Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka qenë aktiv sot në rrjetet sociale me akuza mediave më të rëndësishme në vend, ndër to edhe Shqiptarja.com se kanë shkruar lajme të pavërteta duke interpretuar në mënyrë të gabuar qëndrimet që ai ka mbajtur në përgjigjet për pyetjet e Gjykatës Kushtetuese.  Madje sipas Metës këto shkrime na qenkan "disinformim, si një nga tiparet kryesore të çdo regjimi fashist dhe kleptokrat".  

Por në të vërtetë Presidenti është i vetmi që disinformon në këtë situatë. Është ai prodhues i 'Fake news' të cilat i shpërndan nga faqja e vet zyrtare si Kreu i Shtetit shqiptar.

Shqiptarja.com shkroi se Presidenti ka deklaruar se është ankuar zyrtarisht për ambasadorët që sipas tij kanë pasur sjellje jo diplomatike dhe ankimet ia ka dorëzuar vendeve ose organizatave që ata përfaqësojnë, duke iu referuar edhe ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, për të cilën Meta ka pasur akuzat direkte. Pra Presidenti i është ankuar zyrtarisht Washingtonit për ambasadoren Kim.  

Siç mund të dallohet qartë në foton që Meta publikon për të ilustruar gjoja lajmin e rremë të Shqiptarja.com jep vetëm një pjesë të përgjigjes së tij për pyetjen 33 të Gjykatës Kushtetuese, madje një pjesë që nuk ka lidhje fare me atë që i është referuar Shqiptarja.com.

Pjesa e përgjigjes, e publikuar nga Meta duke censuar mesazhin që i është referuar Shqiptarja.com

Por çfarë shkruan në të vërtetë Meta në përgjigjen e tij: 

"Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë", thuhet ndër të tjera në përgjigjen e gjatë të Metës, të cilën ai e ka censuruar dhe Shqiptarja.com por e riboton duke ndihmuar kështu edhe Presidentin.

Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, të cilit Shqiptarja.com i është referuar

Pyetja dhe një pjesë e përgjigjes së Presidentit Meta: 

Pyetja: Gjithashtu, a mendoni se akuzat ndaj përfaqësuesve të misioneve diplomatike bërë në daljet tuaja publike në media apo rrjetet zyrtare e sociale si të korruptuar apo ato për rrezikun e integritetit tuaj fizik kanë bazë faktike dhe nëse po, a keni bërë denoncim në organet përkatëse?

Përgjigje: (...)Presidenti i Republikës kurrë nuk ka marrë asnjë shqetësim zyrtar nga asnjë partner ndërkombëtar për sjelljet apo aktet e tij.

Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë.

Presidenti i Republikës nuk ka ndërhyrë kurrë në kompetencat e asnjë përfaqësie diplomatike dhe të asnjë vendi partner, por për fat të keq, ka pasur diplomatë të caktuar që publikisht kanë vënë në diskutim dekretet e Presidentit, duke marrë hapur anën e mazhorancës në kapjen e sistemit të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese (...)".

Fotoja e publikuar nga Presidenti, duke iu referuar gjoja një 'Fake News' të Shqiptarja.com

 

 

 

Pyetja e Gjykatës Kushtetuese dhe përgjigja e plotë e Metës