
NJOFTIM PËR SHTYP
për respektimin e afateve të dorëzimit të deklaratës së interesave private
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) njofton të zgjedhurit dhe nëpunësit publikë, të cilët mbartin detyrim për deklarim të interesave të tyre private pranë Inspektoratit të Lartë, ndyshimin e procedurës së dorëzimit të dokumentit zyrtar “Deklaratë e Interesave Private”
- Nuk do të pranohen deklaratat e dorëzuara personalisht pranë zyrave tona nga subjektët deklarues që mbartin detyrim për deklarim.
- Nuk do të pranohen deklaratat e plotësuara me shkrim dore, por duhet të jenë të plotësuara në mënyrë elektronike (kompjuter) dhe më pas të nënshkruhen nga subjekti deklarues apo personat e lidhur me të.
- Do të pranohen vetëm deklaratat e dorëzuara pranë ILDKPKI, deri me datë 31 Mars 2014, përmes Autoritetit Përgjegjës ose strukturës përkatëse, ngritur pranë çdo institucioni publik.
Inspektorati i Lartë sqaron se nisur nga numri i madh i deklaratave të interesave private që administron çdo vit, afërsisht 6000 (gjashtë mijë) deklarata, e ka të pamundur të presë subjektët deklarues që paraqiten personalisht pranë ambjenteve tona për dorëzimin e deklaratave. Për këtë qëllim, udhëzojmë subjektët deklarues, në zbatim dhe të dispozitave ligjore, të dorëzojnë deklaratat e tyre pranë Autoriteteve Përgjegjëse, ose strukturave përkatëse, të ngritura pranë çdo institucioni publik.
Inspektorati i Lartë, rikujton edhe njëherë afatin e dorëzimit të deklaratave të interesave private, datën 31 Mars 2014. Dorëzimi i deklaratave, përtej afateve ligjore dhe procedurës së caktuar, passjell sanksionet përkatëse; respektivisht gjobë 50.000 lek (pesëdhjetë mijë) deri në 100.000 lek (njëqind mijë) dhe kallëzim penal për mosdorëzim të deklaratës, pas aplikimit të masës administrative gjobë.
Inspektorati i Lartë tërheq vëmendjen e të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë, në respektimin me rigorozitet të afateve ligjore.
Në çdo rast, shkelësit e dispozitave ligjore, përveç aplikimit të masave administrative, do të bëhen publike në median e shkruar dhe atë vizive si dhe do të publikohen në faqen zyrtare www.hidaa.gov.al
Inspektorati i Lartë, në kuadër të ndjekjes së një politikë të hapur e transparente me qytetarët, median dhe shoqërinë civile, Ju fton që së bashku të parandalojmë korrupsionin. Bëhuni pjesë e ILDKPKI dhe denonconi rastet e korrupsionit të zyrtarëve të administratës publike në [email protected] ose [email protected] dhe telefononi pa pagesë në numrin 0800 9999.
Denoncimi Juaj do të ndiqet me përparësi nga ana jonë.
Faleminderit!
_________________________________________
ZYRA PËR MARRËDHËNIET ME MEDIAN












