Imami me 90 gra, matura dhe beteja për teatrin

Imami me 90 gra, matura dhe beteja për teatrin

Foto ilustruese

Në fillim pata menduar se titulli më i përshtatshëm për këtë shkrim ndoshta do të ishte ky : « Të çmendesh në qershor!» Mirëpo, meqenëse shqiptarët, natyrisht jo të gjithë, kur duan të paraqesin veten e tyre në vitrinën e mjedisit publik, nuk bëjnë gjë tjetër, por vetëm se paraqesin imazhin e një çmendurie kolektive, atëhere mendova se ai titull nuk i shton asgjë asaj që ne shfaqim sa herë që paraqitemi sw jashtmi. Vështruar nga një anë tjetër, Shqipëria po bëhet një vend i mrekullueshëm për të shijuar komeditë që prodhojmë me shumicë gati përditë. Po le t’i marrim gjërat me radhë.

Çdo shoqëri normale është e organizuar si një familje e madhe dhe, ashtu si ajo familje, në cilindo rast, ajo përballet me problematikat, vështirësitë, dramat dhe konfliktet që duhet të zgjidhë. Sa për ta ilustruar me disa shembuj, po përmend këtu se SHBA-të, fjala vjen, po prodhojnë imazhin më negativ të të gjitha kohërave sa i takon përballjes me problemin e emigrantëve. Amerika e ngritur mbi ndjenjën e solidaritetit dhe të lirisë, sot po e mbush botën me imazhet e fëmijëve të emigrantëve që i ndajnë nga prindërit e tyre në kufi dhe i fusin në kapanone të veçanta. Pamja e gazetares Rachel Maddow[1] të MSNBC-së që bllokohet nga lotët dhe kërkon ndjesëse nuk lexon dot sepse po e mbyt ngashërimi,ndërkohë qëështëduke lexuar lajmin e ndarjes së dhunshme të fëmijëve nga nënat e tyre në kufi me Meksikën, bëri qysh dje xhiron e botës.

Lajmi tjetër se ministri i Brendshëm italian dhe zv/kryministri i atij vendi ka bllokuar kufijtë dhe nuk lejon më që emigrantë të paligjshëm të zbarkojnë në vendin e tij, po ashtu,është bërë ngjarje në të gjitha mediet perëndimore. Ndërsa, vendimi i tij për të regjistruar dhe numëruar komunitetin rom në Itali, pra për të ndarë veç romët italianë nga romët me kombësi jo italiane dhe për t’i përzënë nga Italia këta të fundit, e kanë çuar Italinë në vitin 1938, kur edhe Duçja miratoi një ligj të tillë racial. Taksat doganore, lufta tregtare mes SHBA-ve dhe Europës, SHBA-ve dhe Kinës, janë gjithashtu disa nga temat qëndrore dhe problematikat e nxehta që shoqërojne këtë qershor atipik me diell në mëngjes dhe shi në drekë.

Mirëpo, shqiptarët janë rehat nga mendtë e kresë. Për ta nuk ekziston as Europa as Amerika, as Kina dhe as Rusia. Në Shqipëri temat e debatit publik nuk diktohen nga shqiptarët, sepse për ta nuk pyet njeri. Temat e debatit ose ato që do të duhej të ishin problematikat e nxehta që na shqetësojnë të gjithëve dhe që lidhen me mirëqënien, me sigurinë dhe me lirinë tonë, i vendosin kryetëçmendurit e këtij vendi. Dhe ato nuk i parashikon dot askush. Sapo u harrua Babalja, doli në skenë Teatri.

Gjithë shqiptarët, nga mëngjesi në darkë nuk kanë punë tjetër por vetëm të japin edhe ata një mendim a duhet prishur apo nuk duhet prishur teatri. Ky debat për teatrin që po kthehet në një sport kombëtar na paraqet përsëri më të çmendur sesa jemi. Përse e them këtë ? Mendoni për një çast se si mund t’ua tregojmë këtë problem të huajve. Sipas asaj që paraqitet në opinionin publik, shqiptarët duhet të jenë vendi më i lumtur në botë. Në këtë vend njerëzit nuk diskutojnë as për rrogat e ulëta, as për papunësinë, as për mungesën e perspektivës së të rinjve, as për krizën globale dhe vendin që kemi ne në këtë krizë, as për problematikat e mprehta të sigurimit kombëtar në një Ballkan jo fort të qetë, pra shkurt, asgjë kësodore.

