Ilirjan Celibashi, prurja e re
e Ramës në listat e PS

Ilirjan Celibashi, prurja e re<br />e Ramës në listat e PS
TIRANE - Pas prezantimit të gazetarit Alfred Peza në Peqin dhe Parid Cara në Kavajë, tashmë kanë nisur të dalin emrat të tjerë të listës së kandidatëve të PS për zgjedhjet e qershorit. Emra që publikohen për herë të parë dhe ende nuk është vendosur se ku do jenë pjesë e garës elektorale. Kështu një emër i ri pritet të prezantohet shumë shpejt nga kryetari i PS Edi Rama në javët në vijim për t’i bashkuar “armatës fituese” siç ka dëshirë kreu i PS ta cilësojë grupin e kandidatëve për deputetë në gjithë qarqet, dhe që pritet të gjejë mbështetjen e strukturave rozë në qendër dhe në bazë.

 Ai është Ilirian Celibashi, emri më i dëshiruar nga kreu i selisë rozë, mbështetur në reputacionin e padiskutueshëm të ish-kryetarit të KQZ dhe njeriut për të cilin nuk ka guxuar të flasë negativisht as lideri i mazhorancës Sali Berisha. “Ilirjan Celibashi, do të jetë një prurje e re brenda strukturave në listat fituese të kandidatëve për deputetë të PS. Janë disa qytete që po diskutohen për emrin e tij, ndërkohë që ende nuk është vendosur se në cilën zonë do jetë. Në ditët në vijim do të ketë një qartësi më të madhe për çështjen e listës së kandidatëve për deputet”, thonë për gazetën “Shqiptarja.com” burime nga zyra e shtypit në selinë rozë. Mësohet nga burime të sigurta se në krye të listës për të pasur Celibashin në përbërje të grupit të kandidatëve për deputetë është qarku i Fierit, që pas largimit të sekretarit për pushtetin vendor Fino në drejtim të Elbasanit, është më i mundshmi për ta qenë në listë.

Por mësohet se mund të jetë dhe në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Beratit, duke iu bashkuar ekipit të fortë të kryesuar nga deputeti tashmë veteran Erion Braçe. Në fakt, duket se këto ditë ka më shumë qarkullim në korridoret e selisë rozë, ku njerëz hyjnë e dalin me shpresën për të marrë më shumë të dhëna për atë që ndodh dhe pritet të ndodhë me listat. Shumë nga qarqet kanë filluar të selektojnë emrat përfundimtarë ndërkohë që akoma s’ka një listë zyrtare. Ilirjan Celibashi ka qenë në krye të KQZ në ballafaqimin elektoral të vitit 2005 ndërkohë që para se të merrte këtë detyrë, ka punuar si zv.ministër i ish Ministrisë së Rendit Publik. Pas largimit nga KQZ, Ilirjan Celibashi ushtron detyrën e avokatit, ndërsa ka hapur një studio ligjore, e tashmë, duket se i ka ardhur një ofertë e qartë për të qenë pjesë e politikës, e strukturave rozë. Celibashi ka mbështetje të fortë e është pritur jashtëzakonisht mirë nga strukturat e PS si një personalitet që nuk është diskutuar asnjëherë për shkelje të ligjit, abuzim me detyrën apo elementë të tjerë negativë që vuan rëndom politika e politikanët shqiptarë në tërë këto vite. Ai përmbledh të gjithë sensibilitetet e PS, duke garantuar një numër shumë të madh votash për PS e opozitën. Madje as vetë lideri i mazhorancës Berisha e ka të pamundur të gjejë ndonjë “kleçkë” për të goditur Celibashin. Por ditët e ardhshme mësohet se do të ketë dhe një emër surprizë për të kandiduar në një qark bregdetar, megjithëse deri më tani është vetëm në hapat e parë të ofertës nga ana e kreut të PS Edi Rama. Pavarësisht se gjasat që të pranojë janë të pakta, nëse futet në garë është me të vërtetë një “bingo” për opozitën.

PDK NDOKA: JA KANDIDATËT PËR DEPUTETË SIPAS 12 QARQEVE

Anëtarët, simpatizantët dhe miqtë e Partisë Demokristiane janë informuar për procesin e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë për secilin qërk të vendit. “Ka nisur procesi i propozimeve dhe përzgjedhjes së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 23 Qershorit”, deklaron kreu i PDK Nard Ndoka në profilin e tij në rrjetin social facebook. Sipas tij në për Qarkun Shkoder është Gjelosh Prendi, kryetar i Degës PDK, për Qarkun Dibër Abedin Paci, kryetar i Deges Dibër. Për Qarkun Durrës Zef Çupi, biznesmen, ish sportist, për Qarkun Tiranë Frrok Gjini, biznesmen, ish deputet i PDK-së, për Qarkun Fier, Xhemil Hoxha, kryetar i Deges së PDK Mallakastër, biznesmen, për Qarkun Vlorë Baki Jazaj, n.kryetar i PDK, kryetar i Degës PDK Vlorë, biznesmen. Njëherësh Ndoka ka kërkuar vlerësimet e anëtarësisë për të propozuar kandidatë të tjerë për deputetë. Ajo që bie në sy është fakti që kreu i PDK Nard Ndoka nuk e ka vënë emrin e tij në listë, ndoshta është në pritje të përfshirjes në listat e PD.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(Redaksia online )

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Lufta e Izraelit me Hezbollahun/ Hyn në fuqi armëpushimi, festë në rrugët e Bejrutit

Lufta e Izraelit me Hezbollahun/ Hyn në fuqi armëpushimi, festë në rrugët e Bejrutit