Diaspora, qeveria miraton strategjinë dhe plan-veprimin

Diaspora, qeveria miraton strategjinë dhe plan-veprimin

Emigrantë

Qeveria shqiptare ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Diasporën 2018–2024 dhe planit e veprimit të saj. Vendimi përkatës lidhur me këtë strategji ka hyrë tashmë në fuqi, pas botimit të djeshëm në Fletoren Zyrtare.

Në këtë dokument të rëndësishëm jepen shumë detaje lidhur me valët e emigracionit, arsyet, vendet me popullim më të madh nga shqiptarët, si dhe faktorët ekonomikë që lidhen me këtë fenomen.

Diaspora është një term i njohur më shumë se 2.500 vite më parë. Sot kjo fjalë mund të përcaktohet si “bashkësi migrantësh, që ruajnë lidhjet materiale apo sentimentale me atdheun, duke u adoptuar në mjedisin dhe institucionet e shoqërisë mikpritëse”. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia (Lugina) janë hapësira, që përfshijnë shtetet dërguese të shqiptarëve për migrim.

Diaspora shqiptare është tradicionale. Rreth 200 000 njerëz migruan kur osmanët pushtuan tokat shqiptare në shekullin XV. Më vonë, shqiptarët lëviznin brenda territorit osman, dhe mbanin, gjithashtu, pozita të rëndësishme në strukturat osmane në vende të ndryshme të Perandorisë.

Një prej diasporave më të vjetra shqiptare është komuniteti arbëresh në Itali, i cili akoma ruan rrënjët e veta kulturore dhe gjuhësore. Kjo popullatë është pasardhëse e atyre familjeve shqiptare, që udhëhiqnin Shqipërinë në shekullin XV kur osmanët pushtuan këtë zonë dhe ata u bën refugjatë kryesisht në Mbretërinë e Napolit.

Diasporë me origjinë shqiptare gjendet në Turqi. Për një kohë të gjatë ishte e rrezikshme të deklarohej prejardhja shqiptare, por në Turqinë e sotme, diaspora shqiptare është e respektuar dhe historiografia turke çmon rolin e rëndësishëm që kanë luajtur shqiptarët në hierarkinë osmane, por edhe më vonë në kohën e themelimit të shtetit modern të Turqisë.

Migracioni për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i konsoliduar në kohë dhe në vitin 2012, shoqata më e vjetër kulturore shqiptare “Vatra” festoi përvjetorin e saj të 100-të.

Në Rumani, Kroaci, Bullgari, Ukrainë, Egjipt deri në Argjentinë ekziston një diasporë, e cila edhe pse e vjetër ruan lidhjet gjuhësore dhe është në kërkim të identitetit të vet. Sot, diaspora shqiptare është e pranishme në shtetet evropiane, Kanada, Australi dhe në Afrikë. Në shumicën e vendeve mikpritëse, shqiptarët kanë themeluar organizatat e tyre.


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:53
Shqipëria, vendi me fluks më të lartë të emigrimit në Evropë

Diaspora shqiptare është e ndërlidhur me procesin e “pjekurisë” së migrimit. Në raport me të, për Shqipërinë e periudhës kohore të fundit, mund të identifikojmë tri faza të migracionit: vala e migrantëve para vitit 1944; diasporën më të vonshme të atyre, që u larguan gjatë viteve 1945–1990 dhe që përkon kryesisht me shqiptarët në ish-Jugosllavi; valën e madhe të migrimit pas rënies së komunizmit, pas vitit 1990.

Në vitin 1989, rreth 19.5% e popullatës i përkiste grup-moshës 15–24 vjeç. Izolimi politik i regjimit komunist dhe ideja e lirisë në Perëndim, u personifikuan si ide të lirisë së lëvizjes dhe migrimin drejt shteteve fqinje, kryesisht në Itali dhe Greqi. Lëvizja jashtë vendit shihej si një investim për të ardhmen dhe për një jetë më të mirë.

Shqipëria u bë vendi me fluksin më të madh të migrimit në Evropë, sipas matjes së raportit mes migrantëve dhe popullsisë. Kjo fazë e migrimit mund të ndahet në disa periudha: periudha 1991–1992, e cila ishte tërësisht e pakontrolluar, kur përafërsisht 300 000 shqiptarë braktisën vendin; periudha e viteve 1992–1996, kur po aq migruan, kryesisht ilegalisht, përkundër përmirësimeve të përkohshme të ekonomisë dhe kontrollit më të mirë kufitar; periudha 1996–1997, menjëherë pas krizës së rënies së skemave piramidale të kursimeve të një numri të konsiderueshëm njerëzish. Shqipëria u zhyt në anarki dhe shumë të tjerë u shpërngulën nga frika e dhuna; periudha pas vendosjes së lëvizjes së lirë të njerëzve ku ata mund të lëviznin lirisht vetëm me pasaportën shqiptare.

