Nëse këto ditë kalon pranë oborrit të ndonjë shkolle fillore, ti mund të dëgjosh që nga altoparlantët vijnë ndonjëherë edhe vargjet e poemës së Naim Frashërit për Skënderbeun : Krujë o qytet i bekuar/prite, prite Skënderbenë/ po vjen si pëllumb i shkruar/ të shpëtojë mëmëdhenë. Ndërkaq, mitropoliti i Korçës Anastas, denoncoi me zë të lartë përdorimin e filmave që himnizojnë luftën për alfabetin dhe nderojnë figurat e martirëve që u sakrifikuan për gjuhën shqipe siç është ndër të tjera edhe figura e Petro Nini Luarasit, i cili u helmua nga autoritetet e kishës ortodokse të Korçës për shkak se kërkonte përdorimin e gjuhës shqipe në ligjërimin brenda kishës ortodokse.
Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është një ditë e shenjtë dhe duhet treguar në mënyrë shembullore edhe në shkolla. Shqipëria ka një histori shumë të ndërlikuar për shkak të pushtimit të gjatë otoman dhe për shkak edhe të tri besimeve fetare. Rilindja kombëtare u ngrit mbi një ideal të madh që ishte ai i shqiptarisë dhe vargu i famshëm i Pashko Vasës « Mos shihni kisha e xhamia/feja e shqiptarit është shqiptaria », shërbeu si një thirrje për bashkimin pa dallim feje. Të njëjtën gjë përsëritën edhe nacionalistët e Frontit Nacionalçlirimtar kur bënë thirrje që të ngriheshin kundër pushtuesve pa dallim feje e krahine.
Në gjithë këta vjet ne kemi ndërtuar disa narrativa për të kremtuar festat e mëdha të vendit, por ende nuk e kemi modeluar ashtu siç duhet idealin shqiptar- ose atë që thoshte Pashko Vasa në shekullin e XIX. Sot ne duhet t’ju tregojmë fëmijëve se Shqipëria doli më vete dhe fitoi Pavarësinë e u shpall shtet i pavarur për shkak se luftoi për të ruajtur territorin e vet dhe gjuhën e kulturën e saj sipas modelit dhe frymëzimit të veprës së kryeheroit tonë Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ka qenë një kohë që Shqipëria ishte një vend europian dhe pati përqafuar krishtërimin me të dyja anët e tij, të Lindjes dhe Perëndimit. Pastaj erdhi nata e gjatë otomane dhe vendi u përça, shqiptarët u ndanë në tri besime. Ndodhën maskra dhe emigracione e shpopullime fatale. Për këtë shkak sot shqiptarët gjenden në Italinë e Jugut sidomos dhe atje thirren arbëreshë. Pavarësia u përgatit nga Rilindësit tanë të mëdhenj dhe zgjimi i parë ndodhi ndër arbëreshë me De Radën e madh pastaj në Stamboll në kryeqytetin e Perandorisë me Naimin e Samiun, në Bukuresht e sidomos në Shkodër në vitet’900 me Fishtën e klerin katolik në përgjithësi.
Sot është e rëndësishme të tregojmë për fëmijët tanë kultin e trimërisë të mishëruar te kryeheroi ynë Gjergj Kastriot Skënderbeu, por duhet të tregojmë edhe përpjekjet për të ruajtur gjuhën shqipe dhe institucionet kulturore të besimit. Ne jemi vend ateist, por nuk mund të mohojmë sot që tri institucionet fetare nuk kanë ndikim në edukimin e shqiptarëve. Shkolla jonë sot është në vështirësi sepse arsimi publik është i vetmi që mund të ruajë dhe të mirëmbajë kujtesën historike me ato vlera që janë të shenjta, pra kulti i heroit tonë, Skënderbeut, gjuha shqipe dhe vëllazërimi i shqiptarëve pa dallim feje. Në anën tjetër janë shkollat private të të gjitha ngjyrave e vendeve të botës apo institucionet fetare të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në edukimin e të rinjve.
Ne i kemi lënë pasdore institucionet e arsimit, të kulturës e të shkencës. Në emër të lirisë së fjalës, të shprehjes dhe të organizimit ne kemi lejuar gjithëfarëlloj deformimesh që e dëmtojnë memorien tonë historike. Për shkak të ideologjizimit esktrem në socializëm, shumë fakte historike tani janë kthyer përmbys dhe për shkak të moskontrollit permanent mbi institucionet e kultit edhe shumë nga të vërtetat historike nuk përmenden dhe madje deformohen. Ndaj edhe mitropoliti Anastas i Korçës është kthyer në shekullin XIX atëherë kur kisha greke nuk lejonte përdorimin e shqipes në ritualin kishtar dhe asnjë reagim nuk pati nga ndonjë institucion shqiptar përveç një reagimi të argumentuar të publicistit Thoma Gëllçi.
Ndërsa përpjekjet që bëhen nga një pjesë e institucioneve islamike në hapësirën shqiptare që ta zhbëjnë identitetin shqiptar të konstruktuar me heronjtë dhe luftërat e Rilindjes, janë evidente dhe i kemi ndeshur disa herë. Fëmijëve tanë sot, për shkak edhe të përshtatjes së kurikulave tona me ato të vendeve të Bashkimit Europian duhet t’u mësojmë dhe t’i edukojmë edhe me ndjenjën e dashurisë e të respektit për atë që është ndryshe nga ne sa i takon gjuhës, besimit, gjinisë dallimit social dhe tjetrit që vjen si emigrant. Edukimi qytetar që ndërfutet qysh në klasat e para të ciklit të ulët duhet të ndërthuret edhe me atë patriotik.
Ka dy tendenca sot në Europë që atdheu nuk është më vetëm vendi i të parëve, por edhe vendi i të ardhurve sepse lëvizja e lirë dhe emigrimi po ndryshon strukturën e popullsisë së Europës. Kolonitë e dikurshme të Anglisë apo Francës, fjala vjen apo emigrantët sot po i japin identitet tjetër në formë atyre shteteve.
Mjaft të shohim Amerikën. Atje personalitete të besimit fetar mysliman po zgjidhen në poste kyçe të drejtimit të atij vendi të madh. Por të mos harrojmë se asnjë prej tyre nuk ka vënë besimin e tij mbi përkatësinë kombëtare. Të gjithë kanë deklaruar atë që thoshte Kenedi që përpara se të jem katolik jam amerikan, frazë që e përmendi senatori i sapozgjedhur Abdul El Sajed në Amerikë. A do të arrijmë edhe ne që përpara se të themi që jam mysliman, katolik apo ortodoks unë jam shqiptar ? Vështirë të thuhet sepse përmbajtjen e këtij emri ne e boshatisim herë pas herë dhe e dekonstruktojmë po ashtu me marrëzitë e luftërave tona ideologjike.










Komente
Komento