Ilir Yzeiri: 'Mehmet Shehu', një roman për lavdinë dhe mizorinë e keqkuptuar

Ilir Yzeiri: 'Mehmet Shehu', një roman për lavdinë dhe mizorinë e keqkuptuar

Pas romanit « Statuja », Myslim Pashaj na befason përsëri me një tjetër vepër të madhe. Këtë radhë, në një tekst voluminoz, ai ka marrë përsipër të na tregojë jetën dhe veprën e një prej figurave më komplekse, të një prej personazheve historikë për të cilin në mënyrë të padiskutueshme, është shkruar e folur më shumë se asnjë tjetër nga historia shqiptare pas vitit 1912. Ky është Mehmet Shehu. Vetëvrasja e tij në vitin 1982 ka qenë dhe mbetet ngjarja më e bujshme e historisë së re shqiptare.

Myslim Pashaj në këtë roman na tregon vetëm gjysmën e jetës së tij, përkatësisht atë nga lindja deri në vitin 1943. Duke u përqendruar këtu, përmes kësaj figure dhe falë formimit të thellë kulturor e historik, ai ia ka dalë që të ridimensionojë dhe të ritregojë historinë më të bujshme të shqiptarëve, atë të fillimit të Luftës Nacionalçlirimtare përmes një vështrimi të ri, objektiv dhe të paanshëm.

Romani që po i jepet lexuesit do të hapë diskutime të shumta dhe vështruar nga lënda që trajton, nga zbulimi dhe intepretimi i fakteve të njohura, por edhe nga rrëfimi i atyre të mbuluara apo të treguara në mënyrë të njëanshme, do ta vendosë këtë epope të shqiptarëve në një kënd tjetër vështrimi. Gjithë pa ia hequr madhështinë asaj periudhe, Pashaj, ashtu si një gjeodet apo topograf mjeshtër siç edhe është, bën një rilevim semantik e kultutor më të drejtë e më të vërtetë për fillimin e Luftës Nacionalçlirimtare në vendin tonë.

Ky roman është një ngjarje në jetën kulturore shqiptare dhe, sipas mendimit tim, do të rrokë kryet e vendit në llojin e romanit historik me temën e Luftës Nacionalçlirimtare. Këtë mendim timin e mbështes në imazhin që kanë krijuar romanet apo proza shqiptare me këtë temë deri tani. Siç e dimë, pasi elitat komuniste vendosën sistemin e diktaturës së proletariatit, në pjesën më të madhe, institucionet e saj ndërtuan një narrativë të ideologjizuar për Luftën në veçanti, por edhe për traditën në përgjithësi. Kështu, shkrimtarët që u morën me paraqitjen e saj, në pjesën dërrmuese, nuk rrëfenin atë histori, por aktualizonin tekstin e shkruar më parë nga mendimi ideologjik i komunistëve fitimtarë të cilët, qysh në vitet e para të pasçlirimit, instaluan censurën, ndërsa paraqitjen skematike apo imazhin bardh e zi e shpallën si detyrim për krijuesit. Petro Marko ishte një përjashtim në këto vite sidomos me romanet « Qyteti i fundit » apo « Stina e armëve », megjithëse ato vepra, sapo u botuan, u hoqën nga qarkullimi. Ndërsa « Hasta la vista » që tregonte historinë e vullnetarëve shqiptarë në Luftën e Spanjës, gjithnjë shihej si një vepër e mënjanuar.

Romanet me temën e luftës ose ishin thellësisht skematikë dhe të paaktualizuar siç ishte romani « Çlrimitarët » i Shuteriqit ose ishin imitime nga letërsia sovjetike e pasluftës që e rrëfenin atë epope sipas modeleve kryesisht të Fadajevit apo të ndonjë shkrimtari tjetër sovjetik. Ndonjë roman si « Para agimit » i Sh. Musarajt në vëllimin e parë, sidomos, për shkak edhe të lëndës së gjerë nga jeta e viteve të pushtimit, ishte gjithsesi realist, por vëllimi i dytë, kur nis e tregohet Lufta bëhet po ashtu skematik.

