Ish-Presidenti Ilir Meta, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesor Ismet Bellova, duke e cilësuar atë si një nga figurat më emblematike të radiokronikës dhe gazetarisë sportive shqiptare.
Në një mesazh publik, Meta tha se zëri dhe emocionet e përcjella nga Bellova për gati gjashtë dekada do të mbeten të paharruara për breza të tërë sportdashësish. Ai kujtoi bashkëpunimin me Bellovën në emisionin sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën” gjatë viteve 1988–1990, duke theksuar se kishte pasur nderin të mësonte prej tij.
Meta e përshkroi Bellovën si “emblemë të forcës së komunikimit dhe bukurisë së fjalës” në radiokronikën sportive, duke shtuar se transmetimet e tij janë pjesë e fondit të artë të radios shqiptare dhe një trashëgimi e çmuar për gazetarët e rinj.
Ish-presidenti vlerësoi gjithashtu kontributin e Bellovës si mësues dhe edukator në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Klubin Sportiv “Partizani”, ku ndihmoi në formimin e shumë talenteve sportive.
Meta shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë, kolegët dhe komunitetin sportiv, duke theksuar se kujtimi dhe vepra e Ismet Bellovës do të jetojnë gjatë në historinë e sportit dhe medias shqiptare.
Homazhet në nder të figurës së Ismet Bellovës do të mbahen ditën e hënë nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në hollin e RTSH-së.
Lajmi kryesor:
Ndahet nga jeta Ismet Bellova, legjenda e mikrofonit sportiv