Shqiptarët, dhe në këtë rast kam parasysh ata shqiptarë që zgjidhen me mandat përfaqësimi nga të gjithë ne shqiptarët e tjerë, theren në Parlament, në rrugë e në komisione, me Flamur Nokën në ballë, për teatrin. Nuk dua të krijoj asnjë keqkuptim, por problemi i teatritështë një çështje që duhet dhe mund të zgjidhet me anë të dialogut mes institucioneve dhe ekspertëve. Një nga ekspertizat më të denja dhe më autoritare është ajo që bëri ditë më parë Maks Velo në një intervistë të gjatë televizive.  Kaq. Mirëpo jo. Shqiptarët edhe këtu janë gati të marrin armët e të ndahen në dy skalione, sepse në këtë vend gjithçka që bën njëra palë, kuptohet si thirrje për luftë për palën tjetër.

Mirëpo lufta për teatrin të krijon përshtypjen se në këtë vend jetojnë njerëz me dy ose tre shtëpi, me të ardhura të larta që tradicionalisht, qysh në kohën e Mbretëreshës Elisabetë, pra që në shekullin e XVI e këtej, nuk e kanë shqitur bythën nga kolltuqet e teatrit dhe sot që dikush kërkon ta prishë atë godinë, të gjithë janë në alarm se do hidhet në erë teatri dhe shqiptarët nuk do të dinë si t’i ngrysin netët e gjata pa shkuar në lozhat e bukura të teatrit.

E përsëris, respektoj çdondjeshmëri të artistëve dhe të profesionistëve që e kanë profesion arkitekturën dhe janë intelektualë të pakompromentuar dhe siç e përmenda për mua ekspertiza e Maks Velos i vulos të gjitha. Ajo mund të shërbejë si platformë për çdo ekip që do të vëre dorë mbi teatrin shqiptar.  Ndërkaq, qershori do të kalonte pa u ndier në qoftë se atë nuk do ta spërkatte me aromë çmendurie  një imam[2]. Ai poston një video dhe për të ngritur lart dhe për të shenjtëruar fjalën « Inshallah » pra « Dashtë Zoti » ose në Dashtë Zoti, tregon një histori nga shkrimet e vjetra islame. Viedoja me rrëfimin e tij bëri xhiron e botës shqiptare.

Aty ai tregonse  një shenjt musliman, Sulejmani, një natë vendosi që të flejë me 90 gratë e tij në mënyrë që të bënte 90 luftëtarë që do luftonin për çështjen e Allahut. Mirëpo ai nuk tha « Inshallah » dhe megjithëse bëri dashuri me të 90-t gra për një natë, ato nuk mbetën shtatzënë. Vetëm njëra mbeti se kishte thënë me gjysmë zëri « Inshallah » dhe djali i saj lindi i metë, thotë imami. Tani, nëse do të analizosh këtë tekst të këtij imami që ai e përhap me video dhe ua thotë besimtarëve të tij, duhet të çmendesh edhe ti, ashtu si ai imam. Mirëpo edhe ky imam është shqiptar si unë dhe si ti dhe predikon një fe të respektuar siç është besimi islam. Tani kush mund të më thotë mua se çfarë identiteti kemi ne shqiptarët. Pra cilët jemi ne ? Ata që protestojnë për teatrin apo ata që dëgjojnë këtë imam të lajthitur që ngatërron paranojat e veta seksuale me besimin.