Kadare me romanet « Gjenerali i ushtrisë së vdekur » dhe « Kronikë në gur » solli një letërsi tjetër dhe ai e përdori Luftën vetëm si shtysë për të ndërtuar romanet e tij refleksivë që e kapërcenin stilin epik dhe narrativën e zakonshme duke krijuar me këtë rast një mënyrë tjetër të rrëfimit përmes alegorisë, metaforës dhe filozofisë ekzistencialiste të paradoksit. Kështu, nga letërsia e realizmit socialist, pra nga ajo traditë që u zhvillua në kufijtë historikë të socializmit shqiptar ne nuk kemi një vepër të mirëfilltë për luftën nacionalçlirimtare. Pas rënies së diktaturës Kasëm Trebeshina nisi të botojë veprat e tij në disa tekste voluminozë, por letërsia e këtij autori meriton një trajtim të posaçëm për shkak të disa referencave historike që duhen intepretuar dhe riaktualizuar.

Në këtë paraqitje të romanit të Pashajt, nuk është rasti për të rindërtuar historinë e romaneve shqiptare me temën e Luftës Nacionalçlirimtare, por mund të themi se në historinë e letërsisë shqiptare, ky roman shënon një pikë kthese sa i takon rrëfimit dhe pasqyrimit të një prej epokave më komplekse dhe të bujshme të historisë së re të shqiptarëve dhe këtë e bën përmes një prej figurave po ashtu me të mëdha dhe më kontradiktore, të një prej atyre personazheve që të duket se kanë lindur për të qenë aktorë të tragjedisë që luhet nganjëherë me më shumë patos më shumë forcë në jetë sesa në skenë, sepse brenda tyre janë të gjitha virtytet dhe cenet njerëzore ; ata i kanë me tepri si ato cilësi të karakterit që mund të nxisin mbrothësi si ato anë të errëta që mund të sjellin tragjedi e terror. I tillë është Mehmet Shehu.

Në anën tjetër, romani ka një ngjyrë të thellë lokale. Është hera e parë që Mallakastra dhe personazhet historikë të saj dhe të Lumit të Vlorës rrëfehen me gjithë dritëhijet e tyre. Autori rindërton me mjeshtëri një galeri figurash historike që i kanë dhënë tonin historisë shqiptare. Ai, rrëfen, gjithashtu edhe filozofinë e kuptimit të jetës nga ata banorë, një sistem që mbështetej mbi bektashizmin dhe islamin e moderuar. Dervishët, Shehlerët dhe kategoritë e tjera të kësaj hierarkie bashkë me narrativën e tyre i japin një ngjyrë të veçantë rrëfimit. Të gjitha këto të vendosura në skenën e një teatri që ka në sfond Bylisin, Amantian, një Shqipëri që atë madhështi të së kaluarës e ka dërrmuar në një jetë të varfër e në mjerim. Rrënjët e futura thellë në qytetërimin e një kohe kur stadiumet dhe teatrot ishin rutinë urbane duken vetëm në gërmadhat dhe në shkallët antike të atyre qyteteve. Mbi atë rrënojë gjëllon një jetë tjetër. Në këtë peizazh, Myslim Pashaj ka mbledhur dhe ka përdorur si lëndë për të rrëfyer historitë apo për të ndërtuar dialogët e shumtë dhe monologët e gjerë të folmen gjithë figuracion të kësaj krahine. Rindërtimi i kësaj narrative të mbushur me sentenca e fjalë të urta, ku të gjithë kërkojnë t’i imponohen tjetrit në dialog me anë të mençurisë dhe dijes që përmban një fjalë e urtë apo një thënie e zakonshme e cila zëvendëson përkufizimet filozofike, e bëjne këtë roman jo vetëm të bukur në lexim, por edhe një monument të ruajtjes dhe të identifikimit të shqipes së bukur. Të njëjtën kënaqësi kam ndier kur kam lexuar « Lahutën » e Fishtës. Dhe gjithnjë mendoj se çfarë magjie ka kjo gjuhë që në të dyja dialektet ka një pasuri të jashtëzakonshme për të rrëfyer gjithçka, por sidomos për të emërtuar nyja të koklavitura emocionale apo filozofike. Për fat të keq, kjo magji e gjuhës sa vjen e po vdaret dhe këtu më vjen ndërmend Bogdani i madh që kur shkroi « Çetën e profetënve » kishte edhe këtë merak se ishte « tue pa se gjuha jonë po vdarej… »

