Ikja e Ymer Minxhozit

Ikja e Ymer Minxhozit

Publicisti i njohur Ymer Minxhozi

Telefonata e mëngjesit të djeshëm nga Skënder Minxhozi, ishte nga më të trishtueshmet për mua. Iku Ymeri, më tha. U preka shumë. Ishte pikëllim për ikjen e një miku, të një personaliteti të shquar të publicistikës dhe kulturës shqiptare.

Gazetari dhe publicisti i njohur Ymer Minxhozi u nda nga jeta dje në moshën 91-vjeçare.

Ymer Minxhozi është autor i mbi 20 librave me esse, satirë, shënime udhëtime dhe kujtime. Pasi ka mbaruar studimet në Moskë për gazetari në vitet ’50, ai ka qenë korrespondent i shtypit shqiptar në Kinë dhe vendet e Azisë Juglindore, e më pas ka drejtuar gjatë jetës së tij për shumë vite revistën “Shqipëria e Re”.

Ymer Minxhozi ka përfaqësuar vendin tonë në disa kontakte diplomatike, kulturore e bisedime me vendet fqinje dhe ato evropiane.

Gazetar aktiv dhe i përkushtuar në profesionin e tij, Minxhozi ka qenë prezent me shkrimet e tij edhe pas viteve ’90, kohë gjatë të cilës ka botuar vëllimet “Borë e zezë”, “Shansi i humbur”, “Era e mykut”, “Ditari i tre kontinenteve” etj.

Një shkrim i thjeshtë i një djaloshi në gazetën “Luftëtari” në vitin 1949, pra 72 vite më parë, një shkrim që pakkush mund ta mbajë mend sot, do të hapte rrugën krijuese të një autori me një zë të veçantë në gazetarinë shqiptare. Në fund të atij shkrimi, sipas traditës së atëhershme, shënohej emri: Ymer Minxhozi. Ky autor eci pa u ndalur në rrugën e krijimtarisë publicistike e letrare dhe kishte shumë të drejtë të kujtonte se kish përshkuar një rrugë të gjatë dhe të lodhshme krijuese. Në këtë rrugë janë mijëra artikuj, fejtone, reportazhe, analiza, komente, pamflete, aforizma, shënime udhëtimi, skica, ese, poezi etj., të botuara në shtypin e kohës në mënyrë thuajse të pandërprerë, si dhe mbi njëzetë libra që e kanë bërë autorin e tyre mjaft të njohur për lexuesin shqiptar. Një krijimtari kjo mjaft e larmishme dhe e begatë. Rrallë gjen ndonjë krijues tjetër në publicistikën shqiptare që të ketë lëvruar me sukses kaq shumë zhanre.

Ruaj shumë kujtime nga miku im Ymer. Ishte një mjeshtër i vërtetë në të shkruar, por edhe në tryeza. Për gazetarët e rinj ai është një model që meriton vëmendje dhe duhet të ndiqet. Në gazetën DITA e kishim mysafir të përhershëm, ku ai shfaqej me intervista dhe shkrime mbresëlënëse.

Ymeri ishte dhe një nga mjeshtërat më të mirë të aforizmave. Shkruante pambarimisht nga ato dhe një pjesë të tyre ne i kemi botuar në DITA. Vitet e fundit ai ndihej i lodhur dhe nuk shkruant5e dot gjatë. Por të paktën një aforizme në ditë e shkruante. Nga entuziazmi, disa m’i thoshte në telefon.

Ja disa aforizma të tij:

Dikush erdhi e na tha: “Zoti e do Shqipërinë”. Si e do dhe pse e do, akoma nuk e dimë. Ndofta Zoti nuk e kish me ne, apo me ata që u groposën nën dhe.

Koktejl kemi atëherë kur mëngjesin e ha si demokrat, drekën si republikan dhe darkën si monarkist.

Disa parti e quajnë veten elitare, sepse çdo fije skrapi dhe gur Tomorri e kthejnë në pare.

