Illyricum Sacrum, Peripecitë e
përkthimit të Imzot Frano Illia-s

Illyricum Sacrum, Peripecitë e<br />përkthimit të Imzot Frano Illia-s
Vëllimi VII  i Illyricum Sacrum, u përfundua së përkthyeri nga Imzot Frano Illia (1918-1997) plot pesëdhjetë vjet më parë në verën e vitit 1963, punë të cilën e kishte nisur në vitin 1956. Disa herë radhazi ai u është drejtuar institucioneve të asaj kohe përmes letrave dërguar zyrtarisht që ai përkthim të botohej, por askush nuk e mori në konsideratë. Përkthimi i tij qëndronte në tavolinën e Institutit të Kulturës Popullore dhe atë të Historisë sikurse dhe vepra tjetër Kanuni i Skanderbegut qëndronte tek Instituti i Kulturës Popullore, ku ai ishte vetëofruar si bashkëpunëtor i jashtëm. Për fat të keq këtij përkthimi i mungon pjesa e parë e këtij vëllimi, e cila ka historinë e Kryeipeshkvisë së Tivarit. Kuptohet se për nevoja të kohës Dom Frano Illiaj ka përkthyer vetëm pjesët që i kushtoheshin dioqezave kishtare katolikë në tërësi brenda territorit të shtetit të sotëm zyrtar shqiptar. Pra përkthimi nuk përbën një përkthimi të tërsishëm të vëllimit të VII të Illyricum Sacrum.

Nëse do të mbërrihej të përkthehej edhe kjo pjesë e mbetur e vëllimit VII, si dhe gjithashtu pjesa hyrëse e vëllimit VIII, që i kushtohet Kryeipeshkvisë së Shkupit, Iliria e Shenjtë në viset shqiptare do të ishte thuajse e plotë, pra do të kishim në dorë një kryevepër të historiografisë në shqip. Për herë të parë kam rënë në kontakt me këtë dorëshkrim në vitin 1996, në katin e dytë të zyrës së Kryeipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës, kur kopjen e atij përkthimi e pashë në duart e Imzot Frano Illisë. Një kopje e atij daktiloshkrimi i ishte dorëzuar atij në vitin 1993, të zotit të saj, i cili në atë kopje në një nga faqet e daktiloshkrimit ka lënë edhe një shënim me interes, bërë ky në vitin 1993, rreth këtij daktiloshkrimi. Interesimi për Illyricum Sacrum nisi me rastin e 2000 vjetorit të krishtërimit, teksa po përgatisja diçka rreth historikut të kishave dhe organizimit kishtar  në Kurbin dhe bashkë me të të shkollës së hapur në këtë krahinë në vitin 1632.

Duke konsultuar në fondet e Arkivit të Shtetit, hasëm në dorëshkrimet e Dom Franos, dhe që aty nisi interesimi. Disa faqe (25 të tilla) nga kopja e daktiloshkrimit të përkthimit të pjesshëm të volumit VII prej 223 faqesh të realizuar nga Imzot Frano Illia, mundëm të sigurojmë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, përkatësisht në verën e vitit 2002 dhe 2005. Po ashtu nga burime thuajse të sigurta bëjmë me dije se Imzot Frano ka lënë gjithashtu rreth 150 faqe dorëshkrim në disa fletore me shtesa e plotësime që plotësojnë vëllimin VII, aty ku e kanë lënë Farlati-Coleti, por që kanë përfundur në duar të ndryshme, të cilat bëjnë mirë t’i dorëzojnë në institucionet e ruajtes së këtyre lloj dokumentave. Në vitin 2006, kemi konsultuar në Shkodër në Arkivin Françeskan pranë Bibliotekës Françeskane “At Gjergj Fishta”, (ku disponohet edhe një kopje origjinale e volumit VII të Illyricum Sacrum, pjesë e fondit të dhuruar nga At Daniel Gjeçaj), kopjen e daktiloshkruar që me sa dukej ishte njëra nga fotokopjet e Imzot Illisë, të cilën e kishte depozituar aty nën ruajtje z. Kolec Çefa, sipas një ideje që kishte patur At Zef Pllumbi për ta botuar atë përkthim, kopje të cilën na e vunë në dispozicion për konsultim Fra Vitor Demaj. Rrethanat e sollën që në atë projekt ide të mos realizohej asgjë as atëherë e as sot.

