RADHIMË- Aksioni i Inspektoriatit Kombëtar të Mjedisit për shembjen e 60 objekteve në Radhimë është shoqëruar me tensione mes banorëve dhe forcave të policisë. Kjo pasi aksioni ka hasur në kundërshtimin e pronarëve të bizneseve të cilët kanë kundërshtuar vijimin e tij. Një prej fadromave e cila ka qenë duke bërë pastrimin e zonës bregdetare është bllokuar brenda në ujë, ku është rrethuar nga pronarët e bizneseve dhe familjarët e tyre.

Banorët janë shprehur se nuk janë kundër shembjeve por kërkojnë dëmshpërblim dhe të njihen me projektin.

Forca të shumta policie dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë mbërritur në zonën ku po zhvillohet aksioni për të shmangur një përplasje të mundshme mes palëve. IKMT është shprehur se i ka njoftuar të gjithë banorët për këtë aksion.

Rezistenca e tyre ka bërë që të ndërpritet aksioni deri në sqarimin e plotë të situatës

Në fillim të muajit shtator, IKMT nisi aksionin për prishjen e ndërtimeve në bregdet duke nisur nga zona e Ujit të Ftohtë, aty ku është parashikuar projekti i Lungomare 2 që do të shtrihet deri në afërsi të tunelit në Vlorë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:59
Aksioni në Radhimë/ Kreu i operatorëve turistikë: Po prishen vetëm objektet e 'hallexhinjve'

Kreu i Operatorëve Turistikë Vasil Budinaj është shprehur se banorët nuk janë kundër projektit por duan që shembjet të mos bëhen në mënyrë selektiv. Budinaj u shpreh se kjo është një histori i përsëritur ndërkohë që deklaroi se tashmë banorët janë të mos bindur të mos tërhiqen.

"Janë me qindra banorët dhe pronarët e subjekteve në zonën e Radhimës. Këtu po bëhet një selektivitet. Hajde prish dhe lër disa të tjera. Jemi shumë dakrord që projekti të vazhdojë. Jemi shumë të lumtur të jemi pjesë e tij por banorët nuk e pranojnë këtë histori. Prish një hallexhi, kalo 200 metra dhe prish një hallexhi tjetër. Janë paguar lejet e ndërtimit me qindra herë. Faji nuk është i komunitetit është këtu. Jemi pro projektit, do kontribuojmë por nuk do të pranojmë selektivitet. Kjo është vijë bregdetare", deklaron kreu i Operatorëve Turistikë Vasil Budinaj.

Ora 13:40
Tensione në Radhimë/ Një banor i zonës tenton të pengojë aksionin e IKMT, ndërhyn policia (VIDEO)

Është shoqëruar me tensione, rezistenca e banorëve ndaj aksionit të IKMT në Radhimë. Banorët kanë tentuar të pengojnë shembjen e një objekti, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e policisë për të neutralizuar situatën.

Ora 13:32
Pronarët e bizneseve kundër aksionit të IKMT në Radhimë: Kemi një muaj të terrorizuar (VIDEO)

Banorët të cilët kundërshtojën aksionin e IKMT në Radhimë, janë shprehur se nuk janë kundër shembjeve por kërkojnë dëmshpërblim dhe të njihen me projektin.

Ne kemi një muaj të terrorizuar. Janë paraqitur disa civilë. Kemi terror të paparë. Kemi një muaj famlijarisht nuk vëmë gjumë në sy. Kërkojmë takime me zyrtarët. Asnjë nuk vjen. Duhet të vijë dhe të na tregojë një projekt se iki vetë, por jo të na trajtojnë një si i nënës dhe një si i babës. Baba më vdiq dhe nëna më vdiq do vdes edhe vetë. Të na sjellë ata të planit,.

Jam i zoti i asaj pronës aty. Kemi kërkuar nga bashkia të na japin një projekt. Të na dëmshpërblejë se e kemi blerë. Mendojmë se kemi bërë një gjë të mirë. Çfarë i prishin punën shtetit i heqim vetë", shprehen disa nga pronarët e bizneseve.