Revista e udhëtimeve, Time Out, i ka kushtuar një artikull liqenit të Ohrit duke e kurorëzuar si vendin më të bukur në Europë. Madje, e krahason me një version më të përballueshëm të liqenit të Komos në Itali.
Artikulli i plotë:
Mbi një milion turistë vizitojnë çdo vit rajonin e Lombardisë në Itali për të parë liqenin e Komos dhe vilat e tij mahnitëse, dhe ndonëse nuk jemi nga ata që kundërshtojnë një udhëtim në Itali, gjithsesi vlen të theksohet se ka dhjetëra peizazhe të tjera të mrekullueshme buzë liqenesh në të gjithë kontinentin që presin të zbulohen (dhe shumë prej tyre me shumë më pak turma).
Merrni për shembull liqenin e Ohrit, një hapësirë ujore jashtëzakonisht e nënvlerësuar që shtrihet mes dy destinacioneve po aq të nënvlerësuara, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili së fundmi u shpall vendi më i bukur në Evropë nga shkrimtarët e udhëtimeve të Time Out.
Ndërsa liqeni i Komos tërheq njësoj si të famshëm, ashtu edhe turma të mëdha, liqeni i Ohrit, një nga liqenet më të vjetra dhe më të thella në Europë, ofron një alternativë më të qetë dhe më të përballueshme pa bërë kompromis me peizazhin. Mendoni ujëra blu të qeta si pasqyrë, peizazhe malore dhe një vijë bregdetare të mbushur me qytete historike që duken sikur kanë ngecur në kohë.
Në anën e Maqedonisë së Veriut, qyteti buzë liqenit i Ohrit është ylli i spektaklit, me rrugë me kalldrëm, qindra kisha mesjetare (qyteti është i famshëm për faktin se dikur kishte 365 kisha, një për çdo ditë të vitit) dhe çati me tjegulla të kuqe që zbresin drejt ujit. Aty mund ta kaloni ditën duke notuar dhe duke eksploruar rrënoja të lashta, dhe mbrëmjen duke parë perëndimet e diellit pas maleve, të gjitha pa çmimet marramendëse të Lombardisë.
Kaloni në anën shqiptare dhe do të gjeni peizazhe më të egra dhe fshatra të qeta. Fshati Lin është shtëpia e rrënojave me mozaikë dhe vendeve piktoreske për kamping që mund të rezervohen pranë ujit, me shezlongë të përfshirë.
Gjithashtu, artikulli përfshin edhe një listë me 10 vendet më të bukura në Europë:
- Liqeni i Ohrit, Maqedonia e Veriut
- Burimet termale të Saturnias, Toskanë, Itali
- Shtegu i Gjigantit, Irlanda e Veriut
- Alberobello, Pulia, Itali
- Počitelj, Bosnje dhe Hercegovinë
- Fjordet norvegjeze, Norvegji
- Kopshtet Kew, Londër, Mbretëria e Bashkuar
- Kanali Prinsengracht, Amsterdam, Holandë
- Lugina e Moselit, Gjermani
- Casa Batlló, Barcelona, Spanjë
Komente