Shkenca që merret me përllogaritjen e të ardhurave mesatare për frymë të popullsisë, na thotë se të gjithë banorët e planetit jetojnë sipas parimeve të komunizmit: Të pasurit e ndajnë pasurinë me të varfrit, të varfrit e ndajnë varfërinë me të pasurit.

Kush e ka parë minierën e Bulqizës dhe Kurorën e Liqeneve të Lurës nga avioni, e kupton më mirë se ç’është Tranzicioni: Një arë e mbjellë me misër dhe që u është dhënë me koncesion derrave.

Në shtëpinë e të varurit nuk flitet për litarin. Prandaj dhe PD-ja nuk i përmend shkaqet e humbjeve radhazi, por sillet si macja rreth qullit të nxehtë.

Milioneri, kur e ndjeu se po i afrohej vdekja, shkoi për të banuar në kasollen e një fshatari të varfër, në periferi, sepse i kishin thënë se aty asnjëherë nuk kishte vdekur ndonjë milioner.

 Posti i lartë, është si këmisha e zjarrtë: Të ngroh, por edhe të djeg.

 Kur lartësia nuk ka edhe thellësi, nuk është gjë tjetër veçse një kullë në hi.

 Në emër të demokracisë, vrasësi e ka të sigurt me ligj jetën e vet. Ndërsa viktimat nuk paraqesin asnjë kërkesë.

 Deti i duartrokitjeve është si të gjitha detet: Mbi të mund të lundrosh (përkohësisht) dhe mund të mbytesh (përfundimisht).

 Shembja e Murit të Berlinit u komentua si fitore historike e lëvizjes së lirë të njerëzve. Tani, pas shumë vitesh demokracie, epidemia e ngritjes së mureve që pengojnë lëvizjen e emigrantëve ka pushtuar jo vetëm Evropën, por ka kaluar edhe përtej Oqeanit.

 Po të vjedhësh pak – bie në lak. Po vodhe me milion – lumin e kalon.

***

Ymer Minxhozi jetoi në tre sisteme dhe mbresat nga jeta e tij e gjatë i ka shndërruar në libra. Mbeti i pavdekshëm te fjala e shkruar për të cilën punoi një jetë të tërë për ta zbukuruar dhe për të ndikuar te bashkëkombasit.

Por unë e përfytyroja në një luftë të pambarimtë, ndërsa ai synonte më të mirën në jetë, jo thjesht për veten e tij, por për gjithë shqiptarët.

Lufta e fundit që ai bëri ishte me koronavirusin. Një vit e ca i mbyllur në shtëpi. Më shumë për të ruajtur të tjerët se veten e tij. Dil, i thosha. Jo, pa mbaruar pandemia nuk dal. Do thonë njerëzit “na i ngjiti virusin Ymeri”. Këto tri-katër ditë kur mendohet se beteja me koronavirusin është fituar, Ymeri iku në heshtje. Është ikja e një fitimtari mbi luftërat dhe betejat që ai i përballoi me dinjitet.

I paharruar qofsh, o Ymer Minxhozi!

Vetmia

Ymer Minxhozi

Tregim i vërtetë nga koha që jetojmë

Ky është një nga tregimet më tronditës për kohën që jetojmë. Shkrimtari dhe gazetari Ymer Minxhozi, si rrallëkush tjetër ka prekur thelbin… Ka vënë gishtin mbi plagë. Natyrisht ky është një krijim sa artistik aq dhe real. Lehtësisht në këtë tregim mund të vihen emra konkretë dhe… nuk do të kishte kuptim të ndaleshim në një histori të veçantë të kohës që jetojmë.

Por kam bindjen se të gjithë ata që do ta lexojnë, do ta përjetojnë me emocion të veçantë…

 

– Po bie dera! – tha plaka.

– Është era. E përplas era, – i përgjigjet plaku, me përtesë.

– Po ti shiko një herë. Unë e dëgjova. Dikush trokiti!

Plaku ngrihet me ngadalë nga stoli ku është ulur në ballkon, del në korridor dhe mban veshin. Askush. Ai kthehet përsëri, ulet në stolin me jastëk dhe hap gazetën.

– S’ka kush të vijë, të kanë bërë veshët, – flet nëpër dhëmbë.

