Ilirjan Celibashi: Skemë për
rezultatin në çdo qendër votimi

Ilirjan Celibashi: Skemë për<br />rezultatin në çdo qendër votimi
TIRANE - tervistë për gazetën “Shqiptarja.com” kandidat për deputet në qarkun e Fierit, njëherësh dhe ish-kryetar i KQZ, Ilirjan Celibashi është shprehur se mbrojtja më e mirë ndaj manipulimit te votës është pjesmarrja masive në zgjedhje më 23 qershor. Ai tha se PS po konsoslidon skemën e administrimit dhe mbikqyrjes e kontrollit të procesit të votimit deri në shpalljen e rezultatit.

Por do aplikohet dhe projekti i shënimit e i bërjes publike të rezultatit të zgjedhjeve në kohë reale, që do të rrisë transparencën, projekti që e bën këtë për çdo qëndër votimi dhe ka mekanizma kontrolli të pavarur nga njëri-tjetri.

Celibashi thotë se objektivi në Fier është 10 mandate për PS, ndërsa akuzon mazhorancën se po ushtron presion ndaj votuesve në administratë dhe përmes mbledhjes së dokumenteve identifikues, e fotokopjimit të tyre. Ai flet dhe për aleancën me LSI, duke thënë se partitë kandidiojë më vete dhe për këtë ai bën thirrje që të votohet për PS-në.
 
Jeni kandidat në qarkun që nxjerr më shumë deputetë pas Tiranës. Cila është ambicia juaj për rezultatin e 23 qershorit?
Partia Socialiste jo vetëm që do të ruajë rezultatin elektoral të vitit 2009, por synon që ta përmirësojë atë. Kjo do të thotë, fitimi i zgjedhjeve në këtë qark me 10 mandate për PS.
 
Gara në Qarkun e Fierit është shumë e fortë, për shkak se përplasen shumë kandidatura, shumë parti por dhe të pavarur. Mendoni se Prifti heq vota nga e majta, duke dëmtuar objektivin e PS për 10 deputetë në këtë qark?
Gara elektorale është dhe do të jetë në ditët në vazhdim shumë e fortë. Por e rëndësishme është që fushata përgjithësisht në këtë qark po zhvillohet e qetë. Gjithësesi ky përcaktim i shkon për shtat kësaj fushate nëse nuk marrim në konsideratë disa sjellje dhe veprime të përfaqësuesve të shumicës qeverisëse, kundrejt nëpunësve të administaratës publike, mësues, etj.

Grumbullimi i letërnjoftimeve dhe/ose pasaportave, fotokopjimi i tyre, presionet partiake për të kontribuar edhe financiarisht në mbështetje të fushatës së PD-së, largimet selektive nga puna, dhënia e ndihmave ekonomike në mënyrë selektive dhe në këmbim të votës, janë të gjitha sjellje dhe veprime që cënojnë standardin e zgjedhjeve dhe më shumë akoma dinjitetin e njeriut, të votuesit.

Askush përveç PS nuk e dëmton rezultatin e pritshëm elektoral të PS. Konkurimi i alternativave të tjera nuk cënon aspak interesin elektoral të PS, pavarësisht joshjes së momentit të individëve të veçantë, nga subjektet elektorale të tjerë. PS është një parti i fuqishme, me mundësi reale për të qeverisur mirë, drejt dhe ndershëm këtë vend, në interes të mirëqënies së qytetarëve.

Nëse një votues ka dyshime për këtë gjë, më duket e paarsyeshme, jo logjike dhe jo me interes për të, që të mbështesë një alternativë që më së paku nuk ka mundësi të ofrojë zgjidhje për komunitetin, të cilin kërkon të përfaqsojë.
 
Si po ecën bashkëpunimi me LSI në koalicion, në qarkun e Fierit?
PS është në koalicion me LSI dhe disa subjekte të tjerë, por është e qartë që secili prej nesh kërkon që të ketë një rezultat elektoral sa më të mirë. Bashkëpunimi ynë është ndërveprues për çështje të administrimit zgjedhor dhe kuptohet se politikisht na bashkon qëllimi për nxjerrjen në opozitë të kësaj shumice qeverisëse.

