Imami i Prishtinës, Krasniqi: Do të
kandidoj për President i Kosovës

Imami i Prishtinës, Krasniqi: Do të<br />kandidoj për President i Kosovës
Imami i Prishtinës, Shefqet Krasniqi emri i të cilët figuron në librin e dijetarëve më të mëdhenj në botë bashkë me një sondazh të fundit duket se sot i besojnë më shumë sesa krerëve të shtetit. “Në mesin e 16 konkurrentëve artistë, politikanë, sportistë dhe persona me ndikim në shoqërinë shqiptare, Shefqet Krasniqi doli i pari….” kanë raportuan mediat kosovare javën e kaluar. Kriza politike dhe ekonomike bashkë me atë sociale duket se po e shtyn imam Krasniqin të inkuadrohet në politikë, madje dhe të kandidojë për presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës. Këtë gatishmëri, imami i Prishtinës Imam Krasniqi e ka shprehur sot gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë”.
 
Bazuar nga ky aktiviteti i madh dhe vizitat e imam Krasniqit në Zvicër, Turqi, SHBA, Gjermani bashkë me takimet e fundit me intelelektualë e politikanë shqiptarë ju imam Krasniqi po përgatisni terrenin për t’u inkuadruar në politikë?

 “Po, gjithçka është e mundur. Kur gjithkush po bëhet në këtë Kosovën tonë president, ministra, pse edhe unë jo, që ndoshta kam pak më shumë se ata njerëz që më vijnë pas. Nëse ata mbushin nga një autobus, jam i bindur se unë e mbush një tren me njerëz të mi, jo vetëm shqiparë por edhe nga komunitete të tjera nacionale e fetare në vendin tonë. Unë edhe nëse i hy politikës, nëse kandidoj për president të Kosovës do ta bëja këtë jo nga qejfi por nga zori, sepse populli im është n’zor. Ku mos me qenë n’zor, kur vendi ynë në të gjitha raportet e listat e organizatave ndërkombëtare zë vendin e parë si për nga papunësia ashtu edhe nga korrupsioni, varfëria, prostitucioni, krimi i organizuar etj. Paramendoni se në vendin tonë për çdo vit hapen nga 300 restorante e bare të natës, e asnjë fabrikë ?! Dhe pastaj krerët e feve tona ankohen se shumë pak rinia jonë shkon në xhami e kisha…krejt normale. Shkurt, nëse kandidoj për president, do të kandidoj për hir të popullit dhe dua të zgjidhem president nga populli e jo përmes burokracive të tjera. Nëse do të jem president do kisha luftuar krimin e organizuar dhe të gjitha vendet arabe do të njihnin shtetin tonë. Dhe pa dyshim OKB do t’ia hapte dyert menjëherë anëtarësimit të Kosovës. Ftoj sidomos mediat, që t’i thonë stop polemikave, akuzave e kundërakuzave mes liderëve, intelektualëve…Vetëm unikë, bashkarisht mund t’i kontribuojmë imazhit e perspektivës së Kosovës…
 
Çfarë ju ka shtyrë për të takuar akademikun Rexhep Qosja dhe çfarë keni biseduar me të?
Takimi im me Qosjen ishte më shumë se miqësor, ishte vëllazëror. Unë kam respekt  për te. Për mendimin tim ai është një kokë gjeniale, e madhe e popullit shqiptar. Ai është një njeri i veçantë, të cilit nuk ia kemi dhënë hakun ne si shoqëri…Unë jam i lirë të vizitoi kë të dua, kur të dua. E di se ka pasur akuza e kundërakuza kundër tij. Pastaj kundër Ibrahim Rugovës, Rexhep Ismailit. Nuk e di pse dhe me çka merren mediat tona me akuza e kundërakuza kundër shtyllave kyçe të pavarësisë së Kosovës: Rugovës, Demaçit, Qosjes etj. Pasi me pyetët për Qosjen po ju them një gjë, se unë e di që Qosja është kontribuues i madh i kësaj pavarësie në forma të ndryshme. E më së shumti ndoshta nga ana profesionale e tij, nga ajo letrave. E për mua është një kontribut shumë i madh. Më duket se këto polemika, etiketime e akuza e ndërakuza s’janë mirë për imazhin dhe perspektivën e Kosovës. Kur hahen krerët e shtëpisë atëherë nga tjerët çfarë mund të pritet ?!..As këto polemikat e fundit që po lexojmë nëpër gazeta e portale rreth fesë nuk më pëlqejnë. Unë disa herë nëpër konferenca rajonale dhe ndërkombëtare si në Biel, Gjenevë, Stamboll, Berlin e kam thënë se ne shqiptarët jemi shembull i tolerencës dhe duhet patjetër ta ruajmë këtë imazh. Dhe ne e meritojmë që bota të na vlerësojë për këtë shembull të tolerancës me një çim ndërkombëtar, pse jo edhe me Nobelin”.
 