– Thashë se ishte ajo e elektrikut. Sa grua e mirë! Dje ndejti një orë me mua, pimë edhe kafe.

– Po ajo nuk të vjen përditë, moj plakë. Ata të elektrikut vijnë një herë në muaj, jo sa herë do ti. Pastaj, ata vijnë para dite, jo në mbrëmje.

– E zeza ajo! Po luante menç. I është zhdukur mbesa, vajza e vajzës, që prej dy javësh. Në klasën e tetë. Po vinte nga shkolla dhe i kanë dalë përpara dy djem me veturë e janë zhdukur pa nam e pa nishan. Ku nuk kanë shkuar ta kërkojnë. Dridhej si purtekë. E kam rritur vetë, – më tha, se të ëmën e ka në Kanada. Ku të vete e të mbytem!

Plaku vetëm bën sikur dëgjon. “Gjëra të zakonshme” – pëshpërit nëpër dhëmbë dhe vazhdon të jetë i kredhur në faqet e gazetës, madje edhe fytyra i duket përgjysmë prapa atij çarçafi prej letre.

Plaka indinjohet ngase bashkëshortit të saj nuk i bëri asnjë përshtypje zhdukja e mbesës së nëpunëses së elektrikut, por, si zakonisht, nuk shprehet. Ajo e shpërngul vëmendjen drejt strehës së ballkonit, atje ku kanë bërë fole dallëndyshet, dy çerdhe prej balte, ngjitur me njëra-tjetrën. Është në të perënduar të diellit dhe dallëndyshet duken të shqetësuara, cicërijnë më fort se zakonisht dhe shkojnë e vijnë si shigjeta, nga tre-katër njëherësh.

– Po këto, ç’kanë sonte? – pyet të shoqin.

Plaku përgjigjet pa e lëshuar gazetën nga dora:

– Bëhen gati për udhëtime të largëta. Po afron dimri.

– Po ku shkojnë?

– Larg, shumë larg. Kalojnë male e dete.

– Po nuk mbyten?

– Edhe mbyten. Përplasen në telat e tensionit të lartë kur dalin në sterre. I hanë skifterët. Bien në ujë nga lodhja. Po shumica arrijnë të kthehen në foletë e mëparshme. Disa prej këtyre që shohim sonte këtu, do të kthehen në pranverë e do të lëshojnë përsëri vezët në çerdhet e ballkonit tonë.

– Po ku e kalojnë dimrin?

– Në vendet e ngrohta, atje ku nuk bën dimër, në Egjipt, tutje në Afrikë e ku të munden.

– Po në Amerikë, a shkojnë në Amerikë?

– Shkojnë edhe atje, posi. Edhe në Kanada e Australi shkojnë.

Plaku përgjigjet me indiferencë dhe disi i bezdisur, pa i ngritur sytë nga gazeta. Ai po lexon kronikën e zezë që ka zënë gjysmën e faqes së parë.

Plaka vazhdon në të sajën:

– Po t’iu lidhësh një letër në këmbë, a e çojnë në Amerikë?

– Sigurisht. Drejt e në dritaren e Luanit e të nuses së tij. Pastaj ulen e bisedojnë, iu tregojnë se si ia kalojmë ne këtu në ballkon, nusja i qeras me çokollata dhe pastaj largohen e vijnë të na tregojnë neve për andej.

– Ti tallesh me mua. Unë bëra shaka, po ti gjithnjë i merr me të qeshur ato që them unë. Kur kam qenë mësuese u tregoja nxënësve se dikur pëllumbat i përdornin për të dërguar letra. Unë këto i kisha lexuar në libra.

– Pëllumbat po, por jo dallëndyshet, – saktëson plaku me të qeshur. Pse, ke qenë ndonjëherë mësuese ti?

– Po ti ke qënë ndonjëherë avokat? Ti tallesh, po mua këto dallëndyshet më duken me të vërtetë të mençura. Ato bëjnë gjithë ato rrugë, kalojnë detet, por shtëpinë e tyre nuk e harrojnë. Ti thua se ato përsëri kthehen në foletë e veta. Apo jo?

