Nga përshkallëzimi i tensioneve mes Iranir dhe Izraelit, deri te pasojat globale që ndihen në Evropë dhe më gjerë, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme po sinjalizojnë një moment kritik për rendin ndërkombëtar. Ajo që dikur konsiderohej një “luftë në hije” po rrezikon të shndërrohet në një përballje të hapur me pasoja të paparashikueshme.

Në thelb të krizës qëndron rivaliteti i gjatë midis Iranit dhe kundërshtarëve të tij rajonalë, veçanërisht Izraelit dhe shteteve të lidhura me Shtetet e Bashkuara. Për vite me radhë, Irani ka zgjeruar ndikimin e tij përmes aktorëve të armatosur në rajon — nga Hezbollah në Liban, te milicitë në Irak dhe Siri, si dhe Huthit në Jemen. Ky rrjet ndikimi ka krijuar një ekuilibër të brishtë që sot po lëkundet.

Ngjarjet pas sulmeve të 7 tetorit dhe reagimi ushtarak i Izraelit në Ripin e Gazës kanë shtuar presionin mbi këtë ekuilibër, duke rritur rrezikun e përfshirjes direkte të Iranit. Shkëmbimet e sulmeve ushtarake dhe retorika gjithnjë e më e ashpër tregojnë se kufiri mes konfliktit indirekt dhe atij të hapur po bëhet gjithnjë e më i papërmajtëshën.

Përtej ngjarjeve të fundit, kriza është produkt i një përplasjeje më të gjerë dhe të gjatë për pushtet në Lindjen e Mesme. Irani kërkon të konsolidojë rolin e tij si fuqi rajonale, ndërsa Izraeli dhe vendet e Gjirit synojnë ta frenojnë këtë zgjerim.

Dobësimi i rendit global të udhëhequr nga SHBA ka krijuar një vakum ku konfliktet janë më të vështira për t’u kontrolluar.

Ndërkohë, Evropa ndodhet nën presion të shumëfishtë. Pasojat e luftës në Ukrainë, kriza energjetike, inflacioni dhe presioni migrator e kanë bërë një Kontinent të pastabilitet dhe me një të ardhëshme të frikëshme.

Një përshkallëzim i mëtejshëm në Lindjen e Mesme do të përkeqësonte këto sfida, duke rritur çmimet e energjisë dhe duke shtuar pasigurinë ekonomike.

Pyetja që shtrohet është nëse bota po shkon drejt një konflikti botëror. Dy skenarë qëndrojnë përpara: një përshkallëzim i drejtpërdrejtë që mund të përfshijë fuqitë e mëdha, ose një vazhdim i tensioneve të kontrolluara përmes aktorëve të ndërmjetëm. Aktualisht, realiteti duket se qëndron diku në mes — një gjendje e paqëndrueshme që mund të anojë në çdo drejtim.

Në këtë kontekst, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar. Nga njëra anë, Washington mbështet Izraelin dhe përpiqet të frenojë Iranin; nga ana tjetër, kërkon të shmangë një përfshirje të drejtpërdrejtë ushtarake, duke pasur parasysh angazhimet e tjera globale.

Ndërkohë, diskutimet mbi politikën e jashtme të figurave si Donald Trump nxjerrin në pah dilema të rëndësishme: a duhet të dominojë një qasje më e ashpër dhe e paparashikueshme, apo një strategji më tradicionale diplomatike? Në një klimë kaq të tensionuar, çdo vendim mund të ketë pasoja të mëdha.

Megjithatë, rreziku më i madh nuk është vetëm ushtarak. Një përshkallëzim i konfliktit mund të shkaktojë një krizë humanitare të thellë: viktima civile, valë të reja refugjatësh dhe kolaps të sistemeve bazë në zonat e prekura. Në të njëjtën kohë, goditjet ndaj zinxhirëve globalë të furnizimit mund të çojnë në rritje të çmimeve dhe në një krizë ekonomike më të gjerë.

Në fund, ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme është më shumë se një konflikt rajonal — është një simptomë e një bote në ndryshim.

Rendi i vjetër po dobësohet, ndërsa një sistem i ri shumëpolar po merr formë. Në këtë tranzicion, rreziku nuk qëndron vetëm te lufta, por te ndërthurja e krizave që mund të prekin miliona njerëz në mbarë botën.

Pyetja nuk është më nëse bota po ndryshon, por sa i dhimbshëm do të jetë ky ndryshim.

Historia na ka mësuar se ndryshimet e rendeve botërore kanë qenë me luftra të përgjakshme, shkatërrime, uri dhe katastrofa njerëzore.

A ka mësuar bota nga e kaluar?

Do të jemi dëshmitare.