TIRANE- Një dokument i bërë dje publik nga Partia Socialiste hedh dritë mbi marrëdhëniet e biznesit të Ministrisë së Mbrojtjes me një nga trafikantët më të mëdhenj të armëve, Slobodan Tesiç. Ky i fundit rezulton i skeduar në disa raporte të OKB-së për furnizimin me armë në Afrikë, por edhe i përmendur nga një kabllogram i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si furnizues i Jemenit me armatim të rëndë.

Dokumenti i ekspozuar dje dje nga Braçe, flet për një kontratë në vlerën e 1 milionë e 700 mijë Eurove mes kompanisë shtetërore MEICO dhe kompanisë "Moon Storm Enterprises" e nënshkruar në vitin 2009. Pikërisht kompania "Moon Storm Enterprises" është kompania e përmendur në kabllogramin e Shteteve të Bashkuara si pronë e trafikantit serb Sllobodan Tesiç. Për kompaninë e Tesiç ka firmosur një shtetasi I quajtur Dejvid Sakashvili. I njëjti ka firmosur edhe një vit më vonë për një tjetër kontratë e cila kap vlerën e 1.3 milionë eurove porn ë emër të një tjetër kompanie e cila njësoj si e para rezulton e regjistruar në Qipro.

TESIÇ

Uikiliks ka nxjerrë në pah raporte sekrete ku bëhet fjalë për një tregtar serb të fuqishëm armësh, i quajtur Slobodan Tesiç, i kontraktuar në 2009 për të shitur 95 milionë dollarë me snajpera, antitanke, predha dhe të tjera armë e municione në bashkëpunim me ministrinë e Jashtme të Jemenit. Këto armë Jemeni do i përdorte më pas për të vrarë protestuesit e paarmatosur nëse do demonstronin, që në fakt protestat shpërthyen në muajt e mëvonshëm. Madje "Human Rights" i kërkoi SHBA-ve që të nisnin hetimet dhe të mundësonin ndalimin e dhunës me ndërhyrjen e tyre. "Tesic ka qenë më parë i kontaktuar në kontrata armësh nga shtete si Liberia, Libia, Iraku dhe gjithandej në botë. Ai është një subjekt i nën hetim dhe akuzë i Kombeve të Bashkuara, pasi ka shkelur embargot e tregtisë së armëve dhe trafiqeve me Liberinë në 2002, duke dërguar anije të tëra me armë e municion për të vrarë popullsinë, duke ndihmuar ish presidentin Charles Taylor, i akuzuar për krime lufte", shkruan raporti.

LIDHJET
Dokumentet e publikuara së fundmi flasin për një marrëdhënie të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre serbe dhe malazeze. Në vitin 2011 drejtori i MEICO-s Granit Leka ka marrë një letër të mbërritur nga një kompani malazeze e cila e informonte në lidhje me sasinë e municioneve të blera nga kjo kompani në Shqipëri për vitet 2010-2011. Kompania është "Montenegro Defence Industry"(MDI) dhe letra është firmosur nga drejtori I kësaj kompanie, një shtetas serb i quajtur Zoran Damjanovic. Në letër specifikohen qindra mijëra municione që kjo kompani deklaron se ka blerë në Ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare. Drejtori Ekzekutiv i MDI-së, Zoran Damjanoviç duket se përfaqëson një prej lidhjeve më të rëndësishme të shtetit serb dhe atij malazez në tregtinë e armatimeve dhe rezulton protagonist në dërgimin e armatimeve në disa shtete afrikane. MDI-ja në fakt është kompania që ka ekskluzivitetin e tregtisë së armëve në Malin e Zi, është një kompani që nuk ka konkurentë në vendin e saj dhe që ka një influencë të padiskutueshme mbi Ministrinë e Mbrojtjes së Malit të Zi. Më parë kompania e ka patur emrin "Yugoimport Montenegro", pra kompania ka lindur si filiali malazes i "Yugoimportit" të Serbisë.

THOMET
Kompania i ka zyrat në Podgoricë por të gjithë aktivitetin e ushtron në Mojkovaç. Pikërisht në Mojkovaç është e vendosur dhe fabrika e armatimeve që dikur është quajtur "4 Nëntori" dhe që ka qenë pronë e shtetit të Serbisë dhe Malit të Zi deri në vitin 2007. Në këtë vit kompania u privatizua dhe mori emrin "Tara Precision" dhe lista e aksionarëve të rinj ofron një panoramë shumë interesante. Shteti malazes zotëron një përqindje të paketës së aksioneve. Mes kompanive është edhe "Tara Precision" ku shteti malazes zotëron 39 përqind të aksioneve ndërsa 61 përqindëshin tjetër e zotërojnë disa aksionarë të tjerë, mes të cilëve trafikanti ndërkombëtar i armëve Heinrich Thomet dhe kontraktori ekskluziv i Ministrisë Shqiptare të Mbrojtjes Zoran Damjanoviç.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com
 (sg/shqiptarja.com)