Arsyet dhe mosarsyet e mosmarrjes në konsideratë deri me tash të punës përkthimore të Dom Franos përbëjnë një histori më vete, e cila mbart gjithashtu në vetvete tragjizmin dhe njëkohesisht batakun ku kishte rënë e vijon të mbetet ende kultura shqiptare. Kanë qenë jo të paktë atëherë dhe shumë më tepër sot, "shkrimtarët" dhe "përkthyesit" që kanë mbushur "shitoret" me "studime" "monografina", "romane" e kësi punësh shkrimore, por për punën e tij askush nuk u kujtua e nuk kujtohet ende as sot. Mënyra se si është sjellë shteti shqiptar dhe institucionet e tij para dhe mbas viteve '90, heshtja, anashkalimi dhe mosvlerësimi i duhur i punës së tij, mbetet një dëshmi e gjendjes së prapambetur e pothuajse krejt parazitare të kulturës sonë, sot e gjithë ditën. Illyricum Sacrum është dhe mbetet njëri prej këtyre precedentëve kulturorë, atëherë, sot dhe nuk e dimë ende edhe sa kohë do të vijojë të mbetet kështu.

Duke qenë se pas arrestimit të Imzot Frano Illisë në Milot në vitin 1967, të gjitha dorëshkrimet e tij, midis të cilëve edhe kopja personale e këtij dorëshkrimi u konfiskuan nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të regjimi komunist, për të përfunduar më pas në Fondet e Arkivit Qendror të Shtetit, bazuar në ligjet Mbi Arkivat të viteve 1993 dhe 2003, të drejtën e pronësisë së tyre e posedojnë ekskluzivisht Arkivi i Shtetit dhe familjarët e Imzot Illisë, ndaj mendoj se edhe pse nuk është një përkthim i plotë, ajo punë duhet të bëhet e njohur për studiuesit dhe lexuesit, mbasi me atë vepër është abuzuar nga studiuesit të cilët e kanë shfrytëzuar pa e cituar kurrë, sikurse edhe kanë bërë po ashtu edhe me veprën tjetër Kanuni i Skanderbegut, botuar përfundimisht në Brescia, në vitin 1993. Gjatë punës përgatitore editoriale kur do të duhet të ketë ndonjë paqartësi, përgatitësi i botimit duhet t’i drejtohet botimit origjinali në latinisht, duke bërë krahasimet e duhura dhe duke i qëndruar kështu sa më besnik dhe korrekt përkthimit të Imzot Frano Illisë.

Në njëfarë kuptimi, botimi i këtij përkthimi nënkupton sjelljen e një monumenti dokumentar të historisë shqiptare, sikurse konsiderohet dhe është në të vërtetë Illyricum Sacrum, që për nga qëlllimi, përmasat dhe ralizimi ka qenë dhë vijon të jetë i një rëndësie të posaçme. Bashkë me këtë, sigurisht që bartet edhe përgjegjshmëria e përcjelljes në gjuhën shqipe të kumtit ligjërimor dokumentar të tekstit të veprës, sipas përkthimit shqip në variantin e gegërishtes nga Imzot Frano Illiaj. Botimi i këtij përkthimi edhe kështu në mënyrë të pjeshme, do të ishte një homazh për Imzot Frano Illinë me rastin e 50-vjetorit të realizimit të këtij përkthimi.

Për kërshërinë e lexuesit po sjellim një shënim të bërë nga Imzot Frano Illia në një nga faqet e para të tekstit përkthimor, pas shtënies në dorë në fillim të vitit 1993.
 “Në vjetin 1967 fillon salvimi i plotë i egër. Me shkëndijën e parë të lirisë së ndërgjegjës ushtrimi i Fesë së mbulueme shperthei haptë e vazhdon. Atë Marjan Prela ofm, ka lanë nji dorshkrim të daktilografuem ku rreshtohen emnat e shumë ipeshkvijve që nuk i ka gjetë Farlati. Aj punim do të plotësonte Farlatin ase veprën e tij. Shenoj këtu se ky perkthim asht marr prej tekstit latinisht botue në Venedik (Venezia) 1817. Ky tekst gjindet në Biblioteken Kombtare ase n’Akademi Tiranë. E tue kenë e vetmja kopje, kishte me kenë me shum dobi po të fotokopjohet. Si per kete, si volumin VIII kishte me kene shumë mirë me te edhe me volumet I, II, III, IV, V, VII e VIII. Volumi VIII ka humbë në dorë të Gjergj Bicit të cilit ia pata lanë për te ruejtë.