Gjatë dekadës së parë së tranzicionit u shfaq një mungesë e kontrollit qeveritar mbi migrimin. Në fillim të viteve 2000, përafërsisht 25% e popullatës së përgjithshme, apo mbi 35% e fuqisë punëtore, kishte emigruar.

Faktorët
Njerëzit migrojnë kur në vendin e tyre mungojnë burimet dhe mundësitë për të përmbushur nevojat dhe aspiratat e tyre. Termi “Për një jetë më të mirë” përfshin disa faktorë të cilët i detyrojnë shqiptarët të largohen nga vendi. Kjo është e reflektuar në mungesën e njëtrajtshmërisë ndërmjet migrantëve shqiptarë.

Faktorët kryesorë janë kryesisht: Faktori ekonomik: shqiptarët janë larguar kryesisht për arsye ekonomike, siç janë mungesa e mundësive të punësimit apo kushtet e vështira të jetesës, veçanërisht në disa zona ku mungojnë kushtet elementare si energjia elektrike, uji dhe strehimi; Siguria publike: Shqipëria është përballur me flukse masive emigratore si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë publike apo trazirave në vend. Një numër i madh i personash të kualifikuar, me kushte të mira ekonomike, janë larguar nga vendi për një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjen e tyre.

Kjo dukuri ka ndodhur veçanërisht pas trazirave të vitit 1997 dhe u shoqërua me një valë tjetër largimi. Po kështu, institucionet e dobëta çojnë në mungesën e besimit te qytetarët për përmirësimin e situatës në vend, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore. Një rast i veçantë, janë largimet për shkak të traditës së “gjakmarrjes”, të cilat kanë një ngarkesë sociale dhe kulturore të veçantë në zonat veriore të vendit.

Largimet
Arsyet e largimit kanë ndryshuar peshën me kalimin e kohës. Në një studim i cili tregon arsyet e largimit nga Shqipëria në vitin 2017, sipas INSTAT-it, vlerësohen në pesë kategori faktorët e largimit nga vendi. Ndër faktorët kryesorë në kushtet e lëvizjes së lirë në hapësirën e Bashkimit Evropian mundësia për të punuar jashtë vendit zë vendin e parë (në rastet e individëve të cilët kanë qenë të punësuar edhe në Shqipëri 84%), pastaj vjen faktori familjar (4.6%), i cili ndiqet nga faktori i papunësisë si pamundësi (4.2%), mundësitë e studimit (3.5%) dhe faktorë të tjerë (3.6%).

Fqinjët
Në përzgjedhjen e shtetit mikpritës faktor kryesor për migracionin e ri shqiptar ishte afërsia gjeografike, kulturore dhe gjuhësore. Fqinjët si Greqia dhe Italia ishin destinacionet kryesore gjatë periudhës së viteve 1992–1995. Vendet e lartpërmendura janë parapëlqyer edhe për shkak të mundësive të pakta për të zbatuar një projekt të kushtueshëm migrimi. Parapëlqimi i migrantëve shqiptarë për shtetet e tjera të Evropës Perëndimore, apo SHBA-së u kufizuan për shkak të gjendjes ekonomike dhe politikave të migrimit në këto vende.

Njëzet vite pas rënies së komunizmit vlerësohej se përafërsisht 1,44 milionë shqiptarë, respektivisht 45 % e popullsisë prej 3,2 milionë që aktualisht jetojnë në Shqipëri, kishin migruar dhe jetonin jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali. Qeveria e Shqipërisë vlerësonte që në vitin 2005 në Greqi jetonin 600 000 shqiptarë, ndërsa në Itali 250 000 (ndonëse burimet italiane pretendonin se gjendeshin rreth 400 000 shqiptarë

Lëvizshmëria e migrantëve që udhëtojnë shpesh mes vendlindjes dhe vendeve mikpritëse është normalizuar për shkak të procesit rregullues (të statusit juridik) në Itali dhe Greqi dhe lëvizjes së lirë pa viza. Ky proces ka krijuar diasporën shqiptare në këto vende e cila fokusohet në stabilizimin e statusit social dhe juridik në vendet mikpritëse për brezin pasardhës.

Ora 07:49
'Ikja e trurit'/ Prurjet valutore të emigrantëve, sa 15% e prodhimit vendas

Dërgesat në para të migrantëve kanë ndihmuar kryesisht në konsumin e përditshëm dhe mbijetesën ekonomike të familjeve shqiptare. Ato kanë plotësuar nevojat themelore të jetesës për ushqim, veshmbathje, shpenzime për kujdes shëndetësor, arsimim të fëmijëve apo për ndërtimin dhe mobilimin e shtëpive.