– Zogjtë janë më të kujdesshëm se njerëzit, Lejla. Ata shkojnë nga shkojnë, po kurrë nuk i harrojnë çerdhet e tyre.

– Si s’na e bëri një telefon?

– Cili?

– Ai i vogli, pra. Ne e uruam për ditëlindjen, ai ka patur ditëlindjen të shtunën që kaloi, ju bëftë nëna!

– Për atë Karlsonin, thua?

– Nuk ia zë dot emrin po për atë e kisha fjalën. Atë të voglin e pashë në ëndërr, ja, ashtu siç është në fotografi. Nuk po kuptoja ku isha, këtu apo atje. Ai erdhi të më përqafojë, po sesi më iku, unë shtriva duart, po ai më iku dhe nuk u çmalla me të. Ky i shkretë gju ma nxori gjumin e s’më la ta vazhdoja ëndrrën.

– Po vizë e biletë aeroplani a kishe?

– Kisha, posi!

– Atëherë pse mërzitesh? Ti e paske parë mbrëmë. Çfarë telefoni pret? Po unë që nuk shoh as ëndrra? Edhe kur më fekset ndonjë turbullirë në gjumë, e harroj sapo zgjohem e s’mbaj mend asgjë. I more ilaçet?

– I mora të shkretat, i mora.

– Të gjitha ngjyrat?

– Nuk i vura re ngjyrat. I mora ashtu siç i ke ndarë ti në qeska. Ngjyrat i harroj. Ai i vogli mbrëmë…

– Përsëri ti? Po ç’ke ti moj që shqetësohesh? Ata do të vijnë ndonjë ditë, do të na përkëdhelin, do të na pyesin për shëndetin, do të na sjellin…

– Po kurë de?

– Ajo “kura” nuk dihet. Zogjtë ne i shohim kur ngrihen e fluturojnë, po kur do të kthehen ne nuk e dimë. Nuk na thonë, se edhe ata vetë nuk e dinë. Të rinjtë nuk e masin kohën se e kanë me bollëk, ndryshe nga ne pleqtë që i kemi ditët të numëruara e s’na pritet. Prindi e vuan ikjen e fëmijës, fëmijët nuk e vuajnë moskthimin.

– Mbrëmë ai i vogli…

Plakës i ngjiret zëri. Nuk e vazhdon dot frazën.

– Po ç’ke moj? Ta kam thënë njëqind herë. Kur të kthehen ai do të jetë rritur e bërë burrë. S’do të jetë më i vogël.

– Po a do të jem unë, se!

– Po edhe në mos qofshim ne, rruga plot me njerëz do të jetë. Ne nuk e kemi marrë me tapi.

– U dogja për atë të voglin, ta shoh si është. Kujt i ngjan. Kam menduar diçka. Unë e di se ti nuk je dakord, po do ta them.

– Hë, de, fol!

– Ti mos më qesh. Po sikur t’i njoftojmë se nëna është shumë e sëmurë, në gradë të fundit? Si thua, a vijnë?

– Nuk besoj. Sa herë sëmuremi ne…

– Po sikur t’iu thuash se nëna vdiq?

– Atëherë po, mund të vijnë.

– E ç’më duhen mua pasi të kem vdekur? Më mirë të vijnë njëherë sa jam gjallë dhe le të mos vijnë fare kur të vdes… Shiko njëherë se po bie dera. Dikush erdhi.

Plaku ngrihet përsëri e del në korridor. Askush!

Një papagall i madh prej allçie, i ulur mbi një komodinë demode në qoshen e korridorit, pranë derës, vështron si gjithnjë me indiferencë. Ai vështrim i ftohtë binte mbi avokatin si mbi një mobilie të vjetër. Edhe herë të tjera ai ndjente një farë shqetësimi nga ato vështrime, por kësaj radhe iu duk se papagalli i lëvizi sytë e tij të mëdhenj ngjyrë gri dhe po tallej me plakun që hapte e mbyllte derën, kot së koti.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja kremtohet edhe në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e ‘Shën Nikollit’

Krishtlindja kremtohet edhe në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e ‘Shën Nikollit’