Po çfarë rrëfen romani ?

Autori ka shfletuar një lëndë të gjerë dokumentare dhe, duke qenë edhe vete mallkastriot, ka shfytëzuar, po ashtu, edhe njohuritë e tij të thella kulturore për krahinën, për historinë e për kulturën e jetës aty, si dhe ka mësuar gjithçka njihet e kujtohet për personazhin e tij në atë krahinë. Ai rrëfen mjedisin ku lindi Mehmet Shehu duke hamendësuar se një degë e familjes së tij vjen nga Suli. Pastaj një vend qëndror zë e ëma, Sulltana bijë e një familjeje të shquar nga Shkoza e Vlorës. Sheh Ismaili, i ati, vizatohet ashtu si e njohin të gjithë në atë krahinë, një baba teqeje i urtë e kokulur. Detajet nga jeta e dervishëve fluturues apo shënjimi i së ardhmes së fëmijës që lind me anë të emrave nga kultura bektashije e shënjojnë edhe djalin e Sulltanes që po lind me emrin Mehmet : i pamposhturi. Gjithë narrativa e rritjes dhe fatit të fëmijës me simbolet që i vënë përpara dhe zgjedhja që i bën ai maliherit dhe parmendës, mes shumë objekteve, shenjojnë fatin e mëtejmë. Në një krahinë ku kultura e jetës ishte e shenjuar nga simbole dhe kryqëzime të paravendosura lart, në dorën e Perëndisë mbështjellin jetën e një krahine ku qëllonte që edhe një grua si Sulltana kishte autoritetin të merrte pjesë në biseda burrash, një fakt ky që të kujton mbivendosjen e kulturave dhe teologjive në këtë krahinë. Pastaj vjen shkollimi në Tekniken e Fullcit dhe ndihma e Sheh Ali Pazarit. Deri këtu ai është një fëmijë nursëz, i vetmuar dhe gati për t’u përleshur me atë që i zë udhën. Takimi me Mustafa Gjinishin, Demir Godellin, gjyqi kundër komplotistëve, bisedat te kafe « Xhufka », në Tiranë, poezitë e para te gazeta e shkollës « Laboreamus » dhe kuptimi i botës që është e padrejtë, tregojnë më tej një personazh që po e zgjeronte vetëdijen e tij me kuptimin shoqëror të kohës, një modë aq e njohur në këtë periudhë.

Ky është një roman artistik dhe duke e lexur atë përfytyrimi për këtë figurë bëhet i plotë si atëherë kur autori përdor fiksionin, po ashtu edhe kur ai qëmton të vërteta nga dokumente të panjohura për lexuesin. Në shkollën e Fullcit thotë autori ai është rekrutuar nga një mësues i tij për llogari ta CIA-s dhe pseudonimin e ka pasur « Nepërka » (Poisenless snake 32323/1). 