Studimet tregojnë se një vit qëndrim në emigracion i një pjesëtari të familjes, sjell një rritje prej 5 për qind të konsumit për familjen e tij. Por, këto dërgesa nuk kanë ndikuar sa duhet në zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Varësia e ekonomisë shqiptare nga remitancat është e ndjeshme. Ato kanë përbërë 9–15 për qind të GDPsë dhe rreth 15 për qind të të ardhurave familjare.

(Në një kohë që India, si pritësi më i madh i remitancave në botë, përfiton rreth 20 EUR për frymë dhe më pak 1 për qind të GDP-së.) Shqipëria renditet ndër vendet me shkallë varësie të lartë nga remitancat.

Dinamika e remitancave në vend është zhvilluar në tri faza: Faza e rritjes, 1991–2007; Faza e rënies, 2008–2013; Faza e ringritjes, prej vitit 2014. Remitancat erdhën duke u rritur nga viti 1991 në vitin 2007, kur arritën në maksimumin e tyre.

Në këtë vit në Shqipëri hynë në formë remitancash 952 milionë euro dhe ishte vendi me varësinë më të madhe nga remitancat në rajon, me mbi 300 euro për frymë.

Pas këtij viti remitancat erdhën në rënie, duke arritur pikën më të ulët në vitin 2013, nën nivelin 500 milionë euro. Pakësimi i remitancave shkaktoi rritje të varfërisë. Remitancat filluan të rriten në vitin 2014, duke arritur në 592 milionë euro dhe në vitin 2016 arritën në 616 milionë euro.

Rënia e remitancave drejt Shqipërisë ndodhi kryesisht për shkak të krizës ekonomike në vendet kryesore pritëse si Greqia dhe Italia. Por, vlen të shtohen shkaqe të tjera si maturimi i procesit migrator, mplakja e brezit të parë të migrantëve, rritja e shpenzimeve për brezin e dytë dhe të tretë të emigrantëve, kristalizimi i projekteve migratore, rritja e kostos së shërbimeve publike dhe jetesës në vendet pritëse, modifikimi i sjelljes dhe projekteve individuale e familjare për shkak të pasigurisë e ankthit që shkakton kriza financiare etj.

Kanalet kryesore të dërgimit të parave prej emigrantëve shqiptarë familjeve të tyre fillimisht kanë qenë informale. Ato janë sjellë pranë familjes nga të interesuarit ose dërgimit përmes të afërmve e miqve. Në një fazë të mëvonshme filloi dërgimi i tyre i formalizuar nëpërmjet korrierëve të paguar dhe institucioneve jobankare.

Në fazën e tretë ka nisur edhe dërgimi i tyre nëpërmjet sistemit bankar. Sistemi bankar është shfrytëzuar fillimisht pak për dërgesat e emigrantëve. Kjo ka ndodhur për arsye historike, psikologjike e praktike. Ndër arsyet kryesore renditen kultura bankare e kufizuar, produktet bankare të pakta, kostot e larta të transfertave dhe besimi i ulët te bankat sidomos e zhvilluar kjo për banorët e zonave rurale në vend.

Ikja e trurit
Niveli i lartë i largimit të njerëzve të kualifikuar është një karakteristikë e migrimit të shqiptarëve të Shqipërisë, krahasuar me shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Në 1990, 40% e arsimtarëve dhe studiuesve u larguan nga Shqipëria.

Në fillim të viteve 2000, rreth 60 për qind e të diplomuarve në vendet perëndimore ose ishin larguar nga vendi ose nuk ishin kthyer pas diplomimit. Shqetësues është fakti se pjesa më e madhe e profesionistëve të kualifikuar kanë gjetur punë në sektorë që ndryshojnë nga kualifikimi i tyre.

Largimi i “trurit” përfshin akademikët, personat e kualifikuar në fushat të ndryshme, si edhe një numër të konsiderueshëm studentësh shqiptarë që studiojnë në universitete të huaja. Nga Italia e Greqia, “truri” i vendit largohet në drejtim të Kanadasë, SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të BE-së.

Fenomeni “Brain Drain” është etiketuar në mënyrë simbolike si fenomeni “Kanada”, duke qenë se politikat e emigracionit të qeverisë së Kanadasë favorizojnë emigrimin e njerëzve të kualifikuar. “Humbja” e personave të kualifikuar dhe të arsimuar vlerësohet si një dëm i zhvillimit social-ekonomik të një vendi, pasi ata janë forca drejtuese e çdo vendi.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton