"SHBA nuk mbështet asnjë individ të korruptuar si Sali Berisha", kjo është deklarata e prerë dhe e qartë e ambasadës së SHBA në Tiranë, e pyetur në lidhje me deklaratën e Ilir Metës duke i dalë në krah Berishës për vendimin 'non grata'. Edhe pse SHBA nuk ndalet specifikisht tek deklarata e Metës, mes rreshtave të deklaratës së saj ajo thekson fort se SHBA nuk do të mbështesë individët e korruptuar që i kanë kryer këto akte në kurriz të popullit shqiptar.
“Sekretari i Shtetit mori informacion të besueshëm në lidhje me përfshirjen e Berishës në korrupsion të rëndësishëm dhe përpjekjet për të ndërhyrë në proceset publike dhe përvetësimin e fondeve publike në Shqipëri. Me këtë veprim, qeveria e Shteteve të Bashkuara po bën të qartë se ne nuk do të angazhohemi, dhe si rrjedhim, nuk do t’u japim kredibilitet dhe mbështetje, individëve të korruptuar si Berisha, një individ që Sekretari i Shtetit ka përcaktuar se ka kryer veprime korruptive në kurriz të popullit shqiptar”, reagon ambasada e SHBA-së për Vizion Plus.
Presidentit Ilir Meta i cili e quajti “fletërrufe” të porositur nga regjimi kleptokrat i Tiranës, vendimin e DASH për shpalljen e Sali Berishës 'non grata'. Meta duke mos u kujdesur fare për gjuhën diplomatike e quan aktin e shpalljes 'non grata' të Berishës të pabesë që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër .
DASH ka futur në 'listën e zezë' Sali Berishën dhe familjen e tij, me akuzat se Berisha është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik dhe familjarëve. Vetë Sal Berisha ka shpërthyer me akuza duke njoftuar se do ta padisë për shpifje Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken pasi sipas tij i ka cenuar dinjitetin.