BE-së.

Fenomeni “Brain Drain” është etiketuar në mënyrë simbolike si fenomeni “Kanada”, duke qenë se politikat e emigracionit të qeverisë së Kanadasë favorizojnë emigrimin e njerëzve të kualifikuar. “Humbja” e personave të kualifikuar dhe të arsimuar vlerësohet si një dëm i zhvillimit social-ekonomik të një vendi, pasi ata janë forca drejtuese e çdo vendi.


Lajmi kryesor:

Diaspora, qeveria miraton strategjinë dhe plan-veprimin


/b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar