TIRANE - Në seancën e parë parlamentare për vitin 2013, Partia Demokratike humbi votat e aleatit të saj qeveritar LSI në votimin për kreun e ri të ILDKP-së, ndërsa Partia Socialiste atë të Vangjel Dules të PBDNJ-së. Zhana Xhuka u zgjodh me 70 vota pro e 69 kundër si pasuese e Adriatik Llallës, pas emërimit të këtij të fundit si kryeprokuror, por Lëvizja Socialiste për Integrim votoi kundër saj. Burime nga partia e Metës thanë se LSI preferonte kandidaturën tjetër, atë të Shkëlqim Ganajt, inspektor prej shumë vitesh në këtë institucion.

Ndonëse seanca plenare zgjati pak, nuk mungoi të shfaqej në foltore Kryeministri Berisha i cili iu përgjigj thirrjes së deputetit socialist Erion Braçe për interpelancë mbi privatizimet në sektorin energjetik. Berisha u tregua i gatshëm të përgjigjet në çdo moment, ndërsa kryeparlamentarja Topalli nuk harroi të përmendte nevojën për të votuar 3 ligjet që kërkohen nga Brukseli për integrimin e vendit në BE.

CFARE NDODHI SOT NE KUVEND

SEANCA NISI ME FJALEN E TOPALLIT:  VOTONI 3 LIGJET
Ndryshe nga sa ishte parashikuar për në orën 17:00, Kuvendi u çel në orën 18:00 me fjalën e Kryeparlamentares Topalli, e cila në fokus të përshëndetjes së saj vuri thirrjet e vazhdueshme për votimin e 3 ligjeve nga ana e opozitës, duke renditur njëkohësisht të mirat që sipas saj do i vijnë popullit shqiptar në integrimin evropian. Tre ligjet janë kusht nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

ZANA XHUKA PERBALLE SHKELQIM GANAJ
Gjatë seancës së sotme, e cila zgjati vetëm disa minuta, u miratua dekreti i Presidentit Nishani për emërimin e Zana Xhukës në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë. Zana Xhuka garonte me Shkëlqim Ganaj për postin e lënë vakant nga Adriatik Llalla, aktualisht Prokuror i Përgjithshëm. Zana Xhuka prej Shtatorit 2005 ka qenë zëvendësministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë.

PS E LSI KUNDER KANDIDATURES SE ZANA XHURES, DULJA DEL PRO

Ky dekret kaloi me 70 vota por dhe 67 kundër. Votave kundër të Partisë Socialiste i është bashkuar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Burime brenda LSI thanë për televizionin A1Report dhe Shqiptarja.com se arsyeja pse votuan kundër kandidaturës së Zana Xhurës ishte se preferonin kandidaturën e Shkëlqim Ganaj.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh pak momente para fillimit të seancës plenare ku u mor edhe vendimi për të votuar kundër. Opozita nuk e ka votuar ashtu siç bëri edhe në Komisionin e Ligjeve me arsyetimin se nuk kishte kohë të mjaftueshme për të marrë në shqyrtim CV-të e tyre. Por aleati i PS, Vangjel Duke i PBDNJ-së i është bashkuar votave të mazhorancës. Votave pro i është bashkuar edhe deputeti i Partisë Socialiste Kastriot Islami.

Vendimi për mbajtjen e seancës së parë në këtë datë u mor në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve, ku u miratua edhe programi e kalendari i punimeve të Kuvendit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)