Por nga ana tjetër është më se e natyrshme që secila prej partive të koalicionit tonë t’i bëjë thirje elektoratit për mbështetje në mënyrë individuale. Prandaj ftesa ime që, qytetarët shqiptarë duhet të votojnë PS, numrin 29 në fletën e votimit, nuk cënon aspak aleancën elektorale me LSI dhe me subjektet e tjera.
 
Jeni rikthyer në garën politike, tashmë jo më si “arbitër” dhe në krye të institucionit më të lartë zgjedhor KQZ, por si pjesë e garës në emër të PS dhe opozitës. Cili është ndjesia e krijuar?
Nuk e kisha menduar se një ditë do të kisha angazhim politik. Më është dukur gjithmonë se angazhimi në profesion i ka përmbushur edhe ato detyrime kundrejt shoqërisë (në kuptimin e gjerë), që dikush kupton se ka si qënie shoqërore kundrejt kësaj shoqërie.

Por duke ditur se pjesmarrja në politikë është ndoshta mjeti më i përshtatshëm për të kontribuar për përparimin e një shoqërie njerzore, si dhe duke konsideruar se vendi, ndoshta si asnjëherë tjetër, kërkon ndryshim të një mënyre qeverisëse, pranova ftesën për të kandiduar për deputet për PS në Qarkun e Fierit.

Kandidimin tim e shoh dhe do ta shoh thjeshtë si mjet për një shprehje më të plotë dhe më produktive të aftësive e mundësive të mia për të kontribuar në interes të qytetarëve. Koha do ta vërtetojë këtë gjë. Personalisht ndihem mirë në këtë anagazhim, pasi në mbështetje të veprimit tim politik shoh në radhë të parë shumë intelektualë dhe njerëz të shquar, si dhe nga qytetarë të thjeshtë. Me siguri do ta justifikoj besimin e tyre, nesër.
 
Problem gjithnjë ka qënë manipulimi i votës. Cila është skema e PS për ruajtjen e votës?
Pjesmarrja masive në votime dhe vota për PS-në është garancia absolute për një administrim të mirë të procesit zgjedhor. Gjithësesi PS tashmë është duke konsoliduar skemën e administrimit dhe të mbikqyrjes, apo kontrollit të procesit të votimit deri në shpalljen e rezultatit.

Kemi një protokoll, respektimi i të cilit na siguron integritetin e procesit. Ky protokoll, që më së pari respekton kërkesat e ligjit, konsiston në persona, mënyrë organizimi, si dhe teknologji informacioni të nivelit më të lartë.
 
Keni deklaruar se do të instaloni projektin që numurimi i votës dhe rezultati hap pas hapi të bëhet publik. Sa do ndihmojë kjo në eliminimin e mundësive për manipulim? A duhet vënë dhe një sistem përllogaritjeje ‘non stop pranë PS për secilin qark e në qendër?
Edhe ky projekt është pjesë e protokollit të sipërcituar. Projekti i shënimit dhe i bërjes publike të rezultatit të zgjedhjeve në kohë reale, do të rrisë transparencën e këtij aspekti të procesit zgjedhor. Projekti e bën këtë për çdo qëndër votimi dhe ka mekanizma kontrolli të pavarur nga njëri-tjetri.
 
KQZ është jashtë loje për momentin, për shkak se funksionon me katër anëtarë. Mendoni se Kolegji Zgjedhor mund të bëjë KQZ për të gjitha vendimet me shumicë të cilësuar?
KQZ, fatkeqësisht ka humbur tërësisht besimin jo vetëm të opozitës, por dhe të shumicës së shqiptarëve, apo dhe të faktorit ndërkombëtar. Por nga ana tjetër mungesa e kuorumit në këtë institucion, për rastin e vendimeve që kanë të bëjnë me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve do të bëjë që ky institucion të "dalë jashtë loje" tërësisht. Gjithësesi rezultati i zgjedhjeve është ai që del nga çdo KZAZ. Prandaj në këtë rast KQZ s’ka asnjë rol.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare