Fjalimi i Sali Berishës në Asamblenë Parlamentare në Strasburg nuk meriton vëmendje, thotë analisti Ilir Yzeiri në “Sot Live” në Report TV. Sipas tij, lideri i PD “nuk përfaqëson asgjë” dhe “nuk meriton vëmendje”, ndaj e quan “të turpshme” gjithë ngjarjen.

Berishës iu fik mikrofoni kur po fliste para Asamblesë dhe Yzeiri thotë se askush nga ndërkombëtarët nuk pranon ta dëgjojë më, por kjo detyrë e lodhshme, u ka mbetur shqiptarëve.

“Po çfarë t’i komentoj unë asaj? Është gjëja më e turpshme që mund të ndodhë në një vend, shkon një njeri atje, e heq veten që është në krye dhe ka rrëmbyer me forcë PD dhe shkon e shan nga mëngjesi në darkë se ai është shpallur non grata nga SHBA, Britania e Madhe, nuk e dëgjon askush dhe duhet ta dëgjojmë vetëm ne. Ne ç’kusur kemi?”, tha Yzeiri.

Sa për protestën e paralajmëruar më 11 shkurt, Yzeiri tha se nuk përbën më ngjarje sepse skenari është i parashikuar. Ai tha se është vetëm mbledhja e një grushti prej 200 personash të zemëruar për Berishën.

“Nuk më intereson fare. U bënë 13 vjet, nuk janë lajme, nuk janë ngjarje. Do të dalë prapë, do të shajë, do të gjuajë me gurë. Protesta ka kuptim kur ka një shenjueshmëri të tillë që prek popullin opozitar aty ku është. Tani mblidhen 200 veta të zemëruar se Berisha është marrë i pandehur, është përjashtuar nga komunikimi politik ndërkombëtar, nuk e përfill njeriu, e duan vetëm 200 veta, nuk është lajm për shqiptarët, atë punë do të bëjnë ata derisa Berisha të ketë jetë biologjike”, u shpreh analisti.

Analisti shprehet se opozita ka resurse, por është e fjetur, kurse Berisha nuk arrin ta pozicionojë dot.

“Çfarë pret nga një kryetar partie që falsifikon, e merr atë si babysitter me vete, Albana Vokshin, shkon atje dhe mban fjalime në një sallë bosh, si Don Kishoti?”, tha Yzeiri duke u rikthyer te momenti kur Berishës ‘i mbyllën’ gojën ndërkombëtarët.

 

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:05
Yzeiri për Report TV: SPAK burgosi pa gjyq Erion Veliajn, Metën pa asnjë akuzë! Ministri i Drejtësisë të vërë pikat mbi ‘i’

Në një bisedë me “Sot Live” në Report TV, analisti Ilir Yzeiri thotë se “SPAK urdhërohet nga prokurorët pranë Berishës”. Më pas thotë se “Berisha është figurë kriminale, por SPAK-u hesht” për këtë. Yzeiri thotë se Prokuroria e Posaçme ka futur në burg pa gjyq Erion Veliajn dhe Lefter Kokën.

“Ka futur në burg pa gjyq, pa argumente Erion Veliajn, që mbajti ish-ministrin e Mjedisit 3 vjet, Lefter Kokën, 4 vjet në burg dhe u detyrua ta lëshonte dhe si të mos mjaftonte, kemi një prokuror pa pagesë që është Sali Berisha që tregon një Shqipëri që e ka kapur krimi”, tha analisti.

Më tej tha se po e njëjta drejtësi futi në burg ish-presidentin Meta pa asnjë akuzë.

“Prokuroria po tregohet e paaftë që të na tregojë provat çfarë ka bërë realisht. Si mund të mbahet ish-presidenti, ish-kryeministri i një vendi që ka pasur postet më të larta, si mund të mbahet i ndaluar në qeli pa i paraqitur një akuzë? Ti mund ta marrësh të pandehur, por jo ta mbyllësh në qeli. Është bërë qelia dhe mbyllja që i pandehuri duhet të rrijë në një dhomë xhami hermetikisht”, tha Yzeiri.

Më tej shtoi se ministri i Drejtësisë “duhet të vërë pikat mbi i” në sistem, ndërsa shtoi se situata në burgje ka nevojë për reformim.

“Ministri duhet t’ua presë duart prokurorëve kamikazë dhe të vendosë me rregull që proceset të jenë të paanshme dhe të hapura, siç ndodh me Sali Berishën. Gjyqi vazhdon, nuk është çliruar nga akuza, por paraqitet si njerëzit e tjerë”, u shpreh analisti.

Në fund, Yzeiri përfundoi duke thënë se ndërkombëtarët janë pro aksioneve të SPAK për krimin e organizuar dhe korrupsionin, por jo për arrestimet.

“SPAK nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka zbardhur letërporositë që kanë çuar të tjerët, ne kemi me emra kriminelët dhe nuk i gjen”, përmbylli analisti.