Pas mbarimit të shkollës teknike ai vjen në fshat. Këtu ka faqe të tëra me dilemën e një personazhi që tani ishte bërë pjesë e një grupi dhe e një ideje që mund ta lëvizë botën, sepse ndiente mbi vete një mision. Disa herë kishte menduar të hynte në Parlament e t’i shuante të gjithë me një bombë. Padrejtësia, ndarja e botës, virusi internacionalist e stalinian i përmbysjes së madhe, parmenda e përmbysjes, siç e quan ai, e gërryenin nga brenda. Pastaj rrethi i tij familjar si Gani Alikoja, daja i tij nga derë e madhe. Ndërkohë Bektash Çorrushi deputeti i Mallakastrës i pari që duhej përmbysur i rrijnë përballë. Janë të mrekullueshme dialogët e rindërtuar mes tyre. Nuk janë dialogë, por të ngjajnë si sentencat e shkollës platonike sepse gjithsecili i përgjigjet tjetrit me kuptimin që ka ia për botën dhe me fraza gjithë kolorit, karakteristikë e të folmes së kësaj krahine. Kalohet nga thjeshtligjërimi në stilin e lartë ku përpunohen ide e kuptime të pamundura për t’u rrokur me vështimin e parë të ndjesisë së perceptimit.

Romani ka një lëndë të gjerë dhe një dendësi ngjarjesh që të befason. Edhe kur jam marrë me Petro Markon, kam vënë re se ai kishte më shumë ngjarje sesa jetë biologjike në shtatin e tij. Kështu edhe Mehmet Shehu. Dhe autori i rrëfën ato dhe kontekstin e ngjajeve mbi të cilat lëviz personazhi i tij me imtësi të madhe.

Pas përfundimit të shkollës së Fullcit, niset në akademinë ushtarake në Modena. Është ineteresant përkrahja e regjimit të Zogut për shkollimin e tij dhe urrejtja e tij për sistemin, një tipar i elitave që zakonisht për shkak të iluminimit të tyre, kërkojnë fillimisht përmbysjen e etërve. Atje nis njohja me socialdemokracinë dhe komunizmin. Takimi me Luigi Longon shefin e partisë komuniste italiane do të rimerret edhe në episodet e Luftës së Spanjës. Nuk zgjat shumë qëndrimi atje dhe për shkak të natyrës së tij fragmentare, të paqetë dhe kontradiktore, gjithçka nis e ndërpritet. Braktis studimet në Itali e kthehet në fshatin e tij në Çorrush. Tani ai nuk është më si të tjerët. Temeperamenti, vetmia, ligjërimi, nervozizmi, njohja me filozofinë e luftës dhe të përmbysjes i shkojnë për shtat karakterit të tij të fortë dhe natyrës guximtare që sfidon edhe padrejtësinë më të vogël. Poezitë e tij me përmbajtje sociale e filozofike, imazhi i një bote që mund të ndërtohet nëse e përmbys ashtu si parmenda, nësë e kthen dhe e rrafshon e ndjek ngado. Në fshat kërkon të njihet me një tjetër luftëtar Idriz Seitin. Tani fshatarët e krahinës e kanë vënë edhe në këngë. Dialogët me të ëmën që e do veçanërisht shumë dhe e sheh si artefaktin ku mund të varë dëshirat dhe pasionet e tij e mbushin romanin me misterin e një personazhi të çuditshëm. Pasioni për bujqësinë dhe gjdhendja e parmendës bëhen metaforat e « Parmendës së Përmbysjes » së madhe që ai e ëndërron.

Ndërkaq bota jashtë dhe fati i saj vërtitet rreth dy emrave, Hitlerit e Duçes. Atje në fshatin e tij ka shumë pak hapësirë për të treguar guximin dhe trimërinë, megjithëse hija e tij e rëndë tashmë njihej në krahinë. Por ajo hije dhe ai personazh marrin një pamje tjetër kur Mehmet Shehu futet në konflikt të rëndomtë me të parin e fshatit, Rrapo Lelon. Mushkat e tij kullosnin pa lejë në livadhin e Shehut. Ai e pralajmëron t’i heqë që andej, por ai nuk e merr seriozisht kërcënimin e Mehmetit të zemëruar. Dhe pas kësaj ai i vret mushkat e bukura të Rrapo Lelos. Pikërisht ky detaj shenjon në roman fillimin e dhunës dhe të terrorit si mjet për të arritur qëllimet. Në kontekstin e luftës së përbotshme këto lloj zgjidhjesh ishin mjeti për të treguar se e drejta nuk është më me atë që zotëron apo ka më shumë, por me atë që guxon dhe nuk trembet. Kulti i njeriut trim që përballet me pushtetin e atyre që kanë dhe sundojnë do të shoqërojë më vonë rritjen e këtij personazhi.

