Në burg për abuzim me fondet e BE në SASPAC, SPAK kontrolle në apartamentin e Ilir Beqajt në Vlorë! I hapin derën me forcë

VLORË- Pas arrestimit për abuzimin me fondet e BE në SASPAC, burime për Report Tv bëjnë me dije se SPAK ka ushtruar kontrolle ne banesën e Ilir Beqajt në Vlorë.

Shqiptarja.com dhe Report Tv mëson se dera e apartamentit në katin e 7 të një pallati pranë Lungomares në Vlorë është hapur me forcë nga forcat zjarrfikëse pasi ka qenë e mbyllur. 

Prej 4 korrikut 2024 ishin ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndodhet në paraburgim. Si GJKKO dhe Apeli i GJKKO-së refuzoi ndryshimin e masës së sigurisë në një masë më të butë sigurie.  

Ndaj Beqajt SPAK ka ngritur akuzat për 'Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore', 'Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” “Mashtrim” si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurorimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.

Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me ‘Landëays International’. SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro.

Lajm ne perditesim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:55
SPAK i kontrolloi apartamentin në Vlorë, reagon avokati i Ilir Beqajt 

1721837641_aad.jpg

Avokati i ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj ka reaguar lidhur me kontrollin e SPAK në apartamentin e klientit të tij pasditen e sotme në Vlorë. 

Avokati Ermal Yzeiraj: Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do ti bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që tu sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën.

Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020.

Përgjigja ime ishte që nëse bëhet fjalë për shtëpinë që z. Beqaj ka patur me qira dhe që e ka deklaruar dhe në ILDKPKI, kjo kontratë qiraje e 2020 ka kohë që nuk është më në fuqi dhe z. Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banesë që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme. Z. Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Madje nuk ka sens logjik që z. Beqaj të jetë përdorues i këtij apartamenti kur të gjithë e dinë që z. Ilir Beqaj është tashmë në ambientet e paraburgimit.

Një kontroll i tillë është veçse një tentativë e dëshpëruar (në nivelet e një fiksimi) për të gjetur me çdo kusht një arsye që z. Ilir Beqaj të mbahet në burg dhe tregon që arsyet e deritanishme nuk paskan qenë dhe kaq bindëse sa pretendohej se ishin. Përkundrazi të gjitha veprimet e deritanishme për mbajtjen e z. Beqaj me masë sigurie arrest në burg janë haptazi në kundërshtim me jurisprudencën e GJEDNJ.

Pyetja kryesore që të gjithë duhet ti bëjnë SPAK në këto momente, përfshirë edhe vetë Gjykatën, është: mbi çfarë provash bazohet dyshimi i ikjes së z. Beqaj, i prishjes prej tij të ndonjë prove apo i kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale, kur deri më tani z. Beqaj ka qëndruar për muaj me rradhë mbi prova, brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme dhe vetëm ka kontribuar për inventarizimin e tyre (kërkuar kjo nga vetë Gjykata e Posaçme)???

Urojmë që gjykatat të reflektojnë dhe mos jenë thjesht noterë të kësaj gjuetie të paligjshme!

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • xXx: 24/07/2024 17:47

    Suksese të mëtejshme...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Jannik Sinner tërhiqet nga Lojërat Olimpike

Jannik Sinner tërhiqet nga Lojërat Olimpike