TIRANE - Ristrukturimi i plotë i strukturave dhe forumeve drejtuese të Partisë Demokratike pritet të sjellë supriza të mëdha përsa i përket kupolës së ngushtë drejtuese. Procesi i cili nis në muajin shtator të këtij viti me zgjedhjen e krerëve të degëve të PED në rrethe dhe me përzgjedhjen e delegatëve të Kuvendit Kombëtar, do të ketë si prelud zgjedhjen e Këshillit Kombëtar nga Kuvendi Kombëtar, zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm, zgjedhjen e dy nënkryetarëve, të sekretarëve më të rëndësishëm, organizativ, ndërkombëtarë, zgjedhorë dhe ligjor si dhe kryesisë.

Lista e kandidaturave për këto poste pritet të sjellë surpriza, duke qënë se janë kandidatura të reja dhe që ngrihen mbi ato të vjetrat që kanë drejtuar deri më tani ku pritet të mos jetë “bashkëudhëtarë” të kreut të ri demokrat Lulzim Basha në opozitë. Kështu, pas tjetërsimit të SHQUP që kalon në seli të PD, pritet që Arben Imami, ministri në ikje i Mbrojtjes të mos dalë nga “gardhi” i kësaj ministrie, duke u zgjedhur si sekretar i përgjithshëm i PD e duke zhvendosur Ritvan Boden ministër në ikje të Financave që e ka mbajtur për 15 vite këtë post, të cilin e “trashëgoi” nga Genc Pollo, atëherë në konflikt me Berishën.

Ndërsa e papritura mund të jenë kandidaturat për dy nënkryetarët e PD, nga të cilët njëri do jetë dhe kryetar i grupit parlamentar, ndërsa tjetri do të jenë nënkryetar Kuvendi. Për postin e nënkryetarit të parë të PD, njëherësh dhe kryetar i grupit, pritet të garojnë ish-drejtori i kabinetit të kryeministrit Berisha, deputeti Oerd Bylykbashi dhe ministri në detyrë i Jashtëm, njëherësh kryetar i PD për Tiranën, Aldo Bumçi. Nëse kandidatura e Bumçit shpallet fituese, atëherë Bylykbashki zgjidhet sekretar zgjedhor i PD, ndërsa në krye të PD të Tiranës zgjidhet prefekti Keltis Kruja.

Për postin tjetër të nënkryetarit që do jetë dhe nënkryetar Kuvendi, garojnë ministri në ikje i Inovacionit Genc Pollo e ministrja në ikje e Integrimit Majlinda Bregu. Nëse Bregu nuk zgjidhet nënkryetare, atëherë ajo do zgjidhet sekretare e marrëdhënieve me Publikun, pasi është dhe zëdhënëse e Këshillit të Ministrave. Për postin e sekretarit organizativ si kandidaturë është ajo e Ministrit të Brendshëm në ikje Flamur Noka. Për postin e sekretarit ndërkombëtar, Basha me atributet që i jep statuti pritet të emërojë njërin mes Jorida Tabakut e Gerti Bogdanit.

Për postin e sekretarit të çështjeve ligjore në PD pritet të zgjidhet njëri mes ministrit në ikje të drejtësisë Eduard Halimi e ish-ministrit të drejtësisë, tani jo deputet, Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë analiza e humbjes së thellë të PD në zgjedhjet e 23 qershorit pritet të startojë në muajin shtator. Humbja e zgjedhjeve pritet të shkarkohet në drejtuesit e PD në 12 qarqet e vendit. Pritet të largohen Igli Cara, drejtues i Qarkut Durrës, Ardian Kollozi i Qarkut Vlorë, Arenc Berati i Qarkut Berat, Astrit Bushati i Qarkut Shkodër, Bexhet Çobani i Qarkut Gjirokastër, Bedri Hoxha i Qarkut Dibër e Admirim Shehu i Qarkut Fier.

Pritet që të mbeten Luçiano Boçi i Qarkut Elbasan, Pashk Noci i Qarkut Lezhë e Andrea Mano i Qarkut Korçë. Ndërsa pritet që jashtë kryesisë së PD të mbeten rivali i Bashës për postin e kryetarit Sokol Olldashi, nënkryetari Astrit Patozi, Ilir Rusmali, Mesila Doda, Fatos Beja, Lejla Pernaska, Ritvan Bode, Rajmonda Bulku, Jemin Gjana, Adriana Gjoni por dhe Sali Berisha sepse ka dhënë dorëheqjen nga gjithë funksionet. Ndërsa pritet të vijnë në kryesi Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Erla Mëhilli, Arben Ristani, Arben Imami, Genc Pollo, Eduard Selami e figura të tjera të rëndësishme të reja.
 
STRUKTURAT E REJA DREJTUESE TË PD
 
■ Arben Imami
Sekretar i Përgjithshëm
 
■ Aldo Bumçi
Oerd Bylykbashi
Nënkryetar dhe kreu i Grupit
 
Genc Pollo
■ Majlinda Bregu

Nënkryetar PD dhe Kuvendi
 
Flamur Noka
Sekretar Organizativ
 
Jorida Tabaku
■ Gerti Bogdani

Sekretar Ndërkombëtarë
 
Eduard Halimi
■ Enkelejd Alibeaj

Sekretar i çështjeve juridike
 
KRYESIA E PD
 
IKIN
■ Sali Berisha
■ Adriana Gjoni
■ Astrit Patozi
■ Fatos Beja
■ Ilir Rusmajli
■ Jemin Gjana
■ Lajla Pernaska
■ Mesila Doda
■ Sokol Olldashi
■ Ridvan Bode
■ Rajmonda Bulku
 
MBETEN
■ Lulzim Basha
■ Aldo Bumci
■ Arben Qirjako
■ Arta Sakja
■ Edi Paloka
■ Edmond Spaho
■ Eduart Halimi
■ Flamur Noka
■ Genc Ruli
■ Jozefina Topalli?
■ Keltis Kruja
■ Majlinda Bregu
■ Myqerem Tafaj
 
VIJNË
■ Jorida Tabaku
■ Oerd Bylykbashi
■ Arben Imami
■ Genc Pollo
■ Eduard Selami
■ Erla Mëhilli
■ Arben Ristani

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)