Ai vdiq e çdo gja e tija i mbet të shoqes Bardhe Gjomarkaj. Mund e duhet të pyetet për ketë vllau e nipat e Gjergjit. Sigurisht ipeshkvijt mbas Farlatit i kam rreshtue per plotsim deri te i fundit Ernest Çoba. Do të shenoj këtu se ky perkthim i daktilografuem prej meje, kje lanë per ta ruejtë Rrok Zojzi e në zyrë të tij u zhduk dhe dora që e muer mandej e ka dorxue në Bibliotekë Kombtare ase Akademi e aty u ruejtë. Kur u lirova prej burgu e kërkova urtë e butë privatisht, ma vonë edhe me anë të shtypit deri sa m’erdh kopja që asht kjo, ku po baj kto pak shenime. Qfaqi dishirin që historjant e dashamirët e historisë që asht msuesja e jetës, të vazhdojnë në të ardhmen jo vetem tue e vazhdue kete rreshtim kronologjik, por edhe tue e pasunue me njoftime qe dalin prej burimesh të ndryshme.

U lehet kështu mbasardhsave nji pasuni morale e çmueshme e kombit, i bahet nji sherbim i mirë si e kemi detyrë të gjithë. Keto pak shenime u bane mbasi m’u dorzue kjo kopje qe i kje dorzue në Milot, kryetarit të Komunës Gjokë Gjoka, i cili ia dorzueka Nuncit Apostolik në Shqipni Imzot Ivan Diaz e ai ma dorzoi mue në Breshia (itali) me 17. I. 1993 me dorë të Ipeshkvit të saposhuguruem Imzot Diego Causero, tashti Nunc Apostolik në Rep. Qendrore Afrikë dhe Kongo.
 Dom Frano Illia. (Nënshkrimi)

Duke mos dashur të zgjatemi më shumë, mendojmë se është detyrë e Arkivit Qendror të Shtetit dhe e Ministrisë së Kulturës e pse jo edhe titullares së kësaj ministrie, e cila vjen nga fusha përkthimore, që ta vlerësojnë si duhet këtë punë, si një shërbim që i bëhet albanologjisë.
Më poshtë po japim edhe letërkëmimin që Dom Frano Illia ka pasur gjatë përpjekjes për botimin e kësaj vepre. Dokumentacioni është nxjerrë nga AQSH. Fondi 1069. Dosja 40.
 
Letra nr. 1.
Kjo letër i dërgohet Rektorit të Universitetit të Tiranës Kahreman Yllit. f. 7.
I Nderti Zotni Rektor
Lejohem të Ju kujtoj se para njij mueji Ju kam drejtue, simbas fjalës s’Uej një pasqyrë sintetike të veprës ILLYRICUM SACRUM dhe të pjesve të përkthyeme shqip prej meje, por pergjigje s’kam marrë.
Po insistoj të kemë nji pergjegje që se do të pranohet përkthimi i Veprës, vetem që të dij t’orjentohem në përpunimin e përkthimit dhe të vazhdimit të pjesëve të tjera, që mbas mendimit tim kishin me kenë të nevojshme të përkthehen.
Në pritje të përgjigjës s’Uej mbetem me nderime.
D. DRANO ILLIA. (Nënshkrimi)
Milot 11.XI.1963
Variante hyrjeje të përkthimit.

Varianti 1.
PASQYRË SINTETIKE E VEPRËS DHE E PJESËVE TË PERKTHYEME T’ILIRISË KISHTARE.
Vepra "ILLYRICUM SACRUM" (ILIRIJA KISHTARE ase Historia Kishtare e Ilirisë) që përbahet prej tetë volumesh me format 38 x 26, rreshton historinë kishtare e lidhun me atë civile të  të gjitha krahinave që në kohë të vjetra përshiheshin nën emnin e haptë Iliri. Volumi VII, në 638 faqe, rreshton historinë kishtare të bregdetit t’Ilirisë. Volumi i VIII atë të krahinave të Kosovës. Vendet që përshkruen historikisht  ky volum VII janë Djoklea e Tivari me sufraganet e vet, ashtu Shkodra e Durrësi po me sufraganet e vet. Prej kësi volumi deri tash kemi përkthye pjesët që i përkasin mbrendisë së kufijve të sodshëm të Shqipnisë: Shkodrën  me sufraganet e saj dhe Durrësin me sufraganet e tij. Shkodra kishte këto djeçeza e sufragane: Sapën, Pultin e Madh e Pultin e Vogël (Dukagjinin), Drishtin, Sarden e Dejën. Durrsi kishte këto dioçezë sufragane:  Lezhën, Arbëninë, Krujën, Bendën, Priskën, Shtejefnin,  Kanovjen, Apoponinë (Pojanin), Vëlonën, Lestronin, Buliden, Amancjen, Pulkerjopullin (Beratin) dhe Akroçerauninë. Landa ndahet në djeçeze ase rajone kishtare.

Secila Seli Arqipeshkvnore apo Ipeshkvnore gjindej ndër qytetet nga të cilat edhe merrte emnin. Në fillim të çdo Arkiodioçjezi apo Djoçjezi përshkruhet themelimi i qytetit dhe djeçezit dhe flitet shkurtimisht mbi te. Mandej vjen rreshtimi i jetëshkrimit i secilit prelat. Gjatë jetëshkrimeve të tyne rreshtohen faktet historike kishtare e lidhun me te ato të historisë çivile në rend kronologjik. Në këtë volum përshihet landa historike deri në fillime të shek. XIX. Vepra botohet në vjetin 1817. Shfrytëzohen mirë dokumenta, historjanë dhe gjeografë të ndryshëm të vjetër e të rijë t’atyne kohve. Vepra "Illyrricum Sacrum" asht rreshtue në giuhë latine klasike. Për plotësimin e kuadrit historik  të vendit tonë kishte me u nevojitë përkthimi i të gjitha këtyne volumeve e sidomos pjesët tjera të volumit të shtatët, që jemi tue vazhdue, ashtu edhe volumi i tetë. Po të kërkohet, jemi gadi të vazhdojmë këtë punim të mundimshëm me qëllim e shpresë se do të jetë një kontribut i mirë për njohjen e historisë të dashtunit Atdheut tonë nga brezat e rijë të popullit tonë. f. 6.

D. FRANO ILLIAJ (Nënshkrimi)
Milot, 10 shtator 1963
Varianti 2
PASQYRË SINTETIKE E VEPRËS DHE E PJESËVE TË PERKTHYEME T’ILIRISË KISHTARE.
Vepra "ILLYRICUM SACRUM" (ILIRIJA KISHTARE) që përbahet prej tetë blejësh me format 38 x 26, rreshton historinë kishtare dhe lidhun me tè historinë civile të  të të gjitha krahinave, që në kohë të vjetra përshiheshin nën emnin e hapët t’Ilirisë. Bleni VII, në 638 faqe në dy shtylla, rreshton historinë e bregdetit t’Ilirisë jugore. Bleni VIII atë të krahinave të Kosovës. Në blenin e parë duket simbas çitimeve të shpeshta që gjenden në blenin VII, se folet në mënyrë të përgjithtë dhe në pikëpamje gjeografike edhe mbi krahinat që përshkruen bleni VII etj. Vendet që përshkruen historikisht ky ble VII janë Djoklea, Tivarit dhe Shkodra e Durrësi me sufraganët e vet. Këto krahina kanë lidhje e ndikime të vazhdueshme njena me tjetrën gjatë shekujsh.

Prej blenit VII deri tash  kemi përkthye shqip pjesët që i përkasin mbrendisë së kufijve të sodshëm të Shqipnisë; Shkodrën e Durrësit me sufraganët e vet. Shkodra që nga shek. IV e deri në të VII kje Metropoli, mandej prej shek. VII e deri në shek. XIX, kje nën Tivar etj, dhe prej shek. XIX e këndej prapë Metropoli, ka këto djeçezsufragane: Sapën, Pultin e Madh e Pultin e Vogël (Dukagjinin), Drishtin, Sarden e Sapën. Durrësi  që nga gjysa e shekullit të parë e deri para gjysës së shek. Të pasëm kje djoçez i fjeshtë e mandej pa ndërpremje Metropoli, kishte këto djoçeze sufragane; Lezhën, 2. Arbëninë, Krujën, Bendën, Priskën, Shtejefnin, Kanovjen, Skampën, (Elbasanin), Apoloninë (Pojanin), Vëlonën, Lestronin, Bulidën, Amancien, Pulkerjopullin (Beratin)  dhe Akroçerauninë (Himarën). Landa ndahet në rrejone kishtare dhe qendra e këtyre rrejoneve ishte nder qytete ma të permenduna e të popullueme prej kah edhe merrrte emnin.

Në fillim të çdo ndamjeje përshkruhet deri ku shkojnë dokumentat, themelimi i qytetit dhe i djeçezit, mandej vjen rreshtimi i jetëshkrimit të prelatve tue prue në mënyrë kronologjike faktet  e historisë cilile. Në këtë ble përshihet landa historike që nga dokumentet ma të vjetër e deri në fillim të shek. XIX. Vepra botohet në vj. 1917. Shfrytëzohen mirë dhe bihen integralisht shumë dokumente të çmueshem prej së cilësh nji pjesë edhe janë zhdukë, ashtu edhe edhe historjagrafë e gjeografë të vjetër e të rij të atyne kohve. Danjel Farlati e Jakob Koleti, autorë të kësaj vepre monumentale, janë fort objektivë dhe dashamirë të shqiptarve. Këta autorë të talentuem perpiqen padà të qesin në pah njerëzit ma në shej të popèullit shqiptar, veprimtarinë patriotike të tyne, përshkruejnë  shumë herë edhe imtësi vendet e ndryshme të tokës shqiptare, në bazë të dokumentave e të rrelacjoneve të ndryshme, flasin për pasuritë e mbitokës e të nëntokës shqiptare, si kulturat e ndryshme agrare t’atybe kohve dhe minjerat e ndryshme, kështu klimen simbas vendeve.

Përshkruen gjanë e giatë zyftin e Selenicës, zjarrin e pashuem (vojgurore) n’afërsitë e Apolonisë etj. Vepra Illyricum sacrum mund të thomi se ka randësi botnore për historinë e Ilirisë sonë. Jo vetëm kjo vepër, por as artikull nuk mund të shkruhet pa u pshtetë në ketë vepër të haptë, si shifet herë mbas here nder rrevistat tona, si “Buletini” etj. Në këtë vepër punuesët e historisë sonë kombëtare gjejnë nji minjerë të pashterrshme njoftimesh fort të çmueshme. Vepra "Ilyrricum Sacrum" asht rreshtue në giuhë latine klasike. Për plotësimin e kuadrit historik të vendit tonë jam i mendimit se nevojitettë përkthehen disa pjesë që direkt a indirekt flasin për  vendin tonë nga blejtë I-VI, bleni VII të përkthehet krejt, tue lanë jashtë nji pjesë që asht e fundit dhe flet mbi krahinën e Sirmit.

. Ashtu edhe bl. VIII që flet gjanë e gjatë mbi krahinat e Kosovës, të cilat, si ato të Tivarit, kishin lidhje të pandame me vendet e pershime nga kufijtë e sodshëm të vendit tonë, me të cilat ky përbante nji etnitet etnik. Unë dhe kolegët e mij jemi gadi dhe të kënaqun të vazhdojmë përkthimin në gjuhë shqipe të kësaj vepre të gjithanëshme, tanësisht ase pjesërisht, si të gjikojnë kompetentat në këtë landë, me qëllim e shpresë se ky mundë i randë e i gjatë do të jetë nji kontribut i mirë për njohjne e historisë së dashunit vendit tonë nga brezat e rij të popullit tonë.
Milot 9/XI/1963. D. FRANO ILLIAJ (Nënshkrimi) (AQSH. Fondi 1069. Dosja 40. f. 4-5)
Në kërkesën e dytë drejtuar Institutit të Kulturës Popullore, ai shkruante:
PASQYRË SINTETIKE E VEPRËS DHE E PJESËVE TË PERKTHYEME
 " IlYRICUM SACRI.
TOMUS SEPTIMUS.

ECCLESIA DIOCLETANA, ANTIBARENSIS, DYRRHACHIENSIS ET SIRMIENSIS, CUM EARUM SUFRAGANEIS.
AUCTORE, DANIELE FARLATO, Presetbyro Societatis Jesu et JACOBO COLETO olim ejusdem Societatis alumno. VENETIIS, MDCCCXVII, apud Sebastianum Coleti. Superiorum permissu ac privilegio. Vepra ILLYRICUM SACRUM,  ILIRIJA KISHTARE ase Historija kishtare e Illirisë  përbahet prej tetë volumesh me format 38x26. Volumi i VII rreshton historinë kishtare t'Ilirisë bregdetare, kurse volume VIII atë të kraninave të Kosovës. Volumi i VII në 638 faqe rreshton historinë dhe lidhun me atë çivile të Metropolive të Djoklesë, Tivarit, Shkodrës, Durrësit e të Sirmit dhe të sufranganve të djoçezeve që mvaren prej tyne. Prej kësi volumi deri tash kemi përkthye pjesët që i përkasin mbrendisë së kufijeve të sodshem të Shqipnisë, d.m.th. sa i përket Shkodrës e Durrësit dhe sufraganve të tyne (vazhdoj përkthimin e pjesve të tjera). Shkodra ka këta djeçeze sufrange: 1. Drishtin 2. Pultin, (Pultin e Madh, 3. Pultin e Vogël), 4. Dejën, 5. Sarden e 6. Sapën. Durrësi ka këta djeçeze sufrange: 1. Lezhën, 2.Arbëninë, 3. Krujen, 4. Benden, 5. Prisken, 6. Shtjefnin, 7. Kanovjen, 8. Skampen (Elbasanin) 9. Lestronin, 10. Buliden, 11. Amamcjen, 12. Apoloninë, (Pojanin) 13. Vëlonën, 14. Pulkerjopullin (Beratin) dhe 15. Akroçerauninë.

Në këte volum të VII përshkruet gjanë e giatë themelimi i qyteteve dhe djeçezave, tue gërsheshtue me historinë kishtare ate civile t'atyne vendeve. Shfrytëzohen mirë dokumentet dhe historianët e gjeografët e ndryshem të vjetër e të rijë t’atyne kohve. Landa ndahet në DjeçezE apo rajone kishtare. Secila seli Arqipeshkvnore apo Ipeshkvnore gjindet nder qytete nga të cilat edhe ka marrë emnin. Në fillim të të çdo Arkidjeçezi apo Djeçezi përshruhet themelimi i qytetit dhei djeçezit, mandej vjen rreshtimi i jetëshkrimit të setcilit Prelat. Gjatë jetëshkrimit të tyne rreshtohen faktet historike kishtare e çivile në rend kronologjik. Ky volum përfshinë landen historike deri në fillim të shek. XVIII, kur edhe botohet në vitin 1817. Vepra Illyricum Sacrum asht rreshtue në gjuhë latine klasike. Për plotsimin e këtij kuadri historik me randsi të madhe të vendit tonë …….me vend edhe pjesët tjera të këtij volumi ashtu edhe volumi VIII. Po të kerkohet, jemi gati të vazhdojmë këte punë të mundshme, me shpresë se do të jetë nji kontribut i mirë për njohjen e historisë së vendit tonë të dashtun nga brezat e rijë të popullit.
D. Frano Illia (Nënshkrimi) Milot 19.VIII.1963. (AQSH. Fondi 1069. Dosja 40. fleta. 1)
 

Shkrimi u publikua sot (05.01.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Ermal Meta do të bëhet baba për herë të parë

Ermal Meta do të bëhet baba për herë të parë