Atje në fshat, i humbur, i vetmuar dhe si luani në një kafaz, ndjehet ngushtë. Tenton t’i kërkojë punë Zogut me një letër, por ajo nuk e bind. Ikën në Tiranë dhe atje zbulon Spanjën. Niset për në Spanjë nga Franca. Faqet që tregojnë këtë anë të jetës së tij janë ashtu siç i përshkruan edhe Petro Marko në « Hasta la Vista » nga më të bukurat. Por trimëria dhe guximi i këtij njeriu u kthyen në legjendë. Dhe këtu autori respekton edhe të vërtetën historike për këtë personazh. Nga personazh historik i njohur ai bëhet figurë artistike dhe autori sjell në skenë për ta vendosur atë në një dritë tjetër ndonjë këngë historike dhe ndonjë personazh si Kanan Mazja ashtu sikundër në Spanjë e takon me priftin suliot që kërkonte rrënjët e shqiptarëve në krahinën baske.

« Viva la muerte » ky lajtmotiv makabër përshkon luftën në Spanjë. Ngjarje të vërteta si lufta për të mbajtur kuotën 196 apo masakra mbi mercenarët marokenë, sfondi i luftës me këngën « Mbeçë more shokë mbeçë këtu në një vend që as qentë nuk do më hanë » përbëjnë vetëdijen e një personazhi që trimërinë, guximin pasionin për të vdekur në emër të diçkaje e ka të errët e të turbullt.

Ka shumë episode në këtë pjesë të romanit që e bëjnë atë një vepër të vërtetë epike. Stili me romuze, me hidh e prit, kalimi i rrëfimit nga një narrator që ngjan se është zëri Off, autoriteti suprem, ai që na duket sikur na drejton ne, por që nuk e identifikojmë dot, pleksja e vetëdijes krahinore me fatin e paracaktuar apo letra e Petro Markos aty si dhe takimi me amerikanin që i kujton pseudonimin e në shkollën teknike e bëjnë këtë personazh dhe veprën në tërësi një pasqyrë të një periudhe për të cilën asnjëherë nuk mund të themi se e njohim apo e kemi kuptuar si duhet.

Kthimi nga Spanja takimi me Kostë Çekrezin apo njohja me Xhorxh Oruellin që së bashku me Qazim Koculin ndërrojnë kahje. Arratisja nga burgu i Francës dhe përleshja me qenin i sjellin në mendje sentencën dhe mallkimin që përdorej në krahinën e tij : U ngjitsh, u ngjitsh, po në majë mos hipsh.

Tani atje në fshat, pasi është kthyer nga Spanja ai duket më i qartë. Harton një program socialdemokrat. Takon njeriun më me inflencë të zonës, Bektash Cakranin dhe e ka gati projektin për të nisur luftën kundër pushtuesve. Këtu hyn në lojë historia e re që njohim ne por që është treguar keq. Fraksionistët dhe komunistët e Lumit të Vlorës, « Gjerpenjtë e Gjormit », Partia Komuniste që është krijuar dhe aksioni i parë i saj për të vrarë frkasionistët ndërkohë që « Çeta plakë e Vlorës » është i pari formacion që ka ngritur armët kundër pushtuesve. Hakmarrja e italianëve me mercenarët e Dibrës, Selim Kaloshin dhe Halil Alinë që vranë e dogjën fshatrat e kësaj krahine, është një fakt i njohur, por sjellja e Enver Hoxhës dhe Partisë Komuniste të sapokrijuar me komunistët e Vlorës dhe përkatësisht me Sadik Premten e Anastas Lulon jepen me realizëm dhe zbulojnë me fakte se fillimi i Luftës Nacionalçlirimtare dhe partia komuniste që u krijua dhe u nxit nga komunistët jogosllavë e nisi aktivitetin e saj me urdhrin për të vrarë ata që e kishin kudërshtuar atë dhe që kishin marrë nofkën « fraksionistë » dhe jo me idenë për të luftuar fashizmin. Kjo dilemë e ka mbërthyer edhe Mehmet Shehun i cili së bashku me komunistët e Vlorës, me Hysni Kapon e të tjerë gjenden nën presionin e Enver Hoxhës për të pastruar qarkorin në fillim dhe jo për të nisur luftën.