Në disa polemika e shkrime rreth timit me Qosjen kemi lexuar se jeni ngritur edhe ju, por në disa thuhet se ju ka rënë shkëlqimi edhe juve?
“Unë kurrë asnjëherë nuk vizitoj askënd, asnjë individ kushdo qoftë ai, nuk bëj asnjë punë, bile as në xhami nuk shkoj për emër. Mua nuk më intereson se çka thonë të tjerët për mua. Unë ceka edhe më lart se jam i lirë të vizitoj kë të dua. Dhe vizitën time personave politikë e shkencorë, intelektualë e konsideroj edhe obligim e detyrë timen fetare. E pastaj njerëzit a mendojnë se jam ngritur apo jam ulur me ato vizita, i mbetet secilit ta thotë mendimin e vet. Po kthehem pak te polemika dhe akuzat mes liderëve, intelektualëve tanë në Kosovë. Nuk përzihem në akuzat e liderve tanë mes tyre. 
 
Po për replikat mes Qosjes dhe Kadaresë?
Aty kam qëndrimin tim të qartë. Për mua Qosja me atë replikë ka bërë një punë madhështore, që nuk ka guxuar askush ta bëjë. Sepse Kadareja me këmbëngulje do që të na asimilojë mbi 80% të popullatës shqiptare myslimane e të na konvertojë në fenë katolike. E një gjë e tillë aq sa është e rrezikshme, është po aq edhe e papranueshme. Por ja që askush nuk doli t’ia thotë troç përveç Qosjes. Zoti e shpërbleftë për qëndrimin e tij të madh kombëtar dhe fetar. Sepse ai me këtë aq sa ka mbrojtur kombin aq ka mbrojtur edhe fenë. Ka mbrojtur kulturën, traditën dhe identitetin tonë shqiptar musliman me shumicë dërmuese. E kjo ka qenë dhe është obligim i çdo qytetari, e çdo intelektuali, por ja që nuk e bëjnë të gjithë. Por atë e bën Qosja…”
 
Lidhur me luftën në Siri dhe bijtë tanë që po derdhin gjak atje?
Unë jam shprehur muaj më parë dhe po e përsëris se as qeveria shqiptare e as kjo e jona e Kosovës për fat të keq nuk treguan as interesimin më të vogël në këtë drejtim, për të cilin mendoj se janë turpëruar. Për neve në Kosovë lufta ka mbaruar, tashmë e kemi një ‘luftë’ tjetër shumë më të pafavorshme; lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe njerëzve që për interesa xhepi e partie janë në gjendje të nxisin edhe luftë vëllavrasëse e brendakrahinore vetëm e vetëm që të qëndrojnë në pushtet e të pasurohen në kurriz të popullit. ‘Arma’ e vetme që duhet përdorur tashmë në Kosovë është kreativiteti dhe mendimi strategjik për ta nxjerrë vendin nga ky zullum e kaos politik, ekonomik e shoqëror. Sa i përket të rinjve tanë që po vriten në Siri, fillimisht allahu u kujdestë për ata djem trima por ngusëhllime edhe familjeve të tyre. Por ka ardhur koha qe t’i kthehemi vendit tonë dhe nuk është nevoja që askush të shkojë e të luftojë e të vdesin për të tjerët..”
 
Po për hoxhallarët e Luginës së Preshevës ç’do të thoshit?
Ftoj krerët e komunitetit musliman në Luginë për unitet dhe bashkëpunojnë e t’i kthehen Prishtinës dhe Tiranës, sepse iu del më mirë se sa me Serbinë e Sirinë.”  Sipas Krasniqit «Dacici futet ne Kosovë me ftesë nga Kisha, shumë keq që kryeministri apo presidentja jonë nuk kanë vizituar Preshevën e s’kanë takuar vëllezërit tanë atje. Madje me sa di unë, presidentja as këtu në Prishtinë çuditërisht anjëherë nuk ka takuar e ka pritur as lideret e Luginës. Turp, si ka kohë të takohet me Dacicin e Nikolicin e s’paska kohe pesë minuta për vëllezërit e shkretë që kanë mbetur me sytë kah Prishina e Tirana. Kreu i shtetit tonë duhet të gjejë kohë gjithsesi të vizitojë vëllezërit tanë në Luginën e Preshevës për Bajram sikurse Dacici dhe ministrat e tjerë serbë deri në Ibër.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar