Ilir Bezhani: Fituesi i "Dramës
Shqipe" dihet pa filluar konkursi

Ilir Bezhani: Fituesi i "Dramës <br />Shqipe" dihet pa filluar konkursi
Me gjithë protestat e këmbënguljen e artistëve, konkursit të dramës shqipe prej vitesh i ishte ndërprerë çdo lloj buxheti. Duhej të vinte 100-vjetori i Pavarësisë që më në fund, pas tetë vjetësh mungesë Teatrit Kombëtar i rikthehet festivali mbarëkombëtar i dramës shqipe. Po a është ky vërtetë një rikthim i interesave për zhvillimin e kësaj drame? Burimet zyrtare në Teatrin Kombëtar e konsiderojnë këtë si një rikthim të një konkursi të dështuar për vite me radhë që nga koha e ish- ministrit të Kulturës Ylli Pango", më 2008-n. Ndërsa nga burimet në Ministrinë e Kulturës mësojmë se ministri Bumçi e mbështeti dhe po cakton bordin artistik që do të gjykojë dramën fituese. Prurjet janë në Teatrin Kombëtar. Pra, të drejtat e shpalljes së fituesit i merr vetë TK, ndërsa drejtori i Teatrit Kombëtar Kristaq Skrami pohon se "unë jam në juri". Ministria e Kulturës e ka shpallur konkursin që në muajin janar dhe janë ftuar të gjithë teatrot profesionistë të Shqipërisë, si dhe ato shqipfolëse të Maqedonisë dhe të Kosovës. Shpallja u bë publike në muajin tetor 2011, me pjesëmarrjen e ministrit Aldo Bumçi, ku është njoftuar edhe çmimi për fituesin e vendit të parë. Çmimi përfshin vlerën 500 mijë lekë dhe kjo shumë i kalon dramaturgut fitues. Pas marrjes së këtij çmimi drama fituese do të ngjitet si premierë në Teatrin Kombëtar dhe pas kësaj do të dalë me këtë premierë në festivalin kombëtar të dramës shqipe. Teatri Kombëtar pasi ka insistuar prej gjashtë vjetësh pranë Ministrisë së Kulturës që të krijojë edhe strukturat e organizmit të festivalit të dramës shqipe, këtë vit e ka fituar të drejtën. "Ka pasur heshtje nga Ministria e kulturës, por këtë herë heshtja është thyer, sepse "ndoshta me rastin e festës së pavarësisë, ngaqë ky festival do t'i takojë kryeqendrës së shqiptarëve", pohojnë në TK. Ndërsa nga MTKRS-ja pohojnë se prurjet i ka Teatri Kombëtar dhe aty e dikan se kush është në juri,në Ministrinë e Kulturës thonë se "nuk dimë shumë për konkursin, tani po përgatitet grupi i punës për skualifikimin, i cili do të përbëhet nga gjashtë ose 9 vetë". Lista zyrtare me 24 pjesëmarrës që shumë pak janë dramaturg e shumica që shkruajnë drama për herë të parë, më në fund do të gjykohet nga Bordi Artistik i Teatrit Kombëtar. Kjo e disa arsye të tjera, e kanë shtyrë dramaturgun e njohur Ilir Bezhani të mos marrë pjesë konkurs. Ai thotë se fituesi është caktuar pa filluar konkursi.

Ilir, keni marrë pjesë për konkursin mbarëkombëtar të dramës shqipe?
-Jo, pse të merrja. Dramaturgët e karrierës nuk marrin më pjesë,sepse dihen fituesit pa filluar ende konkursi...

Megjithatë pas gjashtë vjetësh, ishte një rast i mirë për ta provuar?
-Bëhet një konkurs formal, gjoja në emër të festës së pavarësisë. E keqja nuk qëndron pse përfiton teatri një të drejtë më shumë prej buxhetit të caktuar për festat e Pavarësisë, por qëndron tek fakti që po përfitojnë në emër të artit individët.

Ju mendoni se janë bërë abuzime, a mund të na i thoni në një intervistë?
-Kam folur shumë nëpër intervista e nuk të dëgjon njeri. Ç'të flas kot. Kot mundoheni edhe ju. Kush ju dëgjon. Unë e kam thënë dhe e them. Fituesi caktohet sa pa nisur konkursi. Dramaturgët duhen nxitur sipas meritave, sepse janë të pakta krijimet e viteve të fundit në fushën e dramaturgjisë, duket se kanë shterur edhe vetë dramaturgët. Ata që bëjnë drama, janë ose shkrimtarë, ose persona që shkruajnë për herë të parë. Akoma më e madhe është mungesa e dramës shqipe në skenat e teatrit tonë. Ju e dini që nga 2008 nuk ka pasur konkurs një konkurs për dramën shqipe. Kjo është bërë me qëllim që të shuhet drama shqiptare, se s'ka arsye tjetër.

Keni dalë ndonjëherë i zhgënjyer ju vetë nga konkursi i dramës?
-Po ta lësh në dorë të drejtorëve që mbajnë miqtë e tyre afër e shohin interesat e tyre, nuk ia vlen të jesh pjesëmarrës. Para disa vitesh unë isha fitues i vendit të tretë në konkursin që shkrimtarja Diana Çuli kishte fituar vendin e parë. Por aty mësova se juria jonë ishte e padrejtë. Drama fituese do të prezantohej në Francë. Mirëpo francezët e dinë si punojnë shqiptarët. Organizatorja franceze tha që m'i dërgoni të tre fituesit. Dhe së fundi, preferoi dramën time që kishte fituar çmimin e tretë. Mos të them më tej një rast tjetër, që mësova se në konkursin e radhës nuk e kishin lexuar fare dramën time dhe shpallën fitues ata që shkruajnë për herë të parë. Nuk është e lehtë të shkruhet një dramë.

Pse nuk i ngrini me njëri-tjetrin këto debate në teatër?
-Me kë t'i ngresh problemet. Del një drejtor si Kristaq Skrami, që mezi nxjerr një rol kur i jepet e niset në Londër të luajë vetë Shekspirin. Merr edhe mikun e tij regjisor, dhe lanë nam atje. U bën turpi i Londrës. E patë se ç'shkruante "The Guardian". U bën gazi i Londrës. Teatri i Maqedonisë kishte marrë një regjisor amerikan për të dalë sa më faqebardhë. Këta sikur vajtën për aheng. Shkon dhe kryeministri i beson, çfarë u thanë këta, e i përgëzon. Vajtën e shpenzuan 70 milionë atje, që ishin sa të ngrihej në këmbë nga e para Tetari Kombëtar e Drama shqipe, po t'i menaxhonte një njeri që punon seriozisht për teatrin. Ç'të them. Nuk dua të flas më. Gjërat dihen.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut