Aksionin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të prishur në bregdet ndërtime abuzive, ku mes këtyre objekteve të konsideruara të tilla janë edhe dy pishina të resortit “Prestige”, Ilir Meta dhe grupi i Berishës në PD e kanë quajtur një sulm ndaj medias.
Fillimisht, përmes një postimi në Facebook, ka qenë kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili ka shkruar se aksioni i paligjshëm i IKMT në “Prestige Resort” në kulmin e sezonit turistik, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë dhe pavarësisë së medias. Sipas tij është koha për t’i dhënë fund iluzioneve ndaj një skizofreni që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj dhe asnjë të drejtë themelore!
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se Rama po përpiqet të shkatërrojë një grup mediatik. Ai tha se Rama meriton burg për këtë që ka bërë.
“Edi Rama ka urdhëruar prishjen e resortit në kundërshtim flagrant me ligjin. Gjithçka është ndërtuar mbi bazën e lejeve të firmosura nga vetë Edi Rama. Kjo e bën atë përgjegjës penalisht për shkatërrimin antiligjor të pronës së tjetrit. Ndërmarrje e një akti të tillë, qoftë edhe në zbatim të ligjit, kur resorti është plot me turistë, është akti i mirëfilltë banditesk dhe është një goditje që i jepet këtij sektori. Unë dënoj me forcën më të madhe dhe nuk mund të pajtohem kurrë është sfondi politik i këtyre veprimeve. Janë përpjekje e hapur për të shkatërruar një grup mediatik, i cili duket se nuk u përputh plotësisht me kërkesat politike të Edi Ramës. Në çdo rast, ndaj çdo ndërhyrje me background politik ne e dënojmë me forcë”, ka thënë Berisha.
Nga PD e Berishës, Edi Paloka, Albana Vokshi, Flamur Noka, Luçiano Boçi, Luan Baçi etj, kanë shprehur edhe ata kundërshtinë e tyre ndaj këtij aksioni të IKMT. Deputetja Albana Vokshi, ajo e ka quajtur aksionin një sulm të pastër politik, ndërsa ka shtuar se kryeministri Edi Rama po përpiqet që të të bëjë një tjetër shembull, se ç’mund t’u ngjasë atyre që nuk i binden për linjën editoriale. Sipas saj këtë politikë do ta kishte zili edhe Enver Hoxha. Paloka tha se ky është një tjetër krim i kryeministrit që sot po konsumohet në sytë e të gjithë publikut.
Lajmi kryesor: