Me hidhërim të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Ismet Bellovës, një prej figurave më të mëdha të sportit dhe gazetarisë sportive shqiptare, mësues, gazetar dhe komentator që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mikrofonit dhe edukimit fizik në vend.

Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Arsimin e lartë e përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, duke u përkushtuar më pas me pasion dhe dinjitet profesionit të mësuesit të edukimit fizik, si edhe gazetarisë sportive. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.

Rrugëtimi i tij në sport nisi herët, që në vitin 1948, kur u shpall edhe kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i Ismet Bellovës u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo - Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë në Radio Tirana.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, ai u nderua me tituj e dekorata të shumta, ndër të cilat: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe të Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran”, si dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.

Gjatë jetës së sit Bellova u nderua me një sërë çmimesh, në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive, ai u vlerësua me Çmimin e Karrierës në TVSH, dy herë Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe Mikrofonin e Artë në TVSH.

Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës është një humbje e madhe për sportin dhe median shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën dhe te historia e sportit shqiptar, ku emri i tij zë një vend nderi. Homazhet në nder të figurës së Ismet Bellovës do të mbahen ditën e nesërme nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në hollin e RTSH-së.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:44
Gazetari Mneri me lot në sy ndan kujtimet me Bellovën: Humbje e madhe, ishte i veçantë

Gazetari sportiv Fatmir Mneri në një lidhje direkte për Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, ka reaguar për ndarjen nga jeta të Ismet Bellovës. Mneri flet për jetën e Bellovës, për formimin e tij profesional dhe për atë çka legjenda e mikrofonit sportiv ka lënë pas.

“Është një botë e tërë e sportit dhe jo vetëm që sot ka trishtimin e një humbje të madhe. Është dicka që edhe e kam shkruar, e lidh me timbrin e zërit e tij dhe do të mbetet përjetësisht i vecantë në analet e mikorofonit sportit shqiptar dhe jo vetëm. Sa i takon marrëdhënieve me të, unë kam pasur fatin dhe e quaj me fat të më quajnë nxënës të Pellovë sa i takon mikorofonit sportiv.

Konktaktin e parë me mikorofonin e km pasur 1997 kur Bellova po bënte 30 vite në mikorofn. Ajo që e dallonte ishte korrektesa dhe serioziteti i jashtëzakonshëm. Pasi fliste, kur ulej pasi transmetonte gjithmonë në këmbë, nxirrte një copë letër se mbante gjithmonë shënime, do të dëgjoja si nxënësi përpara mësuesit vërejtjet që do të bënte. Ishin aq dashamirëse sa të bënin për vete.

Bagazhi i tij, eksperienca e jashtwzakonshme në mikrofon, kujtimet janë të panumërta.  Arsimimi i tij, pasioni i jashtëzakonshëm, Bellova nuk kishte disiplinë të sportit që nuk e njihte. Njerëzit gumbulloheshin rreth për të dëgjuar se cfarë thonte për sportin. Treni Tiranë-Durrës ndalonte jashtë stacionit që njerëzit të dëgjonin përmes artopolantëve rubrikës sportive të Ismet Bellovës”, tha ndër të tjera Fatmir Mneri.

Ora 14:41
Ilir Meta reagon për Ismet Bellovën: Legjendë e gazetarisë sportive shqiptare

Ish-Presidenti Ilir Meta, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesor Ismet Bellova, duke e cilësuar atë si një nga figurat më emblematike të radiokronikës dhe gazetarisë sportive shqiptare.

Në një mesazh publik, Meta tha se zëri dhe emocionet e përcjella nga Bellova për gati gjashtë dekada do të mbeten të paharruara për breza të tërë sportdashësish. Ai kujtoi bashkëpunimin me Bellovën në emisionin sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën” gjatë viteve 1988–1990, duke theksuar se kishte pasur nderin të mësonte prej tij.

Meta e përshkroi Bellovën si “emblemë të forcës së komunikimit dhe bukurisë së fjalës” në radiokronikën sportive, duke shtuar se transmetimet e tij janë pjesë e fondit të artë të radios shqiptare dhe një trashëgimi e çmuar për gazetarët e rinj.

Ish-presidenti vlerësoi gjithashtu kontributin e Bellovës si mësues dhe edukator në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Klubin Sportiv “Partizani”, ku ndihmoi në formimin e shumë talenteve sportive.

Meta shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë, kolegët dhe komunitetin sportiv, duke theksuar se kujtimi dhe vepra e Ismet Bellovës do të jetojnë gjatë në historinë e sportit dhe medias shqiptare.

Homazhet në nder të figurës së Ismet Bellovës do të mbahen ditën e hënë nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në hollin e RTSH-së.

Ora 11:57
Armand Duka për Ismet Bellovën: Do të të kujtoj me respekt dhe mall, komentoi në ditët e vështira të sportit shqiptar

1766314739_ismetbellova.JPG

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Ismet Bellovës, legjendës së komentimit në sportin shqiptar.

"Komentatori i shquar i Radio Tiranës, zëri unik i futbollit shqiptar, që ka komentuar në ditë të vështira e historike të sportit shqiptar, mjeshtër i fjalës dhe profesionist i rrallë, që me zërin e tij shoqëroi breza të tërë, profesor dhe mik i mirë, i respektuar nga i madh e i vogël për gjurmën që la, ndërroi jetë pasi jetoi gjithmonë si një njeri shumë i dashur.

Prehu në paqe Ismet Bellova. Zëri yt i paharruar dhe fisnikëria jote do të jetojnë gjatë në zemrat e atyre që u rritën duke të dëgjuar. Do të të kujtoj gjithmonë me respekt dhe mall", shkruan Duka.

Ora 10:56
Partizani homazhe për Ismet Bellovën: Lamtumirë personaliteti i gazetarisë sportive

1766311094_ismetbellova.jpg

Klubi i Futbollit Partizani ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Ismet Bellovës, ikonës së gazetarisë sportive që ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare.

Njoftimi i Partizanit:

Me keqardhje të thellë përcjellim lajmin e ndarjes nga jeta të ikonës së gazetarisë sportive Ismet Bellova. Një prej telekronistëve më të shquar në Shqipëri, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Për 62 vite Bellova i ka shërbyer plot pasion sportit në vend. Zëri i tij klasik, kumbues do të mbahen mend gjatë nga mijëra tifozë dhe sportdashës.

Një personalitet në gazetarinë sportive dhe një frymëzim për brezat e rinj. Media sportive humbi një aset, një prej figurave më të respektuara dhe më të dashura për publikun. FK Partizani dhe Presidenti Gazment Demi i përcjellin ngushëllimet më të sinqerta familjes Bellova dhe të afërmve. U prehsh në paqe ikona e gazetarisë sportive Ismet Bellova.