Imazhi i artistëve
shqiptarë në botë

Imazhi i artistëve<br />shqiptarë në botë
TIRANE - Ata janë një konstelacion yjesh. Janë shumë dhe po more mundimin t’i numërosh e ndodh të hutohesh nga lista e gjatë, nuk vjen për shkak të harresës, por se shkëlqimi i njërit në një moment të caktuar ta largon vëmendjen nga tjetri. Ata janë shkrimtarë, piktorë, violinistë, artistë, balerinë, soprano, këngëtarë, që triumfojnë me artin e tyre në botë dhe kanë fituar qindra trofe, kanë arritur triumfe, sfida.

Ata janë imazhi tjetër yni në botë, janë imazhi i kulturës shqiptare, shprehja e energjisë. Duam s’duam ne, duan s’duan ata që tregtojnë më mediat e huaja imazhin e keq të Shqipërisë, yjet e këtij vendi zhvendosin vëmendjen e Europës dhe ndërkombëtarëve drejt vendlindjes së tyre, Shqipërisë, ashtu siç ndodhi në rastin më të fundit me triumfin e këngëtares Elhaida Danit në The Voice of Italy, e cila me magjinë e zërit të saj, me mençurinë dhe talentin bëri për vete 73 për qind të publikut italian. Yje të tjerë kanë dalë e do të dalin sërish, duke ndërruar sa herë ngjyrat e imazhit të Shqipërisë në botë. Le t’i kthehemi kujtesës:

ISMAIL KADARE
 
Është shkrimtari i madh shqiptar me një imazh të ndritshëm në Europë dhe në botë. U nominua disa herë duke kryesuar listën e Çmimit Nobel në Letërsi. Arriti të fitojë një çmimin jo më pak prestigjioz se Nobeli. U shpall fitues i çmimit “Man Booker International Fiction Prize 2005”. Në ceremoninë e këtij çmimi, kryetari i jurisë John Carey tha se “Ismail Kadare është një shkrimtar, i cili lë gjurmë në të gjithë kulturën, historike,  folklorike dhe politike te vendit te tij.

Ai është një shkrimtar universal, i cili shkruan histori që datojnë prej nga koha e Homerit”. Ballafaqimet letrare të Kadaresë në arenën ndërkombëtare kanë vijuar me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsi", nje nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Kështu Kadareja mbetet njëri nga shqiptarët me famë botërore në këtë yllësi.

ANGJELIN PRELOCAJ
 
E renditëm në listë pas Kadaresë vetëm prej një rastësie të bukur, sepse Kadareja i mahnitur nga sukseset e tij në Francë i ka kushtuar atij një libër, “Kushëriri i engjëjve”. Preljocaj u bë një balerin dhe koreograf i famshëm në Francë dhe në gjithë Europën. Angjelin Prelocaj është fitues i një sërë çmimesh ndërkombëtare, ai është mbreti i koreografisë botërore.

Shtëpia e tij janë Balshoi Teatër- Moskë, La Scala-Milano, Opera Garnier-Paris, Opera gjermane e Berlinit, Neë York City Balet. Pasaporta e tij është franceze. Zemra e tij shqiptare. Në vitin 1957 ai u arratis nga Shqipëria, kur ishte ende në barkun e nënës së tij, por ai ka mbetur një shqiptar me mendje dhe me zemër, pavarësisht se ku punon dhe banon.
 
TEDI PAPAVRAMI
 
Është jo vetëm një violinist i shquar, por tashmë edhe përkthyes i shkrimtarit Ismail Kadare nga shqipja në gjuhën frënge. Tedi Papavarami, i lindur në Tiranë, ku u shqua si një talent i rrallë, ka studiuar në konservatorin kombëtar “Superieur de Musique” në Paris. Në Shqipëri studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike.

Në moshën 8-vjeçare, interpreton “Arie Bohemienne të Sarasate me orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator 1982, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris.

Që nga ajo kohë Tedi nuk kthehet më në Shqipëri, edhe për shkak të frikës nga regjimi komunist. Artisti Tedi Papavrami ka interpretuar në shumë skena të botës. Aktualisht jeton në Gjenevë ku jep edhe koncerte atje, por Parisi mbete vendi që e admiroi dhe e mbajti si një xhevahir të rrallë artistin e famshëm shqiptar.
 
