Sa herë që përballemi me një fatkeqësi natyrore ose kurdoherë që përballemi me kaosin juridik, penal dhe, më shumë akoma, sa herë na dalin para sysh molotovët që hidhen mbi godina shtetërore në emër të opozitës, kujtohemi që demokracia është një sistem i vështirë dhe se krizat e njëpasnjëshme nuk vijnë për shkak të rritjes, por vijnë për shkak se ende nuk po kuptojmë se në çfarë sistemi jetojmë. Edi Rama dhe Partia Socialiste i kanë fituar bindshëm zgjedhjet dhe, në kushtet e sotme, në çdo kohë që të mbahen ato, ata fitojnë përsëri. Mirëpo kjo nuk mjafton që të kesh sukses edhe në qeverisje.
Modeli që ka zgjedhur Edi Rama dhe qeveria që ai drejton nuk përputhet me frymën që ka Partia Socialiste e cila i jep një mbështetje të sigurtë sa herë që ka zgjedhje. Modeli i zhvillimit që ka zgjedhur Edi Rama është ai i kapitalizmit të thellë dhe elitar për të mos përdorur termin oligarkik aq të konsumuar nga kundërshtarët politikë. Por, fakt është që dy ose tre emra pronarësh imobiliarë lëvizin ekonominë shqiptare. Projektet që realizojnë ata janë kryesisht në sferën e ndërtimeve e shërbimeve dhe tani në fund edhe të resorteve turistikë. Pra të krijohet përshtypja se shteti dhe ne të gjithë jemi në dispozicion të vizionit të këtyre biznesmenëve, të cilët, siç dihet, me grumbullimin galopant të financimeve, kanë vetëm një qëllim – fitimin.
Bujqësia shqiptare është në një gjendje aspak të mirë dhe në çdo legjislaturë ne dëgjojmë e shohim përplasje nga brenda vetë mazhorancës për ineficensën e zhvillimit të këtij sektori. Dihet nga të gjithë se importet po e mbysin eksportin. Mburremi zakonisht me zhvillimin e turizmit dhe me ngritjen e resorteve dhe bujtinave. Është një aset që duhet çmuar. Mirëpo, turizmi mund të hidhet në erë sapo natyra na kujton se jemi sjellë dhe vazhdojmë të sillemi keq me të.
Para më shumë se 10 vjetësh, filozofi francez, Edgar Morin dha alarmin se natyra po u përgjigjet mesazheve negative që i kemi çuar asaj. Gjithçka nisi me ngrohjen globale dhe me përmbytjet e zjarret masive, me efektin e gazit serrë dhe me shkatërrimin e pyjeve e lumenjve. Nga ai moment Perëndimi mori disa hapa. Një ndër to ishte industria e makinave me korent. Por dëmi ishte bërë. Shqipëria ka filluar tani të ndiejë efektin e sjelljes keq me natyrën dhe gjithë zhvillimi i këtyre viteve tranzicion, në shumë pak raste, ka përfillur mendimin e specialistit dhe profesionistëve.
Në media lexojmë se arkitektë dhe profesionistë të tjerë si gjeodetë i dorëzojnë licensat sepse nuk ka nevojë më njeri për ta. Dhe kështu ndodh që rrugët dhe akset themelore të vendit i lëmë në harresë. Unë ndaj mendimin me një pjesë të mirë profesionistësh që thonë se ajo që ndodhi në aksin Librazhd- Pogradec ishte rrëshqitje natyrore, pra aksident natyror. Po përse natyra u kujtua tani të na përgjigjej ? Të na kthejë feed-back-un? U kujtua tani sepse ajo arterie themelore e vendit ka qenë vazhdimisht e lënë në harresë.
Përpara se të rinisnin punimet për Korridorin 8, mesa duket, nuk ka pasur një studim të thellë fizibiliteti e gjeomorfologjik. Në emisionin tim ADN që do të shfaqet ditën e diel pata të ftuar Prof. Perikli Qiriazin gjeografin më të mirë që kemi sot dhe Dr. Abdulla Dikun një inxhinier i shkëlqyer pyjesh. Prof. Qiriazi më shpjegoi se ai formacion, pra nga Librazhdi deri në Prrenjas është një formacion i krijuar nga liqenet mijëravjeçare dhe në strukturën e tij ka një shtresë argjilore në fund. Ajo zonë njihej për rrëshqitjet masive dhe se çdo rrëshqitje e mëparshme është një minë me sahat- tha profesori. Ata që nisën ndërhyrjen për herë të dytë në këtë trase jo vetëm që nuk i llogaritën këto të dhëna, por i injoruan dhe si të mos mjaftonte kjo e vendosën trasenë në shtratin e lumit Shkumbin dhe lejuan marrjen e inerteve aty. Ndërsa Dr. Abdulla Diku më tha se edhe në rrugën e Arbrit në zonën e Xibrrit është ndërhyrë keq në shtratin e një përroi duke e ngushtuar atë dhe ai tani po gërryen një masiv të tërë që rrezikon të hedhë në rrugë një shpat kodre dhe shtëpitë e ndërtuara aty.
Në anë tjetër është reforma në drejtësi. Asnjëherë më parë nuk ka pasur një reagim publik nga profesionistë të spikature për problemet e drejtësisë së re si tani. Por, për fat të keq, në vend që opinionet e tyre të mblidhen e të analizohen në forume shkencore e politike, në grupe pune, në vend që ata të aktivizohen edhe në komisione apo forma të tjera të ndikimit politik, qeveria i injoron dhe vijon të « reformojë sistemin » me modelet e vjetra alla « Manja ». Ju kujtohet se para disa kohësh iu paraqit publikut një projekt për një kod të ri penal në Republikën e Shqipërisë, Ai kod shkaktoi më shumë të qeshura sesa çdo emision humoristik në vend.
Ku është ai kod, ku shkuan ato energji ? Askund. Ndaj ndryshimet në qeveri janë më shumë një atribut i vetë kryeministrit i cili, ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera, edhe këtë radhë iu beson më shumë teknicienëve të tij sesa drejtuesve me profil të lartë politik. Mirëpo, nëse sistemi nuk do të zgjerohet edhe me ekspertizën e profesionistëve të atyre fushave që janë injoruar deri tani, atëherë natyra do të jetë më agresive ndaj nesh. Nëse nuk e ndalim dorën dhe nëse nuk ndryshojmë modelin e zhvillimt ekonomik, atëherë kapitalizmi elitar do të na dërgojë të tjera mesazhe negative.
Komente











Peme qe vetem molle e dardha te kalbura, eshte or mik socialistja - vec nje kercell ka te “arte “…
Përgjigju