Ardhja e Enver Hoxhës në Vlorë e Mallkastër, takimi në Labinot dhe konflikti me Liri Gegën e bukur apo me Muzhikun sepse këtë pseudonim mbante ajo, tregojnë me realizëm një epope tjetër, të ndryshme nga ajo që njohim ne.

Krijimi i Këshillit Antifashist, përplasjet me Ali Ç Këlcyrën dhe Bektash Cakranin, rindërtimi i ngjarjeve më të bujshme të atyre viteve që shenjuan më pas edhe fatin jo vetëm të Luftës por edhe të historisë së re të pasçlirimit, janë dhënë në këtë roman me një larmi të jashtëzakonshme.

Autori thotë se edhe Mehmet Shehu ishte në rrezik të eleminohej nga Tirana. Ndërkaq fillimi i luftës së përgjithshme dhe anashkaimi i porosive për të vrarë Sadik Premten, një detyrë që Mehmet Shehu nuk e kreu e bëjnë atë që të hidhet në krahët e dëshpërimit e të mendojë deri edhe vetëvrasjen. Aksionet e para të çetës territoriale të Mallakastrës dhe mizoritë që tregojnë luftëtarët e saj ndaj robërve italianë duke i hedhur të gjallë në një shpellë tregojnë me natyralizëm egërsinë e luftës dhe terrorin që mbartte ajo. Por edhe hakmarrja e italianëve ndaj krahinës që tani po digjej flakë ishte shembullore. Qindra e qindra fshatarë të vrarë e shtëpi të djegura.

Romani tregon me ngjyra të ndezuara flakën që ndezi Mehmet Shehu në krahinën e tij kundër pushtuesve italianë duke sfiduar parinë e asaj zone që nuk kërkonte luftën me pushtuesin dhe duke kapërcyer gjithashtu edhe prioritetet e Komitetit Central të cilët këtë luftë e shihnin më shumë si një shpërthim egoist të Mehmet Shehut dhe jo si një planifikim të qartë për Kryengritjen e Armatasor të cilën ata do ta realizonin më vonë.

Pikërisht kjo shkëputje, kjo mospërputhje historike me komunistët e Tiranës e bën Mehmet Shehun një figurë komplekse dhe krejtësisht të veçantë.

Romani tregon me qartësi se lufta Nacionalçlrimitare sidomos në zonën e Jugut e përkatësisht në Mallkastër ishte vepër e frymëzimit revolucionar e luftarak të Mehmet Shehut dhe temperamentit të tij. Gjithçka që u shtoll më vonë dhe gjithçka që u tregua më pas për këtë histori ishte një narrativë e deformuar.

Ky roman ka meritën se jo vetëm tregon jetën dhe bëmat e një prej figurave kyç të historisë shqiptare, por rindërton me objektivitet historinë e fillimit të luftës kundër pushtuesve italianë në vendin tonë duke e shkëputur atë nga historia e lindjes së Partisë Komuniste dhe rolit që luajti ajo në fillimin e kryengritjes së armatosur në vendin tonë.

Ky rrëfim që unë sapo bëra për këtë roman është vetëm një kalim i zbehtë në ato qindra faqe e ngjarje që autori rrëfen me mjeshtëri këtu. Ndaj i mbetet lexuesit tani t’i zbulojë vetë ato.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër