Një atlet legjendar, një figurë që la gjurmë të pashlyeshme në historinë botërore të sportit, Leonid Zhabotinsky, dy herë kampion olimpik në peshëngritje, gjashtë herë kampion bote dhe autor i 21 rekordeve botërore, ishte frymëzim për shumë sportistë, mes tyre edhe vetë Arnold Schwarzenegger. Sot, emri i tij vjen sërish në qendër të vëmendjes, përmes librit “Im atë- Leonid Zhabotinsky”, me autor të birin Ruslan. Ambasadori ukrainas sjelljen në shqip të librit e quajti afrim edhe më të madh mes dy vendeve.

“Libri ka qenë i përkthyer edhe në rusisht, në anglisht, arabisht e tani kemi edhe përkthimin në shqip. Është një hap shumë i rëndësishëm për ne. Na vjen shumë mirë se me këtë libër afrohen zemrat e ukrainasve me zemrat e shqiptarëve. Falenderojmë shumë Shqipërinë për ndihmën dhënë shtetit tonë. Shqipëria çdo vit ndihmon dhe shtohet çdo vit numri i ukrainasve në Shqipëri. Aktualisht të gjithë ata që ndodhen këtu punojnë dhe nuk kanë asnjë problem.”, tha ambasadori Volodymyr Shkurov.

Gjatë prezantimit të librit ku ishin të pranishëm sportistë të mëdhënj ukrainas, mesazhet për të rinjtë shqiptarë ishin të drejtëpërdrejta.

“Ky libër u mëson fëmijëve se me përkushtim dhe besim në vetvete, çdo gjë është e mundur.”, tha trajneri i ekipit kombëtar të peshëngritjes së Ukrainës, Avramenko Andrii Mykolaioviç.

“Zhabotinsky është një figurë unike, i vetmi atlet në botë që ka fituar dy herë medaljen e artë olimpike në peshëngritje. Për ne shumë e rëndësishme dhe duam që sportistët tanë ta lexojnë që të arrijnë shumë e të frymëzohen. Libri është shumë i njohur. Tani edhe në shqip ky libër mund të lexohet dhe të frymëzohet edhe brezi i ri.”, vërejti nënkryetari i parë i Federatës së Peshëngritjes së Ukrainës, Avramendko Andrii Mykolaioviç.

Përkthyesi i librit, Agron Haxhihyseni, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Evropian për Zhvillimin e Luftës së Afërt, shumë herë fitues i medaljeve në kampionate evropiane, rekordmen kombëtar në peshëngritje, kujtoi me emocione se si kishte zbuluar për herë të parë figurën e kampionit që në fëmijëri:

“Kur fillova sportin e peshëngritjes në Elbasan, duke lyer këpucët te një dyqan lustraxhiu shoh fotografinë e kampionit absolut. Ngaqë kisha koleksion të pasur me kampionët e peshëngritjes i them ma jep mua atë dhe ai tha: është kampioni olimpik dhe nuk ta jap. Në atë kohë fotografitë me femrat nudo ishin të  ndaluara dhe unë ia jap dhe ndërruam fotografitë. Në vitin 2015 isha pjesëmarrës në kampionatin botëror në Hjuston në Shba dhe atje bleva këtë libër dhe mora përsipër ta përkthej. Ky libër është frymëzim për gjithë brezat e rinj, duke treguar pasionin, këmbënguljen se si një njeri i thjeshtë mund të bëhet disa herë kampion bote dhe olimpik. Kjo është ndihmesa që sportistët shqiptar i bëjnë popullit të Ukrainës.”

Të pranishëm gjatë prezantimit ishin edhe sportistët Kotelevskyi Serhii, kampion bote dhe Evrope për të rinj dhe Viktoriia Lytvynets, mjeshtre sportive e klasit ndërkombëtar.