INVA MULA
 
Diva e skenave europiane të botës të muzikës operistike. Bijë e dy artistëve të shquar shqiptarë, sopranos Nina Mula dhe tenorit Avni Mula. Inva u shfaq si një figurë e adhurueshme dhe e kërkuar për luksin e operave europiane. Jo vetëm për zërin e saj magjik, por edhe për portretin e saj skenik, ajo harmonizonte zërin me figurën skenike ku dukej si një kukull e mahnitshme. Inva Mula sfidoi operat italiane dhe ato parisiene, ku veç triumfit dhe admirimit të publikut europian ajo është fituesja e dhjetëra çmimeve për interpretimin e muzikës operistike.


SAIMIR PIRGU
 
Një uragan i skenës, një zë i rrallë, që edhe pse është një moshë të re, ka pushtuar operat botërore me tingullin kristalor të zërit të tij. Saimir Pirgu, 28-vjeçari shqiptar me origjine nga Elbasani është sot një nga tenorët më të njohur e më të kërkuar të skenës operistike ndërkombëtare. Në moshë të re, Saimir Pirgu u bë shumë shpejt i njohur si tenor, duke fituar një sërë çmimesh në Itali dhe tashmë ai mahnit publikun e botës dhe kritikën ne skenat e gjithë botës.

Ai përfundon në vitin 2003 në Konservatorin e Bolzanos, në Itali. Në 2004-n, Saimir Pirgu debuton si profesionist, në moshën rekord 22-vjeçare, në rolin e Ferrandos, në operën moxartiane “Così fan tutte” të drejtuar nga maestro i madh italian Claudio Abbado. Qe atëherë karriera e tij, e vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare, ka shënuar vetëm rritje të shpejtë dhe suksese të njëpasnjëshme.

I vlerësuar nga Pavaroti si një nga talentet me premtuese te lirikës botërore, Pirgu debuton në Vjenë, në Berlin, në Salzburg, në Romë, në Londër, në Paris, në Nju Jork e në Los Anxhelos, përkrah profesionistëve më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare.
 
AGIM HUSHI

Një nga artistët e shumtë shqiptarë të cilët në fillimin e viteve '90 u larguan nga Shqipëria për një jetë më të mirë, është dhe tenori i famshëm Agim Hushi me origjinë nga qyteti i Kavajës, i cili pas diplomimit në Institutin e Lartë të Arteve, pati një karrierë të shkurtër por tepër të suksesshme në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë.

Pas largimit nga Shqipëria, ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura të Budapestit dhe që nga ajo kohë ai vazhdon të debutojë më shumë sukses në shumë nga skenat më prestigjioze të botës, duke përfaqësuar me shumë dinjitet atdheun dhe kulturën e vendlindjes së tij.

Kohët e fundit kritika vjeneze është shprehur me superlativa për albumin “Amore grande” të tenorit shqiptar Agim Hushi, një album ku përfshihen këngët më të bukura të repertorit të tij. E kanë cilësuar këtë album si një ndër më të bukurit realizuar këto vitet e fundit në historinë botërore të incizimeve, përfshirë këtu edhe emra të mëdhenj si Pavaroti, Domingo dhe Karreas.

ELHAIDA DANI
 
Është fituesja e “The Voice of Italy 2013”. Ajo ka qenë më e duartrokitura dhe më e komentuara në rrjetet sociale. “Bravissima!, Stratosferica!, Non ha rivali!, Fenomenale!, E la migliore di tutti!, Stupenda”, ishin komplimentet që kanë shoqëruar gjatë gjithë kësaj mbrëmje atë që tashmë është zëri jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i Italisë. Kur ajo këndoi për herë të parë në “The Voice” të katër anëtarët e jurisë e shtypën butonin e kuq. Për adhuruesit e këtij shou, këngëtarja shqiptare ishte zbulimi i vërtetë i këtij spektakli.  

LISTA VIJON…
 
Po ta vijojmë listën do të vazhdojmë me Ilir Shaqirin, balerin i famshëm në Itali, Kledi Kadiun balerin në Itali, Leon Çinon, me kënëgatren Elsa Lila, me piktorin Artan Shabani, i famshëm, në Itali, me piktorin Agim Sulaj, Anri Sala, etj, etj. Nuk mbaron këtu…

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Masakra në Britani/ 2 fëmijë viktima nga sulmi me thikë, 9 të plagosur! Policia prangos autorin, nuk ka ende një motiv të qartë

Masakra në Britani/ 2 fëmijë viktima nga sulmi me thikë, 9 të plagosur! Policia prangos autorin, nuk ka ende një motiv të qartë