Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka nisur këtë të diel me shprehjen e një poeti gjerman, i cili thotë: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë.” Për këtë ka publikuar fotografi të ndërtimeve pranë zonës së Liqenit dhe shkruan se janë demaskimi asgjesues se ç'ndodh kur sekti i Rilindjes uzurpon 100 për qind të pushteteve.
“Kur rilindja në pushtet do të thotë shkatërrim i gjelbërimit, i shtetit, ligjshmërisë dhe i shpresës”, shkruan Meta.
Të njëjtat fotografi u publikuan edhe një ditë më parë nga sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili shkruante me ironi se tregojnë “shpërthimin e "gjelbërimit" të betonit tek ish-Sheratoni nga viti 2016, në vitin 2022!” Teksa i referohej premtimit për pyllin orbital, Blushi tha quhet “pylli orbital i betonit” dhe sipas tij është krimi më i madh që Edi Rama dhe Erion Veliaj i kanë bërë Tiranës.
Pylli Orbital, i njohur ndryshe edhe si unaza e 5-të e Tiranës, është një plan i bashkisë që do të çojë në mbjelljen e një muri të gjelbërt me 2 milion pemë duke lidhur 14671 hektarë parqe, fusha bujqësore, pyje dhe forma të tjera të vegjetacionit rreth qytetit.