Përmes Drejtorisë së Prokurimeve Publike, Ministria e Mbrojtjes synon të shesë skrap që përftohet nga avionët, helikopterët dhe motorët e avionëve, të cilat i vlerëson se nuk gjejnë përdorim të mëtejshëm në Forcat e Armatosura dhe janë kategorizuar për shitje për skrap. Vlera fillestare e sasisë është 15,959,224 lekë pa TVSH, sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim.
Tenderi do të mbahet më 26 gusht në orën 10:00 pranë Ministrisë së Mbrojtjes ku do të dorëzohen edhe ofertat. Bëhet fjalë për shitjen e 138385 kg skrap çeliku që do të shitet me 15.1 lekë/kg. Kostoja totale e saj arrin në 2,089,614 lekë. Gjithashtu do të shiten edhe 72464 kg skrap alumin i vlerësuar me 191. 4 lekë kg me vlerë totale 13,869,610 lekë. Por shitja për skrap e avionëve , helikopterëve dhe të mjeteve të tjera të ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shitur pasuritë. Në të njëjtën ditë që do të shiten pjesët e avionëve dhe të helikopterëve për skrap, ministri Imami ka planifikuar që të shesë për skrap edhe dy anije silurkapëse dhe një tjetër polumbare. Ministria e Mbrojtjes synon të shesë anije për përdorim jo ushtarak të cilat nuk gjejnë përdorim të mëtejshëm në Forcat e Armatosura.
Vlera fillestare: 8,666,301 (tetë milion e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e një) lekë pa TVSH, sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim. Data e zhvillimit të ankandit: 26.08.2013 ora: 12.00, vendi: Ministria e Mbrojtjes. Një muaj më parë, ministri Imami nuk do të hezitonte që të firmoste shitjen e pesë avionëve ushtarakë. “Shitje të avionëve i ndarë në 5 lote si më poshtë: Vlera fillestare në lek pa TVSH, Avion Jak-18 nr. 1 1971 1,863,574, Avion Jak-18 nr. 2 1971 1,863,574, Avion Jak-18 nr. 3 1971 1,863,574, Avion Jak-18 nr. 4 1971 1,863,574 dhe Avion Jak-18 nr. 37 1971 1,863,574. Përshkrim i shkurtër i objektit të shitjes: Ministria e Mbrojtjes synon të shesë avionë për përdorim jo ushtarak të cilat nuk gjejnë përdorim të mëtejshëm në Forcat e Armatosura. Sasia e mjeteve: 5 (pese) copë. Vlera fillestare: 9,317,870 (nëntë milionë e treqind e shtatëmbëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë) lekë pa TVSH”, thuhej në dokumentet e njoftimit të tenderit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Me vendimin e qeverisë për të nxjerrë nga përdorimi avionët ushtarakë dhe shitjen e tyre, qoftë edhe për skrap, i ka hapur rrugë ministrit Imami për të likujduar totalisht “shqiponjat” e ushtrisë sonë. Një vit më parë, Ministria e Mbrojtjes nxori në shitje nëntë avionë ushtarak të Forcave të Armatosura Shqiptare, prodhim kinez. Për shitjen e avionëve u mbaj një ankand me shifrën fillestare prej 24 milionë lekëve. Avionët përdoreshin nga ish-shkolla e aviacionit në Vlorë dhe ish-fusha e aviacionit në Tiranë. Sipas njoftimit të asaj kohe të nxjerrë në Agjencinë e Prokurimit Publik, Ministria e Mbrojtjes synon t’i shesë avionët për përdorim jo ushtarak, pasi nuk gjejnë përdorim të mëtejshëm në Forcat e Armatosura. Bëhet fjalë për dy tipe avionësh, Jak 18 prodhim kinez i viti 1971 dhe avion AN-2 prodhim i vitit 1966. Avioni Jak 18, dy vendësh, përdorej në shkollën e aviacionit për njohuritë fillestare të pilotëve të rinj por dhe në aktivitete të tjera demonstruese, ndërsa avioni AN-2, me kapacitet 10 vendësh, kishte funksione të ndryshme në Forcat e Armatosura.
PRONAT E PATUNDSHME
Krahas shitjes së armatimit, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur në qendër të prioriteteve të saj dhe shitjen e pasurive të patundshme të ushtrisë. Janë me dhjetëra prona të ushtrisë të cilat kanë ndryshuar destinacion dhe janë shitur për shuma qesharake krahasuar me vlerën reale të tregut. Ministri Arben Imami ka nxjerrë në shitje më 16 dhe 17 Korrik të këtij viti prona të tjera të Ushtrisë shqiptare. Në Ksamil Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë në ankand një sipërfaqe prej 3000 metra katrorë, me vlerë fillestare ankandi prej 12 milionë lekësh. Në Babicë ka nxjerrë për shitje një sipërfaqe prej 625 metra katrorë, me vlerë ankandi fillestare 2 milionë lekë. Këto dy reparte ushtarake janë në dy zona shumë të lakmuara turistike dhe siç edhe konstatohet nga vlera e fillimit të ankandit, po shiten shumë herë në vlerën e tyre të tregut. Në ankand po nxirret edhe një grup depo municioni në Berat me një sipërfaqe prej 24089 m2.
PS: ARBEN IMAMI TË MOS ABUZOJË ME PRONËN PUBLIKE
Qeveria e re socialiste ka premtuar se para se të fillojë detyrën e saj do të auditojë të gjithë institucionet shtetëror për të parë gjendjen faktike të tyre. Partia Socialiste ka premtuar se do të vërë opera përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me pronat publike, ndërsa i ka bërë thirrje Imamit që të ndalojë shitjet. “ Është absurde që një ministër që u ndëshkua rëndë me votë në qarkun që drejtonte; një ministër qeveria e të cilit u ndëshkua me votën e 1 milionë shqiptarëve pikërisht për vjedhjet, abuzimet, shpërdorimin e pasurisë publike në emër të interesave personale e klienteliste, vazhdon ende sot të abuzojë me pronën publike si të mos ketë ndodhur asgjë. Por ndjejmë po ashtu detyrimin të përsërisim thirrjen edhe ndaj sipërmarrësve që të mos përfshihen në asnjë marrëdhënie të re parash apo pronash me këtë qeveri, e cila në çdo vend demokratik në këto momente do të duhej vetëm të përkujdesej për transferimin e detyrës e jo të merrte vendime të këtij karakteri ”, ka theksuar deputetja Felaj në qëndrimin zyrtar të PS-së pak ditë më parë.
Marrë nga Shekulli
(sg/shqiptarja.com)