Zamira Durda, gruaja që nuk rresht së kërkuari drejtësi për djalin 7-vjeçar, Edisonin, që vdiq në masakrën e Gërdecit, këtë vit mungoi në homazhe për shkak të gjendjes shëndetësore. Por, thirrjen për drejtësi ia la djalit të saj Geraldo Durdës, i cili për mikrofonin e Report Tv thotë se nuk kanë ndërmend të dorëzohen derisa drejtësia të flasë dhe fajtorët e vërtetë të ndëshkohen.

Me lot në sy, ai kujton të vëllanë, i cili sot do të ishte 25 vjeç, por vdiq në fabrikën e demontimit të armëve bashkë me 25 persona të tjerë.

“Një drejtësi e vonuar dhe një drejtësi e munguar, ende vazhdon të mungojë për familjarët e viktimave të Gërdecit. 18 vite ne nuk jemi dorëzuar dhe nuk kemi ndërmend të dorëzohemi derisa drejtësia të flasë, derisa fajtorët të ndëshkohen për të dashurit tanë që humbën jetën”, thotë Geraldo Durda për Report Tv.

Drejtësisë i bën thirrje të shkojë deri te Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, rolii të cilit kurrë nuk është zbardhur në këtë çështje, ndonëse emri i tij del në tabulatet telefonike me ish-ministrin e mbrojtjes të asaj kohe, Fatmir Mediun. Për këtë të fundit, Durda thotë se është i vetmi që ka përfituar politikisht nga çështja e Gërdecit.

“Ka një proces gjyqësor në GJKKO që po zhvillohet, ku mjaft fakte interesante kanë dalë deri te tabulatet telefonike që është folur me Shkëlzen Berishën.  Deri të tabulatet ku ish-ministri Mediu merrte ekspertë në telefon dhe u thonte që duhet të çoni akoma më shumë municion, këto janë në proceverbalet e gjyqit. Fajtorët po dalin, në një proces të zvarritur prej 18 vitesh, por që më në fund po gjykohet. Disa sekuenca gjyqësore po e nxjerrin pazëllin e plotë të Gërdecit. Shkëlzen Berisha është thirrur edhe si dëshmitar, nuk e dimë nëse dëshmia ka qenë e plotë, do shihet nëse mund të rithirret si dëshmitar nga ana e familjarëve të viktimave.

Nuk kam dijeni nëse djali i ish-kryeministrit është marrë në pyetje lidhur me fraksionin që po heton SPAK, ka një zgjerim të veprave penale që po hetohen. Shpresoj të shkohet edhe te djali i ish-kryeministrit nëse ka qenë fajtor.

I vetmi person që ka përfituar politikisht është Mediu, i cili me anë të Gërdecit bëhet pjesë e listave të mbyllura të PD. Nuk dua ta diskutoj më, është çështje politike apo jo, është fakt, janë vrarë 26 veta, janë shkatërruar 300 shtëpi, biznese, një fshat u hodh në erë dhe më flitet për politikë”, shprehet ai.


Lajmi kryesor:

Gërdeci i pandëshkuar/ Familjarët shpresë te SPAK për drejtësi: Mediu tallet me viktimat! Geraldo Durda: Provat janë aty, të shkohet deri te Shkëlzen Berisha