Ikonomi: Spitalet private në
garë për të blerë paketat

Ikonomi: Spitalet private në<br />garë për të blerë paketat
TIRANE- Partneriteti privat publik në shëndetësi është një nga nismat më të fundit të qeverisë, çka përbën një risi në reformat e ndërmarra sa fundmi. Ky partneritet do të bëjë të mundur që një pjesë e mirë e shërbimeve të gjejnë shtrirje në këtë sektor, por edhe të jenë në favor të popullatës. Ministria e Shëndetësisë aktualisht ka menduar se do të jenë 4 fusha kryesore ku do të bashkëpunohet me privatin dhe konkretisht është ajo e diagnostikimit për moshën 40 deri në 60 vjeç, urgjenca, gjurmimi i barnave, si dhe shërbime si dializa, imazheria apo kimioterapia. Por si do të funksionojë ky bashkëpunim? Zv/ministrja e Shëndetësisë, Milva Ikonomi në një intervistë për “Shqiptarja.com” jep të gjitha detajet për mënyrën se si do të implementohet ky bashkëpunim.
 
Aktualisht Ministria e Shëndetësisë është duke diskutuar për një bashkëpunim apo partneritet mes sistemit privat shëndetësor edhe atij publik. Cilat janë ato pika ku ne do t’i qasim këto dy sektorë?
Partneriteti privat-publik ka disa kohë që diskutohet, jo vetëm në fushën e mjekësisë por edhe më gjerë, por si risi vjen më shumë në shëndetësi. Ndërkohë përpara, qeveria e tanishme ka një sërë detyrash për të plotësuar në sektorin e shëndetësisë që lidhen së pari me check-up e popullsisë dhe diagnostikimin e hershëm. Ky kontroll do të përfshijë grupmoshën e popullsisë 40-60 vjeç, e cila është ajo grupmoshë e cila është më aktive në grupin e punës, por njëkohësisht që shfaq edhe problemet e para të sëmundjeve që janë të kushtueshme për shoqërinë.

Pra, kontrolli bazë është një domosdoshmëri që ka të bëjë me diagnostikim të hershëm të parametrave të trupit të njeriut që lidhen me analizat e gjakut, të urinës, së feçes. Këto do të shikohen edhe më shumë në gjithë territorin e vendit, në mënyrë që të bëhen të mundura organizime rajonale dhe bërja në kohë e analizës dhe dalja e disa parametrave të cilat mund ta bëjnë pacientin të ndjekshëm pranë rajonit. Pika e dytë e rëndësishme që ne shohim për këtë partneritet është se ne kemi marrë angazhimin për të rregulluar sistemin e urgjencës në nivel kombëtar. Sistemi i urgjencës në nivel kombëtar ka shembuj partneriteti pak në botë, por ka shembuj edhe si mund të angazhohet vullnetarizmi brenda kësaj skeme shërbimi që i ofrohet popullatës.

Një gjë tjetër e rëndësishme për ne është edhe dhënia e shërbimeve që kanë të bëjnë me ndjekjen e barnave që quhet ndryshe, sistemi “Track & Trace”. Ky sistem mundëson gjurmimin e një bari që nga momenti kur ai hyn në Republikën e Shqipërisë ose kur ai prodhohet në Republikën e Shqipërisë deri në momentin që ai konsumohet nga pacienti. Tjetër sektor që mendohet që të zhvillohet partneriteti privat-publik është edhe menaxhimi i sektorëve joklinikë, në një spital të caktuar. Gjithashtu ky partneritet do të shtrihet edhe në shërbime të specializuara të ndryshme siç është imazheria, dializa, kimioterapia. Por ndërkohë, duhet të kemi parasysh se ajo që po ndodh sot në shëndetësi është fuqizimi i rolit të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, i cili do të bëhet paguesi i sigurimit Shëndetësor. Në këtë kuadër duhet parë me vëmendje se çfarë paketash shëndetësore po ofron Fondi më mënyrë që të kontrollohet edhe partneriteti privat-publik në këtë sektor.

Duke futur privatin në dhënien e shërbimeve, si do të bëhet përzgjedhja me anë të tenderave, apo shërbimet do të jenë pjesërisht private?
Partneriteti privat-publik është shërbimi që ofrohet në shëndetësi nëpërmjet një mënyre të re , le ta themi “tenderimi”. Ligji aktual i partneritetit publik-privat ka nevojë për disa përmirësime, ndaj ajo që po shikohet është përmirësimi i ligjit, si do jetë partneriteti privat-publik, outsorsing. Në një lloj forme këto janë partneritet, pasi literatura botërore këto i konsideron si të tilla. Ka shumë rëndësi të shikohet mënyra e kohëzgjatjes, pagesës dhe fuqinë paguese që ka ofruesi dhe blerësi i këtij shërbimi, pasi nga që janë të reja në shëndetësi. E rëndësishme është që edhe blerësi duhet të plotësojë një sërë kushtesh që kërkon kontraktuesi vetë.