Gjithkush do të mendonte se për të hetuar identitetin e një kombi, në radhë të parë duhet parë shkolla. Aty është vendi që fëmijët marrin formimin për t’u bërë qytetarë shqiptarë në radhë të parë dhe qytetarë europianë në radhë të dytë.  Më duhet ta them që në fillim se, për fat të keq, shkolla jonëështë pa identitet dhe nuk është e orientimit europian. Po përpiqem ta argumentoj përse. Siç e dimë të gjithë, qershori është muaji i provimeve të formimit në shkollat e mesme. Italia fqinje fjala vjen, këtë çast, pra provimet e maturës, i trajton si ngjarje kombëtare. Dje edhe sot, ato ishin titujt kryesorë në të gjitha të përdtishmet italiane. Ju kujtohet raportimi për këtë ngjarje në Shqipëri ? Lajmi i parë ishte se policia merrte në mbrojtje të gjitha shkollat ditën që do të zhvillohej provimi. Madje vetë shefi i rendit, z. Albert Dervishi, kishte zënë vendin qëndror në këto lajme dhe ai siguronte se provimi do të zhvillohej normalisht. Të qash e të shkulesh së qeshuri. Po mirë vallë, në Afganistan jetojmë, në Tanzani ? Si ka mundësi që dita më e shenjtë për të rinjtë mbulohet me polici ? Asnjë fjalë për përmbajtjen e tezës, për thellësinë e ideve, për mesazhin. Të vetmin lajm edhe këtë radhë e prodhoi Televizioni i SHQUP-it ose « babale partia » që tha se ushtrimet e matematikës ishin dekonspiruar.

Kjo është ana banale që shkon njësh me shqetësimin mbarëpopullor për teatrin, me rrëfimin e imamit për 90 gratë e kështu me radhë. Ndërkaq me përmbajtjen e provimeve të maturës shtetërore shqiptare nuk u mor askush. Në Shqipëri jepet provimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe për të gjitha shkollat e mesme, matematika, gjuha e huaj dhe një provim me zjgedhje në varësi të preferencave të nxënësit për shkollën e lartë që do të ndjekë. Sivjet në provimin e letërsisë u dha një fargment nga Kamyja prej romanit të tij « I huaji ». Dhe gjithë formimi i nxënësit të shkollës së mesme u reduktua këtu. Pra një fragment nga ky roman dhe pyetje rreth tij. Një orë e rëndomtë letërsije.

Ndërsa shikoni se çfarë ndodh në Itali[3] qëështë një shkollë perëndimore me identitet europian. Ështe zgjedhur një autor me emrin Giorgio Bassani dhe një fragment nga romani i tij « Il giardino dei Finzi Contini » që ka si teme antisemitizmin dhe këtu u kërkohet nxënësve të njohin mirë peirudhën e errët tëracizmit fashist, kushtetutën dhe kontributin e De Gasperit me shokë për të ardhur deri në ditët e sotme. Një test tjetër është ai për bioetikën dhe ekonominë. Ndërsa në ditën e dytë për nxënësit e shkollave humane ishte një test nga Aristoteli dhe për ata të liceut shkencor ishte matematika . Nuk po hyj në përmbajtjen e këtij sistemi të maturës, sepse ai është i konsoliduar e me identitet të qartë. Te ne jo vetëm që antikiteti është fshirë nga të nxënët racional e të programuar në shkolla, por ajo qëështë më dramatikja shkolla jonë nuk është as Perëndim, as Lindje, as qiell as tokë, është një mishmash i frikshëm mu ashtu si shqiptarët që dalin prej saj.

Dhe në fund, për ta përmbyllur po përmend një rast tjetër. Duke shetitur në këto ditë të çmendura qershori me telekomandë, në një stacion televiziv kombëtar që ka të njëtën klishe që quhet emision i pasdites në  X tv, moderatorja, një nga ato budallaçkat e qeshura kishte ftuar një mësuese letërsije sepse ishin provimet, një stiliste dhe disa nxënëse maturante. Tema a e dini cila ishte : Ethet për mbrëmjen e fundit : çfarë do veshësh e pyeste njërën, sa kohë ke që mendon për fustanin, po thonjtë kur i ke bërë ? Make-up-in si do ta bësh ??? Po këpucët ?

Çfarë të bësh ? Të qash apo të shkulesh gazit ?!!!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vala: 22/06/2018 12:21

    Shkrim i shkelqyer.Respekt zoteri.

    Përgjigju
  • Kos: 22/06/2018 01:24

    Ben nje pyetje shkrimshkruesi: cfare identiteti kane shqiptaret? Pergjigje: jo te njejte me ty Ilir Yzeiri, qe je jevg, me gjithe respektin qe kam per romet e ndershem.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?