TIRANË - Stafi i ILDKP vë sërish alarmin SOS dhe kërkon ndihmë sa nuk është vonë ndaj veprimeve të shefes së tyre, Zana Xhuka.

Ata këtë herë kanë zbuluar se kryetarja e ILDKP Zana Xhuka ka bërë një tjetër shkelje flagrante, që sjell përfundimisht degradimin e një institucioni të tërë, duke shpallur katër ditë më parë në faqen zyrtare të institucionit kërkesën për "thirrjen e dy ekspertëve të pavarur, të licencuar, të fushave të ndryshme, për të bërë vlerësimin e deklaratave të interesave private të subjekteve deklarues".

“Ky fakt skandaloz, për të cilin vihemi në dijeni nga njoftimi zyrtar i sipërcituar, vërteton edhe një herë shqetësimet e stafit, të bëra publike edhe më parë, për ndërhyrje në dokumentacionin zyrtar, nga personave të huaj, që në këtë rast “legjitimohen” nga titullarja e institucionit me emrin “ekspertë të liçensuar”, thuhet në deklaratën e stafit.

Ndërsa më tej argumentohet se “ky njoftim zyrtar i Inspektores së Përgjithshme, provon shqetësimet tona për manipulim, ndërhyrje arbitrare dhe të kundraligjshme në deklaratat e interesave private apo serverin e të dhënave me qëllim zhdukjen dhe manipulimin e dokumentacionit”.

Në shpjegimin ligjor të deklaratës së stafit, shpërndarë për mediat, baza ligjore e Xhukës është neni 29 i Ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, ndërkohë që në këtë nen shprehimisht thuhet se: " Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të thërrasë ekspertë të pavarur, të liçensuar, të fushave të ndryshme, për të bërë rivlerësimin e pasurive ose për çështje që këta çmojnë të arsyeshme".   

"Pra, në këtë dispozitë, e cila keqinterpretohet në mënyrë të qëllimshme nga zonja Xhuka, përcaktohen qartësisht rastet kur Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të thërrasë ekspertë të liçensuar dhe që ka të bëjë kryesisht me vlerësimet e pasurive te paluajtshme, objekt kontrolli".

Kjo ankesë vjen në vijimësi të informacionit, të përcjellë më datë 21.10.2013, ku stafi ka bërë me dije shkeljet e kryera nga Inspektorja e përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)