Këto janë ato pikat kyçe që po diskutohen sot dhe ne po kërkojmë një hapësirë tjetër legale në vend që të mundësojmë Partneritetin Privat Publik (PPP). Si do të bëhet në rastin e paketave shëndetësore? Disa nga paketat shëndetësore që po hartohen siç është transplanti i veshkës, i heparit apo ai koklear, janë shërbime të cilat nuk ofrohen të gjitha në sektorin privat, kështu që ato do të bëhen në një garë të hapur, duke pasur parasysh që paketa vetë ka nevojë për një guidë shëndetësore për ta orientuar shërbimin për pacientin dhe kjo guidë shoqërohet me një kosto përkatëse që është ajo që orienton dhe mund të konkurrohet në treg.

Deri ku jemi me këto paketa? Përfunduan dy prej tyre, po me të tjerat si po ecën llogaritja e kostos?
Kanë përfunduar dy paketat e para, ndërkohë që në total janë 5 të tilla, transplanti i veshkës, i heparit, kokleari, dializa dhe ajo e zemrës. Por, paketa e tretë është ajo kardiovaskulare e cila ka disa nënpaketa. Shpresoj që shumë shpejt edhe për këto paketa ne do të kemi kostot përfundimtare, të cilat po punohen nga Fondi i Sigurimeve dhe nga specialistët e fushës.

Si janë çmimet e këtyre paketave krahasuar me vendet e rajonit?
Gjatë punës janë bërë shumë krahasime edhe me rajonin. Në Shqipëri ideja e transplantit është një ide e cila nuk është se vjen për herë të parë, por që të organizohet në këtë formë është një ide që vjen për herë të parë. Ndërkohë ajo që u mendua, edhe kur filloi puna, ishte se çfarë ndodhte në rajon. Kryesisht u pa Maqedonia, Serbia, u panë vende të cilat e kanë kaluar këtë proces që po kalojmë ne. U bënë edhe krahasime, u pa edhe fuqia blerëse , ndërkohë që është marrë në konsideratë përveç rajonit edhe buxheti mesatar i një familjeje shqiptare, në mënyrë që ne të kuptojmë se ku arrin kjo mundësi për të ndodhur.

Spitalet private që operojnë dhe japin shërbim shëndetësor në Shqipëri, kanë një staf mjekësor. Mbi cilat kritere bëhet punësimi cilat janë kushtet që ata duhet të plotësojnë?
Ne kemi dy mënyra “Kontrolli” , e para ka të bëjmë burimet njerëzore që ato kanë dhe ne duhet të kemi parasysh se çdo mjek, infermier, stomatolog apo farmacist që ushtron veprimtarinë e vet në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë i regjistruar në urdhrin përkatës. Kështu që nga regjistrimi në urdhër ai përfiton një licencë të ushtrimit të profesionit. Pra, kontrolli i parë duhet të jetë nëse i gjithë stafi, qoftë në privat apo publik, është i licencuar, sipas ligjeve që janë në fuqi. Pika tjetër është ajo e akreditimit, për të cilën ne kemi një agjenci të posaçme, i cili është një proces pak më i gjatë dhe kërkon që spitali të akreditohet.

Me shërbimin që ofrojnë sot këto spitale private, flasim këtu për shërbimet që nuk ofrohen në publik, a mund të themi që qytetarët shqiptarë mund ta përfitojnë këtu shërbimin dhe jo të shkojnë jashtë?
Une mendoj që shërimi është pjesë e dëshirës që ka një individ për të bërë zgjedhjen e vet dhe ne nuk mund të themi këtë gjë pasi kjo varet më shumë nga individi se çfarë vendimi ai merr. E dyta është se kur dikush merr përsipër të bëjë shërim personal, udhëhiqet nga disa parime. Parimi i parë është ai i cilësisë profesionale dhe këtë gjë me siguri ata e shikojnë, pasi krahasimet bëhen të mundshme mbi baza shumë transparente dhe të hapura, që për pjesën jashtë territorit të Shqipërisë janë të mundshme, ndërsa për pjesën brenda territorit të Shqipërisë janë disi jo aq të mundshme.

Kjo pasi nuk janë treguesit e performancës së mjekëve tanë të vendosura në një webside që mund ta krahasosh. Gjëja tjetër e rëndësishme është çmimi dhe ai ka disa pjesë, ku kryesorja është kostoja e shërbimit dhe tjetra ajo e qëndrimit. Duke qenë se kostoja e qëndrimit është e pallogaritshme çmimi i shërbimit është herë më i lirë dhe herë më i shtrenjtë. Ndaj në një lloj mënyre është edhe vendimi i vetë individit, pasi lidhet me atë çka kërkon ai të marrë, si më të mirën me një buxhet që ai ka parasysh t’i ndodhë kjo më e mirë.  
 
Shkrimi u publikua sot (26.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri